Koment – Nyja e Idlibit

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara...

Koment – Nyja e Idlibit

Koment – Nyja e Idlibit

*Can ACUN

Gjatë luftës civile që vazhdon në Siri prej vitit 2011 e këtej, qyteti i Idlibit është bërë bastion i opozitarëve sirianë. Ky rajon i opozitarëve të regjimit të Esadit, që krahas Idlibit përfshinë edhe pjesët perëndimore dhe jugore të Halepit si dhe pjesët veriore të Hamas dhe të Malit Turkmen të Latakiyes, është bastion i fundit që ndodhet në duart e tyre. Humbja e Halepit, Gutës Lindore, Deraas, Kuneytras dhe pjesës veriore të Humusit nga ana e opozitarëve bëri që ekzistenca e tyre në Idlib të jetë më e rëndësishme. Në kuadër të procesit të Astanës, rajoni i Idlibit që numëron rreth 3 milionë banorë ishte përfshirë në zonat e deeskalimit. Ndërkaq 12 pikat e vrojtimit të ngritura në kuadër të marrëveshjes së arritur në Astanë mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit janë shumë të rëndësishme nga aspekti i fatit të këtij rajoni.

 

Në rajonin e Idlibit herë pas here po jetohen konflikte mes grupeve të armatosura opozitare. Krahas ndasisë ideologjike ata gjithashtu janë zvarritur në luftën për pushtet. Parë nga aspekti i zhvillimeve të fundit në Idlib mund të bëjmë fjalë për grupe të mbledhura nën dy çatitë kryesore dhe ato të Hayat-u Tahrir-u Sham dhe të Frontit Nacionalçlirimtar. Ndërkohë që grupi Hayat-u Tahrir-u Sham nuk ka qenë i përfshirë në procesin e Astanës, Fronti Nacionalçlirimtar ka qenë pjesë e tij.

Në këtë rajon ndodhen edhe grupet radikale, të cilat regjimi dhe aleatët e tij i përdorin si pretekst për sulme. Ndërkaq Turqia me manovra politike bën përpjekje për ti larguar këto grupe. Edhe pse rajoni i Idlibit në kuadër të procesit të Astanës ishte shpallur zonë e deeskalimit, regjimi dhe aleatët e tij shtuan retorikat se do të mund ta marrin drejtpërdrejt në objektiv këtë rajon në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një operacion i mundshëm ushtarak ndaj Idlibit përbën rrezik të madh nga aspekti i Turqisë. Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura në një deklaratë të bërë ka thënë që në qoftë se në Idlib përsëritet skenari i njëjtë sikurse ai në Gutën Lindore, situata humanitare në këtë rajon do të jetë 6 herë më e rëndë se ajo në Gutë. Shkatërrimi i elementëve opozitarë në Idlib dhe rrethinë do të paraqet drejtpërdrejt një realitet kërcënues edhe ndaj zonave të Afrinit, Azezit, Al-Babit, Xherablusit të dominimuara nga ana e Turqisë.

 

Parë nga kapaciteti ushtarak i regjimit për një operacion të mundshëm gjithëpërfshirës ndaj Idlibit mund të themi se ai mund të realizohet vetëm me miratimin dhe pjesëmarrjen e Rusisë. Pozitat aktuale e Turqisë dhe Rusisë në terren dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tregojnë se mundësia që Moska të hedh një hap të tillë, i cili do të kërcënonte drejtpërdrejtë Ankaranë është e dobët.

Mirëpo sulmet ajrore të ndërmarra ndaj këtij rajoni do të dobësojë besimin e marrëveshjes së arritur me procesin e Astanës dhe do të destabilizojë rajonin. Parashikohet që regjimi dhe milicët aleatë të tij, të testojnë funksionin parandalues të pikave të vrojtimit të Turqisë përballë ndonjë operacioni të mundshëm ndaj Idlibit. Kështu që 12 pikat e vrojtimit të ngritura nga ana e Turqisë parandalojnë marrjen në objektiv të këtij rajoni nga toka.

Kapaciteti ushtarak i regjimit për të ndërmarrë një operacion gjithëpërfshirës ndaj Idlibit është i pamjaftueshëm dhe në këtë kontekst duket se është i lidhur plotësisht për Rusinë dhe Iranin. Mund të themi se vendimi për të sulmuar Idlibin nga ana e regjimit të Esadit, i cili është nën ndikimin e Rusisë, nuk do të mund të realizohet pa miratimin e Rusisë dhe Iranit. Ky sulm mund të realizohet vetëm me miratimin dhe mbështetjen gjithëpërfshirëse të Rusisë.

Turqia me anë të negociatave që do ti zhvillojë me Rusinë për Idlibin bën përpjekje për ti shpëtuar afërsisht 3 milionë civilë nga një dramë e madhe humanitare. Ndërkaq Turqia me qëllim të ndalimit të sulmeve    ajrore të forcave ajrore të Rusisë dhe regjimit bën përpjekje me rrugë diplomatike për ti ulur në minimum këto sulme pasi që ndalimi i plotë i tyre në hapësirën ajrore siriane nuk është i mundur. Gjithashtu duhet të parandalohen pretekstet e Rusisë dhe regjimit për sulme ajrore duke e ulur praninë e grupeve radikale në Idlib.

 

Ndërkohë që mbledhja e opozitarëve nën një çati nga ana e Turqisë është e rëndësishme për dhënien fund të konflikteve dhe arritjen në rezultate të procesit të Astanës, në anën tjetër është e dobishme që të ndalen edhe sulmet ajrore të regjimit dhe aleatëve të tij ndaj Idlibit. Mirëpo duket që regjimi dëshiron që nga aspekti ushtarak ti eliminojë opozitarët në Idlib dhe të neutralizojë plotësisht opozitën dhe forcat revolucionare. Hartimi i një kushtetute të re që po zhvillohet në kuadër të proceseve të Astanës dhe Soçit dhe hapat tjera përkatëse që do të hidhen janë elemente të nevojshme për të vazhduar presionet ndaj regjimit. Nga aspekti i Turqisë mbrojtja e Idlibit paraqet edhe mbrojtje nga dyndja e mundshme e refugjatëve, të dominimit në rajonet e spastruara nga terrori me operacionet Mburoja e Eufratit dhe Dega e Ullirit si dhe të mundësisë për të drejtë fjale në negociatat në lidhje me të ardhmen e Sirisë dhe në luftën kundër organizatës separatiste terroriste PYD/YPG, fraksionit të PKK-së në Siri.    

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA)



Lajme të ngjashme