Dy avionë luftarakë të ShBA-së përplasen në det të hapur në afërsi të Japonisë

Bëhet e ditur se avioni tanker i tipit KC-130 dhe avioni luftarak F/A-18, që të dy të dislokuar në bazën ajrore të marinsave amerikanë në Iwakuni të Japonisë, janë përplasur dhe rrëzuar gjatë fluturimit trajnues.

KC-130.jpg

Dy avionë luftarakë të marinsave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përplasur në det të hapur në afërsi të Japonisë.

Në deklaratën e lëshuar nga Komanda e Marinsave Amerikanë thuhet se avioni cisternë i tipit KC-130 dhe avioni luftarak F/A-18, që të dy të dislokuar në bazën ajrore të marinsave amerikanë në Iwakuni të Japonisë, janë përplasur dhe rrëzuar gjatë fluturimit trajnues.

Në deklaratë në mes tjerash thuhet se po vazhdojnë ende “aktivitetet e kërkim-shpëtimit të avionëve të marinsave të ShBA-së, të cilët u rrëzuan më 6 dhjetor në orën 02.00 sipas orës së Japonisë në det të hapur 200 milje detare larg nga Japonia. Një personel i plagosur gjatë aksidentit është shpëtuar nga ana e Forcave Detare të Japonisë”.

Bëhet e ditur se ka filluar edhe hetimi për të zbuluar arsyen e përplasjes së avionëve në fjalë.

Në anën tjetër njoftohet se Forcat Detare të ShBA-së në Gjirin e Petrit të Madh në Detin e Japonisë, mbi të cilin ka pretendime Rusia, kanë dërguar destrojerin e raketave të telekomanduara “USS McCampbell”, të llojit “Alreigh Burke”.

Në deklaratën e lëshuar nga Forcat Detare të ShBA-së në mes tjerash thuhet se destrojeri në fjalë është dërguar në këtë zonë për “operacion të lundrimit të lirë” si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Rusisë mbi gjirin.



Lajme të ngjashme