Republika Turke e Qipros së Veriut feston 35-vjetorin

Krijimi më 15 nëntor 1983 i Republikës Turke të Qipros se Veriut (RTQV) ka qenë një pikëkthesë e rëndësishme, pasi në këtë datë populli turk i Qipros i shpalli botës se jetën politike do ta vazhdojë duke pasur shtetin e tij.

Republika Turke e Qipros së Veriut feston 35-vjetorin

Republika Turke e Qipros së Veriut feston me ceremoni të ndryshme 35-vjetorin e themelimit të saj.

Krijimi më 15 nëntor 1983 i Republikës Turke të Qipros se Veriut (RTQV) ka qenë një pikëkthesë e rëndësishme, pasi në këtë datë populli turk i Qipros i shpalli botës se jetën politike do ta vazhdojë duke pasur shtetin e tij.

Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut Mustafa Akënxhë (Akıncı) dhe bashkëshortja Meral Akënxhë pritën në Pallatin Presidencial urimet e rastit në kuadër të përvjetorit të republikës.

Në pritje morën pjesë Ndihmëspresidenti i Republikës së Turqisë Fuat Oktaj (Oktay), Kryetari i Parlamentit të Republikës Turke të Qipros së Veriut Teberryken Ulluçaj (Teberrüken Uluçay), Kryeministri Tufan Erhyrman (Erhürman), nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Xhevdet Jëllmaz (Cevdet Yılmaz), nënkryetari i grupit parlamentar të AK Partisë Bylent (Bülent) Turan, nënkryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste Xhelal Adan (Celal Adan), Ambasadori i Turqisë në Lefkosha Ali Murat Bashçeri (Başçeri), ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme si dhe qytetarë.

Ceremonia pastaj vazhdoi përpara Monumentit të Ataturkut në Lefkosha.

Pas vendosjes së kurorave me lule u mbajt qëndrim nderi dhe flamurët u ngritën në shtizë nën shoqërimin e Himnit Kombëtar.

Në Librin e Posaçëm të Monumentit Presidenti Akënxhë la këtë shënim:

“I shtrenjti Ataturk, ja ku jemi përsëri para teje në 35-vjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut. Duke u frymëzuar nga parimet dhe reformat e tua ne do të vazhdojmë të punojmë me përpikëri për të ngritur në nivelin e qytetërimeve bashkëkohore strukturën tonë shoqërore dhe shtetërore; për të ruajtur cilësinë laike që vlerëson shkencën. Pavarësisht të gjitha vështirësive ne do të përpiqemi që Republika Turke e Qipros së Veriut të përparojë e përmirësohet çdo ditë edhe më shumë me ekonominë dhe demokracinë e saj. Të vetëdijshëm se zhvillimi dhe përparimi janë të mundura vetëm në kushtet e paqes, ne do të vazhdojmë të bëjmë realitet  edhe filozofinë tënde kryesore “Paqe në vend, paqe në botë”. Me këto mendime ju evokojmë me respekt e mirënjohje. U prehsh në paqe”.

Kurse ndihmëspresidenti i Republikës së Turqisë, Fuat Oktaj la këtë shënim: “I shtrenjti Ataturk, 35-vjetorin e Republikës Turke të Qipros së Veriut e festojmë me krenari dhe emocion bashkë me vëllezërit tanë turq të Qipros. Populli turk i Qipros e vazhdon me vendosmëri dhe pa u përulur para asnjë vështirësie përpjekjen e tij për barazi dhe liri drejt objektivave që keni treguar ju. Konfirmojmë edhe një herë këtu para jush vendosmërinë e Republikës së Turqisë për të përmbushur si deri më sot edhe në të ardhmen përgjegjësinë tonë tradicionale dhe historike në këtë përpjekje legjitime të turkut qipriot. U prefsh në paqe”.

Me rastin e 35-vjetorit të Republikës Turke të Qipros së Veriut ceremoni festive u organizuan edhe në Girne, Isleke, Gazimagusa, Gyzeljurt (Güzelyurt) dhe Lefke.



Lajme të ngjashme