Koment – Islami Evropian

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Islami Evropian

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në Evropë po zhvillohet tashmë prej kohësh një debat intensiv mbi Islamin Evropian. Edhe pse ky është një debat kryesisht për myslimanët, palët në këtë çështje janë përgjithësisht shtetet dhe institucionet e sigurisë evropiane, akademikët e shkrimtarët perëndimorë.

Thelbësisht, debati në fjalë nuk është i pavend. Përmes proceseve të globalizimit, njerëzimi është përherë e më i ndërthurur dhe së bashku jetojnë identitete, kultura, fe dhe gjuhë të ndryshme. Kjo bashkëjetesë është mjaft e njohur dhe e zakontë për vende si Shteti Osman, por është fare e re për Perëndimin. Ndërkohë që në shekujt e mëparshëm raporti i vendeve perëndimore me ato të besimeve fetare e kulturave të ndryshme ishte një marrëdhënie ndërmjet skllavopronarit dhe skllavit apo shfrytëzuesit dhe të shfrytëzuarit, mund të thuhet lehtësisht se vendet perëndimore janë ballafaquar me dallimet përmes emigrimit të njerëzve nga këto shtete në Perëndim. Kjo është një periudhë në të cilën dallimet e kanë më të vështir për të bashkëjetuar, pasi është njëkohësisht një periudhë shtetkombesh moderne, të centralizuara dhe unitare.

Një kulturë evropiane në harmoni me Islamin

Nëse sot njerëzit me histori, fe dhe kultura të ndryshme jetojnë gjithnjë e më shumë së bashku, është e natyrshme që shtetet, institucionet dhe intelektualët të interesohen për këto çështje në aspektin e rezultateve që mund të prodhojë situata e lartpërmendur. Kjo është mjaft e kuptueshme nëse Islami Evropian nuk ka për qëllim të theksojë praktikat e ndryshme islame që vijnë nga jashtë Evropës, por ato që janë nga vetë Evropa dhe në përputhje me Islamin. Nëse ajo që synohet të shpjegohet me Islamin Evropian është një krahinorizëm i kufizuar në fusha si gjuha, kultura dhe mënyra, kjo është në fakt e parashikuar brenda vetë Islamit. Në këtë kontekst, nocionet dhe praktikat e Islamit në Turqi dhe Islamit në Lindjen e Largët, Lindjen e Mesme apo Ballkan janë njësoj në thelb, me dallime nga njëri-tjetri në masë të caktuar. Rrjedhimisht, është fare afër logjikës që edhe myslimanët evropianë, në vend të një praktike dhe nocioni islam në përputhje me hapësirat gjeografike të origjinës së njerëzve, të nxjerrin në plan të parë një kulturë, mënyrë jetese dhe mendësi evropiane të përshtatshme me Islamin, me kusht që të mos dalë jashtë kornizës islame. Nëse në Turqi apo një vend tjetër s’do të priteshin mirë përpjekjet për të rrënjosur siç janë mënyrën e jetesës, përditshmërinë, praktikat, elementët kulturorë dhe folklorikë, botëkuptimin artistik e letrar të Afrikës, Lindjes së Mesme apo Lindjes së Largët; atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se e njëjta gjë nuk do të pritej mirë as në Evropë. Realisht, kjo s’ndodh sepse këta elementë kulturorë janë të gabuar, por sepse çdo shoqëri është e ndërgjegjshme për ekzistencën e komponentëve të saj kulturorë origjinalë, specifikë dhe tipikë të përshtatshëm me hapësirën gjeografike në të cilën jeton. Përveç kësaj kulture të përbashkët që duhet përvetësuar deri në një masë të caktuar në kontekstin e vendit ku jetohet, sigurisht që komunitete të ndryshme mund të bëjnë përpjekje për të mbajtur gjallë kulturën e tyre në një shoqëri të hapur dhe të civilizuar.

Një kulturë evropiane në përputhje me Islamin është një çështje që duhet të vlerësohet jo vetëm në aspektin e të ardhurve në Evropë, por edhe të Evropës vetë. Kur themi një kulturë evropiane në përputhje me Islamin, e kemi fjalën për domosdoshmërinë e përjashtimit gjithashtu të elementëve të kodifikuar në gjenetikën kulturore evropiane, siç janë racizmi, fashizmi dhe nazizmi.

Në disa raste, theksi mbi Islamin Evropian përdoret gjithashtu për të shprehur se të ardhurit në Evropë nuk kanë vlera universale të tilla si barazia, liria, të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe bashkëjetesa me të ndryshmet. Megjithatë është e mundur të thuhet se vetë evropianët janë larguar më shumë nga këto vlera kohët e fundit. Një qasje që nuk i konsideron refugjatët si njerëz, fryma antimigratore dhe islamofobike në rritje janë ndër të parat që të vijnë në mendje. Sondazhet publike tregojnë qartë se po rritet vrullshëm niveli i frikës së evropianëve nga e ndryshmja dhe i mosdashjes së kolegëve apo fqinjëve ndryshe nga vetja.

