Avioni rus është rrëzuar nga sistemi (rus) S-200

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se avioni ushtarak i Rusisë, i cili u zhduk mbrëmë nga radari në Siri, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore (me raketa) S-200 të Sirisë për shkak të sulmeve të Izraelit.

Avioni rus është rrëzuar nga sistemi (rus) S-200

Në një deklaratë të Ministrisë thuhet se avioni ushtarak rus, tip IL-20 dhe që ishte zhdukur të hënën në mbrëmje nga radari ndërsa ishte duke fluturuar me 14 ushtarë në bord afër bazës ajrore Hmejmim, është goditur nga një raketë e lëshuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit, S-200.

Sipas deklaratës në fjalë pilotët izraelitë e kanë përdorur avionin rus si mburojë, duke e tërhequr atë në zonën ku ndodhej sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Sirisë.

“Avioni ynë IL-20 është goditur nga sistemi S-200 (i Sirisë)”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov.

“Ne e vlerësojmë si një veprim armiqësor këtë provokim të Izraelit. 14 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të ushtarëve izraelitë. Kjo është kategorikisht kundër frymës së marrëdhënieve Rusi-Izrael”,- shtoi Konashenkov.

Në një deklaratë të mëhershme Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se avioni ushtarak rus tip IL-20 ishte zhdukur nga radari ndërsa ishte duke fluturuar me 14 ushtarë në bord mbi Mesdhe në rrugën e kthimin në bazën e nisjes Hmejmim në Siri.

Avioni ishte zhdukur gjatë sulmit të 4 avionëve izraelitë, F-16 në qytetin Latakia të Sirisë.

 


Lajme të ngjashme