Koment – Gjuha e rrugës, opozitës dhe pozitës

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Gjuha e rrugës, opozitës dhe pozitës

Koment – Gjuha e rrugës, opozitës dhe pozitës

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Epoka e globalizimit në të cilën po rrugëtojmë, është duke e transformuar jetën tonë në shumë aspekte. Ndryshimet që në të kaluarën s’realizoheshin as për shekuj të tërë, sot konkretizohen në vetëm pak çaste. Teoricieni shoqëror, David Harvey, antropolog dhe gjeograf amerikan me famë botërore, në veprën e tij me titull “Gjendja e Postmodernitetit” (The Condition of Postmodernity), e përkufizon epokën e sotme si “shtrëngim kohë-hapësirë”. Zhvillimet, marrëdhëniet, ndryshimet dhe transformimet në këtë periudhë rrjedhin me një shpejtësi të skëterrshme, marramendëse për njerëzimin. Proceset globalizuese që po kalojmë, nga njëra anë afrojnë largësitë e mëdha dhe nga ana tjetër largojnë afërsitë gjithashtu. Madje ato bëjnë të njohura gjërat që më parë nuk diheshin, por edhe të panjohura ato që më parë diheshin lehtësisht. Por siç e ka theksuar filozofi e eseisti spanjoll, Jose Ortega y Gasset: “Qytetërimi i avancuar është një problem i vështirë. Në të njëjtin raport me vrullin e zhvillimit rritet edhe rreziku me të cilin ai përballet. Jeta përmirësohet, zbukurohet çdo ditë e më shumë dhe, si një rrjedhojë e pashmangshme e kësaj, bëhet përherë e më komplekse, gjithnjë e më e vështirë.”

Ajo ku po përpiqem ta sjellë fjalën, është çështja se përmes çfarë gjuhe/retorike dhe pozicionimi do të komunikojnë me të tjerët individët, grupet, institucionet dhe shtetet, të cilët bashkëjetojnë sot me shumë më tepër identitete, kultura, institucione dhe organizata të ndryshme sesa në periudhat tradicionale. Sepse zhdukja e marrëdhënieve tradicionale, koklavitja multilaterale e jetës dhe prania në të njëjtin mjedis e shumë identiteteve të ndryshme shton dukshëm edhe paqartësitë. Një prej shkaqeve të përjashtimeve, urrejtjeve dhe margjinalizimeve me të cilat po ballafaqohemi sot në nivel global, është pikërisht kjo situatë paqartësie. Realisht, pozicionimi apo gjuha e përdorur është e rëndësishme edhe në periudha të zakonshme. Mirëpo në periudha paqartësie, toni/gjuha dhe pozicionimi që do të përdoret karshi të tjerëve kanë një efekt mjaft më të fuqishëm në trajtësimin e raporteve individuale, grupore, institucionale apo ndërshtetërore. Shumë sjellje mund të jenë të tolerueshme në periudha të zakonshme ose kur dihen, por mund të krijojnë tensione serioze në rrethana paqartësie.

Çfarë gjuhe/retorike/pozicionimi duhet përdorur? Mitingjet, opozita, pozita...

Cila është gjuha dhe retorika që duhet të zgjedhim si individë, shoqëri, organizata dhe shtete në kontaktet apo raportet tona me ata që na rrethojnë, me njerëz të ngjashëm me ne apo dhe të ndryshëm nga ne? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është domethënëse edhe për të kuptuar sjelljet, diskurset që ndonjëherë nuk i miratojmë. Në rreshtat e mëposhtëm do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në aspektin individual. Megjithatë perspektiva që do të paraqes është një shpjegim fare i mirë gjithashtu për marrëdhëniet ndërmjet shoqërive, organizatave dhe deri diku ndërmjet shteteve.

Si të pozicionohemi në marrëdhëniet ndërhumane? Mos duhet të përdorim vazhdimisht një gjuhë/retorikë reaguese? Vallë a të bëhemi gjithnjë kritikë dhe “zoti opozitar”? Apo të zgjedhim një lloj raporti konstruktiv (gjuha e pozitës) pavarësisht se me kë kemi të bëjmë?

Më lejoni t’jua sqaroj atë çfarë dua të them me anë të një mbledhjeje në të cilën kam marrë pjesë: Isha ftuar në një takim ndërkombëtar, ku pjesëmarrës ishin po ashtu ish-ministra, deputetë dhe liderë të opinionit nga vendet islame. Bëhet fjalë për një mbledhje jopublike, pa praninë e mediave dhe që zhvillohej në një hotel. Por fjalimet vlonin. Çdo ligjërues që ngjitej në foltore, mbante fjalime emocionale në gjuhën arabe me shprehje të tilla si “vallahi”, “tallahi” dhe “bilahi”, ndërsa salla gjëmonte nga duartrokitjet, ovacionet dhe sloganet.

