Francë – CGT dhe FO bëjnë thirrje për greva dhe manifestime në shkallë vendi

Dy sindikatat kryesore të punëtorëve në Francë bënë thirrje të përbashkët për organizimin e manifestimeve dhe aktiviteteve në shkallë vendi më datë 28 qershor, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, pensionistëve, të papunëve dhe studentëve...

Francë – CGT dhe FO bëjnë thirrje për greva dhe manifestime në shkallë vendi
Greva e përgjithshme në Francë
Greva e përgjithshme në Francë

Shumë grupe profesionale kanë shprehur gatishmëri për të shkuar në grevë të përgjithshme si reagim ndaj reformave dhe masave të qeverisë për shtrëngimin e rripit në Francë. Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT), një prej sindikatave më të mëdha të vendit, me mbështetjen edhe të shumë sindikatave të tjera, bëri thirrje për grevë dhe protesta në të gjithë vendin me sloganin "Bashkimi i përpjekjeve".

Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) dhe Forca e Punëtorëve (FO), dy prej pesë sindikatave kryesore në Francë, bënë thirrje përmes një komunikate të përbashkët për organizimin e manifestimeve dhe aktiviteteve në shkallë vendi më datë 28 qershor, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, pensionistëve, të papunëve dhe studentëve.

“Manifestimet dhe aktivitetet në shkallë vendi do të organizohen për të bashkuar profesionet e të gjithë sektorëve në një objektiv të përbashkët. Vlerësimi i situatës do të bëhet në fund të muajit gusht duke siguruar një unitet sa më gjerë dhe pas kësaj date do të përcaktohen hapat që do të bëhen”, thuhet në komunikatën e dy organizatave në fjalë.

Në Francë, miliona njerëz kanë marrë pjesë në grevat dhe manifestimet e organizuara kohëve të fundit kundër reformave dhe politikave shtrënguese të qeverisë.

Kjo është thirrja e parë e përbashkët e CGT-së dhe FO-së që pas grevave dhe manifestimeve të organizuara në Francë kundër draftit për ndryshimin e Kodit të Punës në vitin 2016.

Grevat dhe protestat që po organizohen në Francë prej një kohe, do të përfundonin në fund të muajit qershor, por tashmë ato pritet të vazhdojnë gjatë tërë sezonit të verës për shkak të qëndrimit të Parisit zyrtar.



Lajme të ngjashme