SHBA – Funeral shtetëror për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Baba Bushit”

Të mërkurën u mbajt në Uashington “funerali shtetëror” për presidentin 41. të SHBA-së, i cili u nda nga jeta të premten e kaluar në moshën 94-vjeçare...

SHBA – Funeral shtetëror për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Baba Bushit”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit ish-presidentit George H.W. Bush me një funeral shtetëror në Uashington, ku morën pjesë figura të larta të politikës amerikane dhe udhëheqës aktualë e të mëparshëm nga shumë vende të botës.

Të mërkurën u mbajt në Uashington “funerali shtetëror” për presidentin 41. të SHBA-së, i cili u nda nga jeta të premten e kaluar në moshën 94-vjeçare.

Ditën e hënë, trupi i të ndjerit u dërgua në kryeqytetin amerikan për ceremonitë e përmortshme që u mbajtën një ditë më vonë në Kongres.

Ndërsa mëngjesin e së mërkurës trupi i ish-presidentit amerikan, i cili njihet edhe si “Bushi i Vjetër” apo “Baba Bushi”, u çua në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit për funeralin shtetëror, i shoqëruar nga një autokolonë ceremoniale që kaloi përpara Shtëpisë së Bardhë.

Krahas ish-presidentëve amerikanë, Jimmy Carter, Bill Clinton, Barack Obama dhe bashkëshorteve të tyre, të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu Presidenti aktual Donald Trump, Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë, Princi Charles i Britanisë, Mbreti Abdullah II i Jordanisë, Presidenti Andrzej Duda i Polonisë dhe shumë liderë të huaj.

Fjalime në këtë ceremoni ku u kënduan edhe psalme, mbajtën nipërit dhe mbesat e të ndjerit, ish-kryeministri kanadez Brian Mulroney dhe historiani John Meacham.

Kurse fjalimin panegjirik për Bushin e Vjetër e lexoni djali i tij dhe ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush.

“Ai na mësoi se shërbimi publik është fisnikëri dhe domosdoshmëri. Ai kishte një aftësi të madhe për të dhënë nga vetvetja. Ishte babai më i mirë që mund të ketë një bir apo një bijë”, tha ish-presidenti Bush përpara të pranishmëve.

Ndërsa mbaronte fjalimin duke u përpjekur për të mbajtur lotët, ai e përshkroi babanë e tij si “një njeri të madh e fisnik”.

George Herbert Walker Bush, i cili shërbeu si president i 41. i SHBA-së në vitet 1989-1993, ndërroi jetë më datë 30 nëntor. Ai do të varroset në vendlindjen e tij, Teksas, pranë bashkëshortes së tij, Barbara, e cila u nda nga jeta në prill të këtij viti.



Lajme të ngjashme