ShBA – Ish-kongresmeni i lidhur me FETO dënohet me 10 vite burg

Ish-kongresmeni i Teksasit, Steve Stockman, i cili ka edhe lidhje të ngushta me organizatën terroriste FETO është dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me 10 vite burg për 23 vepra penale të ndryshme si: korrupsion, mashtrim dhe evazion fiskal.

ShBA – Ish-kongresmeni i lidhur me FETO dënohet me 10 vite burg

Procesi gjyqësor është zhvilluar në gjykatën Houston të Teksasit dhe Stockman është shpallur fajtor për kryerje të veprave penale; korrupsion dhe mashtrim të përmasave të mëdha dhe harxhim të donacioneve të mbledhura gjatë fushatës zgjedhore për shpenzime personale dhe mbyllje të detyrimeve të fushatës. Në muajin prill kundër Stockman ishin ngritur 24 akuza dhe me përjashtim të njërës, ai u shpall fajtor për të gjitha këto akuza.

Dy ndihmësit e Stockman, Jason Posey dhe Thomas Dodd e kanë pranuar që janë përzier në këto vepra penale.

Departamenti amerikan i Drejtësisë në deklaratën që ka bërë në lidhje me çështjen njofton se ish-kongresmeni Stockman është dënuar për shumë vepra penale si: mashtrim të shërbimit postar, për deklarim të rremë para Komisionit Zgjedhor Federal, për pastrim parash, për përdorimin e donacioneve zgjedhore për shpenzime personale, për deklarim të rremë për të ardhurat tatimore dhe për mbledhje të parave nga institucionet bamirëse me anë të deklarimeve të rreme.

Me këto donacione Stockman ka përndjekur rivalët e tij politikë dhe është përpjekur të pengojë punimet e tyre, thuhet në vijim të të njëjtës komunikatë.

Edhe ndihmësprokurori i Departamentit të Drejtësisë, Brian Benczkowski ka thënë se Stockman ka marrë me qindra-mijëra dollarë donacione nga institucionet bamirëse dhe i ka përdorur këto për interesat e tij politike. Përveç 10 viteve burg Gjykata ka vendosur për Stockman që të rikthejë edhe 1 milionë dollarët që ka marrë nga institucionet bamirëse.

Nga ana tjetër dihet që ish-kongresmeni i Teksasit, Stockman, ka pasur lidhje të ngushta me strukturën FETO, e cila ka ndikim brenda këtij shteti, gjatë kohës që ai ka qenë në detyrë (si kongresmen).

Stockman është parë të marrë pjesë dhe të mbajë fjalime në shumë aktivitete të organizuara nga FETO sidomos në Teksas. Gjithashtu Stockman ka pasur lidhje të ngushta me Kemal (Kevin) Öksüz, ish-kryetarin e Këshillit të Amerikanëve Euroaziatikë “Turkuaz”, një OJQ që ka pasur lidhje të ngushta me FETO-n.

Me ndërmjetësimin e Öksüz, Stockman kishte qenë një ndër pjesëmarrësit në shëtitjen e organizuar në Azerbajxhan në vitin 2013 dhe financuar nga FETO.

Kurse në fillim të këtij viti Departamenti i Drejtësisë kishte nxjerrë urdhërarrest për Öksüz, i akuzuar për 5 vepra të ndryshme penale si: shtrembërim dhe mbulim të të dhënave materiale në lidhje me këtë shëtitje dhe deklarim të rremë para Kongresit amerikan. Më vonë Öksüz ishte kapur në Armeni.

Erivani zyrtar i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së ShBA-së për ekstradim dhe pritet që brenda një kohe të shkurtër autoritetet kompetente armene ta ekstradojnë Kemal Öksüz në Amerikë.



Lajme të ngjashme