SHBA – Presidenti Trump konfirmon takimin sekret Pompeo-Kim në Phenian

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi të mërkurën se sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, kishte takuar liderin koreanoverior gjatë një vizite të fshehtë në Phenian javën e kaluar, para samitit të parashikuar mes dy liderëve...

SHBA – Presidenti Trump konfirmon takimin sekret Pompeo-Kim në Phenian

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi të mërkurën se sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, kishte takuar liderin koreanoverior gjatë një vizite të fshehtë në Phenian javën e kaluar, para samitit të parashikuar mes dy liderëve.

“Mike Pompeo ka takuar Kim Jong-Un në Korenë e Veriut javën e kaluar. Takimi ka qenë mjaft produktiv dhe janë vendosur marrëdhënie të mira. Detajet e samitit po studiohen. Denuklearizimi do të jetë një ngjarje e madhe për botën, por gjithashtu edhe për Korenë e Veriut”, deklaroi Donald Trump në “Twitter”.

Më herët, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se kontakte në nivele shumë të larta ishin zhvilluar me liderin koreanoverior, Kim Jong-Un.

Sipas ditores “The Washington Post”, ish-kreu i CIA-s, Mike Pompeo, kishte zhvilluar një vizitë të fshehtë në Phenian gjatë pushimeve të pashkëve dhe ishte takuar me udhëheqësin koreanoverior.

CIA nuk është prononcuar në lidhje me këtë zhvillim, por gazeta i referohet dy zyrtarëve të lartë amerikanë si burim për lajmin e saj mbi udhëtimin e Pompeos në Phenian.

Vizita e Mike Pompeos në kryeqytetin koreanoverior rezulton në këtë mënyrë kontakti i parë me nivel të lartë pas atij të vitit 2000 ndërmjet ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe liderit të atëhershëm të Koresë së Veriut, Kim Jong-Il, babai i udhëheqësit aktual, Kim Jong-Un.

Pas takimit të së martës me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, në rezidencën presidenciale në Mara-Lago të Floridës, Presidenti Trump deklaroi gjatë konferencës për shtyp se po priste me padurim ditën që do të takohej me liderin koreanoverior.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi gjithashtu se nuk është marrë ende një vendim i prerë në lidhje me vendin e samitit, që planifikohet të mbahet në fillimit të muajit qershor, duke shtuar se kanë nisur bisedime “të drejtpërdrejta dhe me nivel shumë të lartë” me Phenianin.



Lajme të ngjashme