Një qasje jo liberale, por sigurimse e Islamit Evropian

Po të shohim artikujt dhe praktikat e shteteve perëndimore, debati mbi Islamin Evropian nuk duket të jetë një debat vlerash, civil dhe kulturor. Vendet evropiane i afrohen këtij debati kryesisht me përmasën e sigurisë. Prandaj edhe këto studime kryhen përgjithësisht jo në aspektin e kulturës, bashkëjetesës, pluralizmit dhe diversitetit, por në kontekstin e sigurisë nga agjenci të inteligjencës dhe institucione të sigurisë.

Nëse ka një problem sigurie, sigurisht që është e natyrshme që ata të marrin masa sigurie. Kjo është e padiskutueshme. Por t’u afrohesh çështjeve civile, sociale, kulturore dhe politike që kanë të bëjnë me miliona njerëz vetëm nga perspektiva e sigurisë, vetëm sa i thellon çështjet. Është më se e arsyeshme dhe e domosdoshme që shtetet të formojnë këshilla për situata të reja të cilat nuk i njohin. Por këto përpjekje duhet të bëhen për të kuptuar situatën, jo për të nënshtruar, transformuar, ndëshkuar. Në vend që të emërojnë emra drejtpërdrejtë dhe kryesisht jo të lidhur me Islamin në krye të këshillave që ata kanë themeluar për këtë arsye – siç janë këshillat islame – shtetet evropiane duhet të inkurajojnë formimin e këshillave të tilla nga myslimanët. Këto aktivitete duhet të kryhen nga organizata më civile dhe jo nga institucione të sigurisë apo agjenci të inteligjencës.

Përgjegjësia e myslimanëve...

Në kontekstin e Islamit Evropian, nuk është një qëndrim moral të thuhet se myslimanët e bëjnë pjesën e tyre dhe të kritikohen vetëm vendet në fjalë. Nëse myslimanët që jetojnë sot në Perëndim kanë probleme me arsimimin, ekonominë, pjesëmarrjen politike, intelektuale dhe akademike, nëse niveli i krimit është i lartë dhe s’kanë kulturë pune të mjaftueshme, atëherë përgjegjësi të mëdha për këto çështje bien gjithashtu mbi supet e vetë myslimanëve dhe organizatave të tyre.

E nevojshme është po ashtu që të theksohen problemet e përfaqësimit dhe shprehjes në vende ku ata jetojnë.

Prej tyre pritet që të bashkëpunojnë më ngushtë, të krijojnë raporte të drejtpërdrejta dhe të hapura me autoritetet e vendit përkatës duke punuar fort për të larguar klimën e frikës, qoftë kjo e krijuar vetvetiu nga rrethanat apo me dorën e njeriut.

Çfarë fitimi ka Evropa nga një Islam pa shoqërizim?

Ajo çfarë segmente të caktuara duan të arrijnë me Islamin Evropian është aspirata për një Islam apo mysliman të zhveshur nga të gjitha pretendimet e tij në lidhje me shoqërinë, familjen dhe njeriun. Ndërkohë që në Evropë familjet e shkatërruara, fëmijët e braktisur, marrëdhëniet homoseksuale, incesti dhe përdorimi i drogës janë fenomene kaq të përhapura saqë s’mund të krahasohen me pjesën tjetër të botës. Sa u përket vlerave sociale, Evropa po kalon një periudhë epshore të shfrenuar, ku po humbet me shpejtësi çdo gjë njerëzore dhe marrëdhëniet seksuale të ligjshme apo normale janë të pamjaftueshme për njerëzit, për shkak të nivelit të lartë të mirëqenies ekonomike. Vlerat islame janë ndoshta bastioni i fundit ende i papushtuar në këtë aspekt. Prandaj një myslimanizëm pa pretendimet e tij rreth shoqërisë, familjes dhe njeriut vetëm sa përshpejton rënien e Evropës.

Të krishterët dhe hebrenjtë duhet gjithashtu të mbështesin myslimanët

 Kemi parë në procese të ngjashme të judaizmit dhe krishterimit se një myslimanizëm i tillë nuk do të sillte asnjë përfitim. Unë mendoj që të krishterët dhe hebrenjtë janë gjithashtu të shqetësuar nga një erozion kaq i madh i vlerave shoqërore, nga degjenerimi moral dhe nga egoizmi ekstrem. Po kështu jam i bindur se ka edhe shekullarë që janë të shqetësuar nga zhdukja e plotë e vlerave më njerëzore. Edhe ata duhet të reagojnë ndaj zhdukjes së këtyre vlerave, të cilat janë në thelb të qenësishme edhe për krishterimin, edhe judaizmin.

Myslimanët evropianë duhet të dominojnë agjendën e tyre

Mbi të gjitha, vetë myslimanët duhet të dominojnë agjendën e tyre edhe në Afrikë, edhe në Amerikë, edhe në Kinë, edhe në Indi, edhe në Lindjen e Mesme dhe natyrisht në Evropën e temës sonë. Por si? Le të vazhdojmë javën e ardhshme...

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme