Koment - Procesi i Soçit dhe vendosja e raketave S-300 në Siri

Marrëveshja e Soçit parandaloi një fatkeqësi të mundshme humanitare në Idlib, kurse rrija e kapacitetit të regjimit të Esadit me raketat ruse S-300 ka potencial të ndikojë jo vetëm Izraelin, por të gjithë aktorët që përdorin hapësirën ajrore të Sirisë.

İdlib mutabakat.jpg
idlib agir silahlar.jpg
idlib.jpg
s-300.jpg
rusya uçak.jpg
idlib.jpg

Procesi i Soçit dhe vendosja e raketave S-300 në Siri

-Nga Can ACUN*

Në periudhën që lamë prapa në Siri kanë ndodhur shumë zhvillime të rëndësishme. Një sulm i mundshëm në Idblib nga ana e regjimit të Esadit, me mbështetjen edhe të Rusisë dhe Iranit, u pengua me qëndrimin e vendosur të Turqisë dhe në Samitin e Soçit u nënshkrua memorandumi ndërmjet Turqisë dhe Rusisë. Marrëveshja e Soçit nga njëra anë e mbrojti Idlibin, ku jetojnë më shumë se 3 milionë civilë, nga një sulm i mundshëm dhe krizë njerëzore, kurse nga ana tjetër i ngarkoi palës ruse dhe turke detyra dhe përgjegjësi të caktuara. Sipas marrëveshjes së arritur (në Soçi) do të krijohet një zonë e çarmatosur me gjerësi 15-20 km; kurse autostradat M4 dhe M5 do të hapen për tregtinë e lirë; ushtarët turq dhe rusë do të patrullojnë në të dyja anët e vijës së frontit, dhe dronët turq dhe rusë do të kryejnë aktivitet vëzhgues mbi qytetin e Idlibit. Një zhvillim tjetër i rëndësishëm që ndodhi gjatë kësaj kohe ishte edhe rrëzimi gabimisht i avionit rus IL-200 nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore të regjimit të Esadit gjatë sulmeve ajrore të Izraelit në Siri. Për rrëzimin e avionit të saj Rusia akuzoi Izraelin, kurse Tel-Avivi zyrtar fajin ia hodhi paaftësisë së regjimit të Esadit. Si reagim ndaj këtij incidenti Rusia i dorëzoi regjimit sirian sistemin e mbrojtjes kundërajrore të pajisur me raketat S-300.

 

Turqisë dhe Rusisë u takojnë detyra të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Soçi për rajonin sirian të Idlibit. Zbatimi i marrëveshjes në fjalë për Turqinë bart me vete edhe disa rreziqe dhe vështirësi. Por nga ana tjetër Turqia ka në dorë edhe disa instrumente për sa i takon jetësimit të Marrëveshjes së Soçit. Ajo që paraqet më shumë rrezikshmëri dhe vështirësi për Turqinë, është prania e grupeve radikale në rajonin e Idlibit. Në bazë të Marrëveshjes së arritur në Soçi organizatat radikale të tilla si, “Heyet Tahrir us-Sham” duhet ti japin fund pranisë së tyre në rajonin e çarmatosur. Ndërkohë që Turqia nga njëra anë bën lëvizjet e nevojshme në këtë drejtim, nga ana tjetër ajo është e detyruar që të krijojë presionin e duhur përmes opozitës siriane, që e mbështet atë në terren.

Sipas Marrëveshjes së Soçit, duhet që opozitarët sirianë armatimin e rëndë që kanë të dislokuar në zonën e çarmatosur ta tërheqin në brendësi të Idlibit. Në fakt, me nismat e autoriteteve turke opozitarët sirianë tanket, raketahedhësit, mortajat dhe artilerinë e tyre i kanë tërhequr nga vija e frontit në pjesët e brendshme të Idlibit. Kurse prania ushtarake e opozitarëve në skalionet e mbrojtjes që kanë krijuar kundër një sulmi të mundshëm të regjimit vazhdon siç ka qenë. Përveç raketave të telekomanduara antitank, armatimit të lehtë dhe me rreze të mesme veprimi, në zonën e çarmatosur vazhdojnë të qëndrojnë ende edhe armë të kalibrit 23mm dhe 57mm. Në këtë kontekst do të ishte më mirë që zonën e çarmatosur ta emërtojmë si zonë të pastruar nga armët e rënda ofensive.  

 

Pas Marrëveshjes së Soçit, që u firmos ndërmjet Rusisë dhe Turqisë në qytezën turistike ruse në Detin e Zi, Soçi, morën fund sulmet ajrore kundër Idlibit, dhe u rigjallërua sërish jeta e përditshme për civilët. Sipas raportimeve të burimeve lokale, në veçanti si rezultat i arritjes së kësaj marrëveshjeje nisën të kthehen në shtëpitë e tyre rreth 60 mijë civilë, të mërguar këta nga zonat rurale të Hamës Veriore. Falë suksesit diplomatik të Turqisë, më shumë se 3 milionë njerëz shpëtuan jetën dhe pasurinë e tyre. Turqia fitoi kështu një fitore të madhe në emër të njerëzimit.

 

Nëse do të kalojmë tek zhvillimi tjetër i rëndësishëm, pas rrëzimit të avionit të Rusisë, autoritetet ruse bënë deklarata të ashpra dhe plot akuza në adresë të Izraelit. Por deklaratat që erdhën më pas nga Moska ishin më të përmbajtura. Edhe pse tensioni ndërmjet Izraelit dhe Rusisë nuk u shndërrua në krizë, Rusia ia ngushtoi Izraelit hapësirën ajrore të veprimit në Siri nëpërmjet Sistemit të Mbrojtjes Kundërajrore (me raketat) S-300 që i dorëzoi regjimit të Esadit. Për një kohë të gjatë Izraeli realizonte operacione ajrore kundër prezencës iraniane dhe të Hizbullahut brenda në Siri duke përdorur hapësirën ajrore siriane. Mos-angazhimi asnjëherë i sistemeve ruse të mbrojtjes kundërajrore ndaj avionëve izraelitë dhe pamjaftueshmëria e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore të regjimit (të Esadit) bënin të mundur që Izraeli ti realizonte me lehtësi këto operacione.  

Edhe pse dorëzimi i Sistemeve të Mbrojtjes Kundërajrore S-300 që Rusia i ka dhënë Sirisë në pamje të parë lexohet në aspektin e kapacitetit të Izraelit për të kryer operacione ajrore, sistemet antiraketore S-300 do të kenë patjetër edhe ndikime të tjera. Në varësi të zhvillimeve që do të ndodhin në të ardhmen, në një situatë të mundshme, regjimi i Esadit me sistemet e reja të mbrojtjes kundërajrore (sistemi rus S-300) do të jetë në një pozitë më të fortë në krahasim me të kaluarën, jo vetëm kundër Koalicionit Ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), por edhe ndaj Forcave Ajrore Turke. Një rritje e tillë e kapacitetit të regjimit ka potencial do të ndikojë jo vetëm Izraelin, por të gjithë aktorët që përdorin hapësirën ajrore të Sirisë.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 


Lajme të ngjashme