Koment – Procesi BREXIT

Vlerësim i akademikut turk, Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara...

Koment – Procesi BREXIT

Koment – Procesi i Brexitit

*Can ACUN

Qytetarët e Anglisë në qershor të vitit 2016 me anë të një referendumi popullor vendosën për çështjen e daljes nga Bashkimi Evropian. Pas rezultatit të dalë në favor të ndarjes nga Bashkimi Evropian qeveria angleze zhvilloi negociata me BE-në dhe 27 vendet anëtare të saj. Në fund të procesit, për shkak të të cilit dhanë dorëheqje një numër i madh i ministrave, u arrit në një marrëveshje prej 600 faqesh mes Anglisë dhe Bashkimit Evropian. Teksti i marrëveshjes i miratuar më 25 nëntor gjithashtu duhet të miratohet edhe nga Parlamenti i Anglisë më 11 dhjetor. Në parlamentin britanik, shumë deputetë kanë deklaruar se nuk e miratojnë marrëveshjen dhe nuk do të japin pëlqimin e tyre, ndërsa shumica e nevojshme për miratimin e marrëveshjes tani është vënë në rrezik.          

Nëse marrëveshja midis palëve nuk nënshkruhet dhe miratohet nga Parlamenti deri në datën e daljes nga Bashkimi Evropian, atëherë Anglia do të ketë një dalje të vështirë nga BE-ja. Për të parandaluar këtë situatë, një hap i rëndësishëm u hodh me tekstin e marrëveshjes të arritur mes qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të udhëhequr nga Kryeministrja Theresa May dhe Bashkimit Evropian. Megjithëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian shprehën pikëllimin e tyre për largimin e Britanisë së Madhe, ata folën edhe për lehtësinë nga arritja e marrëveshjes. Sidomos për të parandaluar ndarjen e vendeve të tjera pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, shihet se ata i kushtuan vëmendje të veçantë privimit të konsiderueshëm të Mbretërisë së Bashkuar nga avantazhet e Bashkimit Evropian.

 

Spanja ka qenë vendi që ka kundërshtuar më së shumti marrëveshjen e Brexitit midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Vendndodhja e rajonit të Gjibraltarit në Spanjën jugore ka çuar në kërcënimin me veto të qeverisë spanjolle. Ndonëse Gjibraltari është i lidhur me Britaninë që nga viti 1713, qeveria spanjolle vazhdon të pretendojë të drejta mbi këtë rajon. Përcaktimi i kalimeve kufitare ndërmjet neneve të marrëveshjes së Brexitit do të ndikojë Spanjën në pikën e Gjibraltarit. Më pas, qeveria spanjolle drejtoi kundërshtimet e saj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe, pas marrjes së garancive të dëshiruara për Gjibraltarin, hoqi dorë nga përdorimi i të drejtës për veto.

 

Një tjetër kufi tokësor që do të formohet me ndarjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian është ai midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Palët, të cilët nuk duan një kufi të vështirë midis dy rajoneve, vendosën të zbatojnë një periudhë tranzicioni deri në vitin 2020 dhe të gjejnë një zgjidhje specifike për Irlandën. Në këtë kontekst, Britania e Madhe do të marrë pjesë në bashkimin doganor në periudhën e tranzicionit, por nuk do të ketë të drejtën e fjalës në Bashkimin Evropian.

Edhe pse marrëveshja e Brexitit e arritur midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian ka potencialin që sipas të gjitha gjasave të pengohet me një pengesë të madhe siç është parlamenti britanik, në përgjithësi përbën një risi nga disa aspekte. Marrëveshja e Brexitit, e cila nuk ka shembull tjetër, mund të shërbejë si një shembull jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për vendet që nuk janë pjesë e Unionit. Në këtë kontekst, në rast se vjen deri tek bllokimi gjatë procesit të anëtarësimit në BE të vendeve kandidate si Turqia dhe vendet e Ballkanit, si shembull mund të merret marrëveshja mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian për të formuar një partneritet tjetër.

Nga ana tjetër, fakti që Britania po largohet nga Bashkimi Evropian do të ketë shumë ndikime gjeostrategjike. Në sferën e ndikimit të Rusisë kundër BE-së në Evropën Lindore, Bashkimi Evropian, i cili humbi një vend të rëndësishëm si Anglia, do të jetë në një pozicion më të dobët se më parë. Për më tepër, në një periudhë të diskutimit të Ushtrisë Evropiane, ndarja e një vendi me ushtrinë më të fortë në Evropë nga Bashkimi Evropian, si Britania, do të forcojë shqetësimet dhe dyshimet për idenë e Ushtrisë Evropiane. Nga ana tjetër, me ndarjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, baraspesha e forcave dhe e aleancave në Evropë mund të ndryshojë. Ndërkohë që Bashkimi Evropian dikur si fqinjë kishte Rusinë, Afrikën dhe Turqinë, me ndarjen e Anglisë ajo do të ketë një fqinjë të ri.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara



Lajme të ngjashme