Gjermani – Një turk emërohet ndihmëspresident i shërbimit informativ të brendshëm

Juristi me origjinë turke, Sinan Selen, është emëruar në postin e ndihmëspresidentit të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), shërbimi informativ i brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë.

Gjermani – Një turk emërohet ndihmëspresident i shërbimit informativ të brendshëm

Në uebfaqen e BfV-së është vendosur biografia e Sinan Selenit, cili do të jetë ndihmës i presidentit të BfV-së, Thomas Haldenweg, si dhe është njoftuar zyrtarisht se ai ka filluar menjëherë detyrën.

Kjo është hera e parë që një qytetar me të kaluar emigranti emërohet në një pozicion kaq të rëndësishëm sa numri dy i shërbimit të brendshëm të inteligjencës së Gjermanisë.

Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e BfV-së, Sinan Seleni është lindur më 1972-shin në Stamboll të Turqisë. Ai është diplomuar nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Këlnit me fokus në politikën e brendshme dhe atë të drejtësisë në Evropë (E Drejta Evropiane).

Nga viti 2000 deri në 2006-n ai ka mbajtur detyra të ndryshme policore në Zyrën Federale të Policisë Kriminale.

Andej nga fundi i vitit 2006 Sinan Seleni është transferuar në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, ku është ngarkuar përgjegjës i Zyrës për Terrorizmin dhe Ekstremizmin e Huaj në Departamentin e Antiterrorizmit.

Nga viti 2009 deri më 2012-n, ai ka punuar në Zyrën Federale të Policisë së Gjermanisë si përfaqësuesi i përhershëm i kreut të Departamentit për Luftimin e Krimit. Përveç fushën e luftës kundër krimit dhe kundër terrorizmit, Seleni është kujdesur personalisht edhe me çështjen e krimeve kibernetike duke u fokusuar mbi piraterinë kompjuterike.

Nga viti 2012 deri më 2016-n, juristi me origjinë turke ka drejtuar Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë Federale të Punëve Brendshme, ku është marrë sidomos me çështjet operacionale të luftës antiterrorizëm.

Në vitin 2016, Sinan Selen u largua nga sektori publik dhe kaloi në atë privat, ku iu bashkua operatorit turistik “TUI” për të ndërtuar infrastrukturën e sigurisë së këtij grupi të fuqishëm anembanë globit.

Duke filluar nga data 21 janar 2019, Sinan Seleni është ndihmëspresident i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, vizitoi selinë e BfV-së në Këln dhe i uroi suksese personalisht drejtuesit të ri.

Ish-kreu i BfV-së, Hans Georg Maassen, u shkarkua nga detyra në gusht të vitit të kaluar për shkak të deklaratave të tij pas ngjarjeve me refugjatët në një qytet të Saksonisë.



Lajme të ngjashme