ShBA: Në Idlib janë bërë më shumë se 100 sulme ajrore

Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kombet e Bashkuara (OKB), Nikki Haley tha se Rusia dhe regjimi i Esadit kanë kryer më shumë se 100 sulme ajrore në Idlib.

ShBA: Në Idlib janë bërë më shumë se 100 sulme ajrore

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mblodh të martën me kërkesë të Rusisë për të vlerësuar përfundimet e samitit trepalësh, që u mbajt të premten e kaluar në Teheran me pjesëmarrjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), Kryetarit të Shtetit të Rusisë Vladimir Putin dhe Presidentit të Iranit, Hasan Ruhani, si dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në Idlib.

Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kombet e Bashkuara (OKB), Nikki Haley në fjalën që mbajti në këtë mbledhje tha: “Rusia, Irani dhe regjimi i Esadit nuk po angazhohen me zgjidhjen politike. Turqia këtë gjë e mësoi javën e kaluar; ajo kërkoi armëpushim, por Rusia me Iranin nuk e pranuan këtë propozim të Turqisë”.

Kurse Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebezia e informoi Këshillin mbi përfundimet e samitit të Teheranit (Turqi-Rusi-Iran).

 

“Në Idlib ndodhen me dhjetëra-mijëra pjesëtarë të Al Nusrës dhe organizatës terroriste DAESH. Rusia me Iranin dhe Turqinë deklaruan (në samit) se ndajnë të njëjtin mendim për sa i takon pastrimit të të gjitha mbetjeve terroriste në Siri”,- tha ambasadori rus në OKB.

Në Siri nuk ka alternativë tjetër përveç zgjidhjes politike”,- vazhdoi Nebenzia, duke shtuar se “ka nevojë për të bërë një ndarje urgjente mes opozitarëve të armatosur, që janë për zgjidhjen politike dhe terroristëve, dhe kjo thirrje u drejtohet të gjithë anëtarëve të shoqërisë ndërkombëtare”.

Nebenzia sqaroi se tre vendet garantuese të procesit të Astanës vazhdojnë të konsultohen me Përfaqësuesin Special të OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura për krijimin brenda një kohe të shkurtër në Gjenevë të komitetit që do të përgatisë kushtetutën e re siriane.

Në samitin e Teheranit u trajtua edhe çështja e rindërtimit të Sirisë dhe kushtet janë të përshtatshme për ta bërë këtë,- tha në vazhdim të fjalës së tij ambasadori i Rusisë në OKB, ndërsa shtoi se në Siri ka nevojë për ndihma humanitare, pastrimin e minave dhe rindërtimin e infrastrukturës, por Perëndimi vazhdon të bëjë “shantazh politik” në këtë drejtim.

Një çështje tjetër që u bisedua në samitin trepalësh të Teheranit ishte edhe ajo e rikthimit të refugjatëve sirianë në vendin e tyre,- tërhoqi vëmendjen Nebenzia dhe shtoi: “Siç jeni në dijeni, qeveria siriane ka dhënë garanci lidhur me sigurinë. Ne po punojmë bashkë me Turqinë dhe Iranin për organizimin e një konference ndërkombëtare për rikthimin e refugjatëve sirianë”.

Nebenzia tha gjithashtu se takimi i radhës i tre vendeve garantuese të Procesit të Astanës do të mbahet në Rusi.

Sipas agjencisë së mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha) të paktën 30 civilë janë vrarë në Idlib dhe Hama dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të regjimit dhe avionëve luftarakë rusë që nga fillimi i shtatorit.

OKB njoftoi të hënën se të paktën 30.000 banorë të Idlibit janë zhvendosur në nëntë ditët e para të këtij muaji për shkak të ofensivës ajrore, që avionët e regjimit të Esadit dhe ata rusë kanë ndërmarrë në këtë rajon.  

Kurse javën e kaluar, OKB-ja paralajmëroi për pasojat e një ofensive në Idlib, e cila ndoshta do të shkaktonte "katastrofën më të keqe humanitare të shekullit të 21-të".



Lajme të ngjashme