“ShBA do të dërgojë luftanije në Detin e Zi”

Raportohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë filluar përgatitjet për të dërguar një anije luftarake në Detin e Zi për shkak të tensionit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“ShBA do të dërgojë luftanije në Detin e Zi”

Këta hapa janë ndërmarrë si përgjigje ndaj krizës mes Ukrainës dhe Rusisë në Detin e Azovit, ka njoftuar televizioni amerikan CNN, duke cituar tre zyrtarë anonimë të Pentagonit (Departamenti amerikan i Mbrojtjes).

Sipas lajmit, Pentagoni i është drejtuar Departamentit të Shtetit që ti kërkojë leje Turqisë për kalimin e anijeve luftarake nga ngushticat turke për në Detin e Zi në respektim të Traktit të Montrësë mbi Regjimin e Ngushticave.

Eric Pahon, një nga zëdhënësit e Pentagonit në prononcimin që ka bërë për agjencinë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) tha se nuk mund të jepte ndonjë informacion mbi lëvizjen dhe vendndodhjen e anijeve luftarake amerikane, ndërsa shtoi: “ShBA-ja i respekton plotësisht përgjegjësitë e saj që rrjedhin nga Konventa e Montrësë. Ne nuk e publikojmë përmbajtjen e komunikimit specifik diplomatik”.

Kurse një zyrtar tjetër amerikan tha se kërkesa të tilla Turqisë i dërgohen rregullisht në mënyrë që flota amerikane të disponojë alternativa. Çdo vit ShBA-ja në kuadër të Konventës së Montrësë i përcjell Turqisë me dhjetëra kërkesa për të kaluar nga ngushticat e saj, por nga këto vetëm disa zbatohen dhe jo përherë.

Deti i Zi bën pjesë në zonën e misionit të Komandës së Forcave Amerikane në Evropë (EUCOM) dhe të flotës së 6-të të marinës amerikane.

Sipas Konventës së Montrësë, e cila është firmosur në vitin 1936 për të rregulluar regjimin e ngushticave turke, të gjitha vendet që nuk kanë dalje në Detin e Zi duhet ti drejtohen Turqisë me një kërkesë 15 ditë para se mjetet e tyre lundruese ushtarake të kalojnë nga Ngushtica e Çanakalasë (Dardanele) dhe Stambollit (Bosfor).

 


Lajme të ngjashme