Koment – A mjafton vetëm pozicionimi/vizioni i duhur?

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – A mjafton vetëm pozicionimi/vizioni i duhur?

Koment – A mjafton vetëm pozicionimi/vizioni i duhur?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në artikujt tanë të mëparshëm kemi tërhequr vëmendjen se qasja dhe pozicionimi në raport me faktet, konceptet e problemet me të cilat përballemi, duke përfshirë këtu edhe Perëndimin, duhet të bëhen me vetëbesim, në mënyrë analitike, pa iu dorëzuar psikologjisë së humbjes dhe në kuadër të normave të përgjithshme të vlerave që ne zotërojmë.

Dakord, por a mjafton vetëm pozicionimi, vizioni i duhur? Vallë a mund të zgjidhen të gjitha problemet vetëm me një këndvështrim adekuat?

Pozita, largpamësia dhe perspektiva e saktë janë pa dyshim elementët ndoshta më themelorë në zgjidhjen e problemeve apo arritjen e objektivave të çdollojshme. Sepse në rast se nuk shkojmë në drejtimin e duhur, ne s’mund të mbërrijmë kurrë në vendin e synuar edhe sikur gjërat t’i bëjmë për së mbari. Nga ana tjetër, të mos kesh një objektiv të përcaktuar mirë apo të mos njohësh synimin është një gabim të paktën po aq madhor sa edhe objektivi i gabuar. Anijen pa busull nuk mund ta ndihmojë asnjë erë. Prandaj është e kotë të diskutojmë mbi nevojën e përvetësimit fillimisht të një pozicioni, perspektive të duhur karshi të gjitha fakteve, proceseve dhe koncepteve me të cilat përballemi në jetë. Por a mjafton vetëm pozicionimi i saktë pa bërë asgjë tjetër? Kjo është çështja mbi të cilën duhet të ndalemi. Sepse në të shumtën e rasteve gjykohet se janë të mjaftueshme vetëm debatet intelektuale dhe akumulimi mendor. Shpeshherë debateve intelektuale që bëhen brenda grupeve në vogla në qoshet e kafeneve, rrahje mendimesh këto që nuk nxisin një punë konkrete apo prodhim të dukshëm, u ngarkohet kuptim i tepruar. A mund të zgjidhen problemet e botës islame vetëm duke menduar në mënyrën e duhur? Sa larg mund të shkohet vetëm me mendime?

Idetë dhe mendimet janë të çmuara, helbete. Pikërisht mendimet janë ato që kanë ndryshuar historinë e njerëzimit në terma kohorë afatgjatë. Këto mendime, megjithatë, janë ide që vihen në praktikë dhe nuk mbeten në nivelin teorik. Nuk janë mendimet tona abstrakte ato që trajtësojnë jetën, por hapat konkrete që ndërmarrim në këtë drejtim.

Edhe sikur të kemi pozicionin dhe vizionin e duhur, çfarë mund të ndryshohet vetëm me vizion nëse nuk bëjmë përpjekje për të ndryshuar diçka në kuadër të këtij vizioni, nëse vizioni ynë nuk sjell ndryshim për disa gjera konkrete përreth nesh dhe në mjediset ku ne jetojmë, duke filluar nga vetja jonë? Mund të kemi një vizion të mrekullueshëm, por s’mund të arrijmë kurrgjë nëse vazhdojmë të qëndrojmë duarkryq. Ndaj mashtrojmë veten nëse mendojmë se gjërat do të ndryshojnë vetëm me debate intelektuale, me ide dhe mendime që nuk konkretizohen apo me qasje të cilat nënvleftësojnë praktikën.

Nga ana tjetër, një temë debati më vete është edhe ajo se sa i përshtatshëm mund të jetë një produkt i trurit të mbyllur në kulla të fildishta apo në një geto të veçuar duke qenë krejt i shkëputur nga jeta. Mendimet e fabrikuara në kulla të fildishta, në mënyrë të veçuar e të shkëputur nga praktika dhe përvoja jetësore, shpeshherë mund të sjellin me vete edhe dëme të shumta. Historia, fatkeqësisht, është e mbushur fytas me gabime të shkaktuara nga kësisoj idesh të prodhuara shkëputurazi nga eksperienca jetike. Një vizion, paradigmë që shpaloset për të përfshirë të gjitha fushat e jetës dhe në një herë të vetme, duke ndalur jetën apo duke qenë krejt i veçuar dhe i shkëputur nga jeta e gjallë e shoqërive njerëzore, mund të prodhojë rezultate të frikshme. Për këtë arsye, një pozicionim apo vizion i duhur mund të ndërtohet ose paraqitet vetëm së bashku me përvojë jetësore, në brendësi të jetës dhe nga jeta. I tillë është edhe zbulimi hyjnor i fesë islame. Procesi i shpalljes së Islamit si fe nuk është realizuar në një herë të vetme dhe në mënyrë abstrakte, por gradualisht, si një praktikë e shtrirë në kohë, në varësi të rrethanave, situatave e ngjarjeve jetësore konkrete.

Pavarësisht nga gjithçka, ne s’jemi sot në një pasiguri të madhe në lidhje me qëndrimin që duhet të mbahet, detyrën që duhet të bëhet dhe rrugën që duhet të ndiqet. Rregullat bazë tashmë dihen. Një prej sfidave më të mëdha sot para nesh rezultojnë veprat tona, të cilat nuk janë në sinkroni me perspektivën e duhur dhe as në përputhje me diskursin tonë. Tjetër sfidë përveç këtyre është mosveprimi ynë, inercia jonë përkundër kërkesave të diskursit tonë; është mosangazhimi ynë në një aktivitet që u përshtatet deklaratave tona.

Mirëpo jeta është besim dhe luftë. Lufta është sfidë, aksion, punë, mund dhe përpjekje. Përpjekja, në kuptimin e luftës si një zhanër i saj, është një situatë rrallëherë e nevojshme sot. Rrjedhimisht, çfarëdo që bëjmë në përditshmëri, ne duhet të përpiqemi dhe të punojmë për më të mirën, më të bukurën, më parimoren, më cilësoren dhe më të drejtën. Pra, nuk mjafton vetëm të tregosh të mirën dhe parimoren, por duhet të luftojmë për këtë në të gjitha fushat me tërë forcën tonë.

Po t’i kthehemi sërish pyetjes që formuluam në fillim të artikullit, pozicionimi ose vizioni i duhur është pa dyshim një kusht i domosdoshëm për arritjen e objektivave të çdollojshme. Sepse perspektiva dhe pozita e gabuar mund të na tërheqë në një kataklizëm larg qëllimit tonë. Pozicionimi i gabuar, sado dashamirës që të jetë, ​​mund të minojë edhe qëllimet më të mira apo ndjenjat më të bukura. Mirëpo as pozicionimi ose vizioni i duhur vetëm s’na shpëton dot. Ne kujtojmë se vizioni ka një motor të integruar dhe pasi vihet në lëvizje avancon drejt synimit në mënyrë të pavarur. Por vetëm një vizion i mirë nuk prodhon rezultat vetvetiu. Vizioni i duhur s’është veçse një fillim. Ato që prodhojnë rezultat janë hapat konkrete me një pozicionim të duhur dhe me një perspektivë të përqendruar te objektivi.

Në rregull, por cilat janë mangësitë tona themelore që ne duhet të kompensojmë dhe që nuk janë në sinkroni me perspektivën e duhur? Vallë mund t’i zgjidhim dot problemet tona duke anashkaluar gabimet tona dhe duke u fokusuar vetëm te gabimet e të tjerëve, edhe pse shumë herë mund të kemi të drejtë? A mund të dalim nga errësira nëse s’grihemi të ndezim një qiri?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve le të jenë tema e artikullit tonë të ardhshëm.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme