OKB bën apel për zbatimin e marrëveshjes së Soçit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjatë një konference shtypi në selinë e OKB-së në prag të mbledhjeve vjetore bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar me udhëheqësit botërorë duke paralajmëruar se sistemi shumëkombësh është në rrezik.

OKB bën apel për zbatimin e marrëveshjes së Soçit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjatë një konference shtypi në selinë e OKB-së në prag të mbledhjeve të Sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të fillojnë më 25 shtator, bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar me udhëheqësit botërorë duke paralajmëruar se sistemi shumëkombësh është në rrezik.

Guterres la pa përgjigje një pyetje lidhur me atë se “Po e kërcënon apo jo Presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA) Donald Trump sistemin shumëkombësh?”, por tha se në fjalimin që do të mbajë javën e ardhshme drejtuar liderëve botërorë do të theksonte nevojën e mbrojtjes së sistemit shumëkombësh.

Duke vlerësuar Marrëveshjen e Soçit (Turqi-Rusi) për mbrojtjen e armëpushimit në Idlib, Guterres tha: "Nëse do të zbatohet plotësisht marrëveshja e arritur ndërmjet Presidentit të Turqisë, Erdoan, dhe atij të Rusisë, Putin, për krijimin e një zone tampon të çmilitarizuar në Idlib, mund të shpëtojnë nga katastrofa 3 milionë civilë, 1 milionë prej tyre fëmijë”.

Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen fuqishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Soçit, mbrojtjen e civilëve, sigurimin e qasjes humanitare (dërgimin e ndihmave) dhe përparimin e procesit të Gjenevës.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres përsëriti mbështetjen e tij për marrëveshjen bërthamore të Iranit, e cila pritet të vihet në shënjestër nga Presidenti i ShBA-së Trump javën e ardhshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në lidhje me ndërprerjen e mbështetjes financiare amerikane (ShBA) në Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Guterres tha se për këtë agjenci (UNRWA) ka fonde shtesë, ndërsa shtoi se OKB-ja është e vendosur për ti hapur shkollat e mbështetura nga organizata edhe nëse nuk do të ketë asnjë garanci për transferimin e burimeve deri në fund të periudhës.

 


Lajme të ngjashme