Pompeo: Duam që Pheniani të bëjë hapat bazë të denuklearizimit brenda mandatit të parë të Trumpit

Duam që Koreja e Veriut të bëjë hapat bazë të denuklearizimit brenda dy viteve të ardhshme, deklaroi të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo...

Pompeo: Duam që Pheniani të bëjë hapat bazë të denuklearizimit brenda mandatit të parë të Trumpit

Duam që Koreja e Veriut të bëjë hapat bazë të denuklearizimit brenda dy viteve të ardhshme, deklaroi të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

I ndodhur për kontakte zyrtare në kryeqytetin Seul të Koresë së Jugut, Mike Pompeo bëri një vlerësim të përgjithshëm në lidhje me kalendarin e përcaktuar në samitin e Singaporit, ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe liderit koreanoverior, Kim Jong-Un, për çarmatosjen bërthamore.

Shefi i diplomacisë amerikane vuri në pah se administrata e Uashingtonit shpreson që hapat bazë të denuklearizimit të jenë bërë përpara muajit janar 2021, që shënon fundin e mandatit të parë të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Ai këshilloi që të shikohen me skepticizëm lajmet e medias koreanoveriore, e cila pretendon se presidenti amerikan ka pranuar qasjen graduale në çarmatosjen bërthamore, duke nënvizuar se jo çdo gjë e shkruar duhet të merret në konsideratë.

Pasi shpjegoi se bisedimet ndërmjet Uashingtonit dhe Phenianit do të vazhdojnë javën e ardhshme dhe se këtej e tutje procesi do të ndiqet nga ai vetë, Pompeo delegacionet amerikane dhe koreanoveriore do të punojnë për të shënuar më tepër progres.

Sekretari amerikan i shtetit theksoi gjithashtu se Koreja e Veriut ka kuptuar që angazhimet bërthamore, të cilat do të bëhen në ndonjë marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë subjekt i një procesi ratifikimi të plotë.

Pompeo shtoi se stërvitjet e përbashkëta të SHBA-së me Korenë e Jugut do të vazhdojnë nëse Koreja e Veriut ndërpret bisedimet me mirëbesim për programin e saj bërthamor. Sipas tij, Trumpi ia ka bërë të qartë këtë çështje edhe Kimit gjatë takimit historik të 12 qershorit.



Lajme të ngjashme