Kur fjalën e mora unë, ato që thash ishin pak a shumë këto: “Po, bota islame ka probleme jashtëzakonisht të dhimbshme, zhuritëse. Mirëpo kjo është një mbledhje e mbyllur. Ne duhet të jemi në gjendje t’i trajtojmë këto probleme me gjakftohtësi dhe të prodhojmë zgjidhje.” Siç mund ta imagjinoni, në mesin e shumë fjalimeve të zjarrta, fjala ime me një thirrje për vetëpërmbajtje ishte ajo që u duartrokit më pak në këtë takim.

Megjithatë kjo mbledhje më mësoi tri lloje gjuhësh, tri mënyra se si të pozicionohesh.

E para është gjuha/retorika/pozicionimi i rrugës. Gjuha e rrugës është një gjuhë shumë efektive që duhet përdorur hera-herës. Tubimet, demonstratat dhe protestat mund të jenë ndonjëherë një nga mënyrat më të efektshme për të arritur qëllimin. Sikurse dhe më 15 Korrik (2016), një qëndrim apo mesazh që s’mund të jepet me ndonjë metodë tjetër, mund të shpaloset vetëm me gjuhën e rrugës. Por gjuha e rrugës është efektive vetëm kur përdoret si dhe kur duhet. Marrëdhëniet/sistemet konstruktive dhe të qëndrueshme s’mund të zhvillohen duke mbajtur vazhdimisht mitingje dhe duke dërguar përherë mesazhe me gjuhën e rrugës. Një thellësi kulturore dhe një pasuri e civilizuar nuk mund të ndërtohen kështu. Gjuha e takimit të mbyllur në fjalë ishte gjuha e mitingjeve, demonstratave dhe protestave.

E dyta është gjuha e opozitës. Gjuha e opozitës është një retorikë që mbetet brenda sistemit dhe nuk pretendon të ndërtojë diçka, por thjesht kritikon pushtetin, administratën dhe njerëzit me poste drejtuese. Si shembull për këtë mund të japim ata që ankohen e qahen vazhdimisht në marrëdhëniet shoqërore apo në institucionet publike, si dhe forcat politike që vetëm kritikojnë pa ofruar asnjë zgjidhje. Qasjet vetëm kritike mund të shkojnë nga kritikat jofunksionale deri në kritikat subversive. Por kur ato bëhen duke ofruar një zgjidhje ose kur janë konstruktive, kritikat kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e individëve dhe institucioneve.

E treta është gjuha e pozitës ose pushtetit. Ajo përfshin një gjuhë/retorikë/pozicionim përqafues dhe konstruktiv. Kjo mënyrë pozicionimi mund të konsiderohet jo vetëm për fuqitë politike, por edhe për individët. Disa njerëz ndërtojnë raporte me të tjerët përmes gjuhës së pozitës, jo me atë të rrugës ose kritikës. Ata përpiqen që t’i bëjnë njerëzit që i rrethojnë një pjesë të rrugëtimit të tyre. Përdorimi i një gjuhe më reaksionare dhe më opozitare mund të jetë e zakonshme në vitet e rinisë, sepse rinia është pak “e rrëmbyer”. Por me kalimin e moshës rinore ose rritjen e postit/përgjegjësisë, nga njerëzit pritet më shumë një gjuhë/retorikë/pozicionim pozite. “Kurora rëndon kokën.” Mendohuni për një çast. Mosha ju ka kaluar dhe keni arritur poste të caktuara, por në raportet me njerëzit vazhdoni të përdorni gjuhën e mitingjeve ose të mbani pozicionin e opozitarit kronik pa kontribut në rezultat. Nga njerëzit që kanë arritur një moshë dhe post të caktuar, pritet të jenë më të pjekur, më të matur dhe t’u qasen problemeve me një plan metodik të caktuar. Një gjuhë konstruktive me të tjerët gjithmonë ka dobi për individët, komunitetet, organizatat dhe shtetet që përdorin këtë gjuhë. Mënyra se si pozicionoheni në marrëdhëniet me njerëzit ndikon drejtpërsëdrejti në gjuhën që përdorni.

Krahas tri gjuhëve në fjalë, ekziston edhe gjuha e dallkaukëve që miratojnë vazhdimisht bashkëbiseduesin për një përfitim të caktuar. Por kjo nuk duhet të konsiderohet si gjuhë, sepse nuk prodhon asgjë.

Në krahasim me gjuhën e rrugës dhe atë të opozitës, gjuha e pozitës kërkon një pjekuri dhe përvojë të caktuar. Përdorimi i kësaj retorike kërkon gjithashtu një proces të caktuar. Gjuha e pozitës është një gjuhë që mund të mësohet duke nxjerrë mësime nga gabime të caktuara.

Dakord, po ju si pozicionoheni dhe çfarë gjuhe përdorni kryesisht në jetën tuaj të përditshme?

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme