Koment – Masakrat në shkollat e Amerikës

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Masakrat në shkollat e Amerikës

Koment – Masakrat në shkollat e Amerikës

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Një marshim i quajtur “Marsho për jetët tona” (MarchForOurLives), i cili nisi kohët e fundit në qytetet amerikane e më pas u përhap edhe në vende të tjera, duket se do të kaplojë valë-valë të gjithë botën. Rreth 500 mijë persona morën pjesë në mitingun e mbajtur të shtunën e kaluar në Uashington (DC), në shenjë reagimi kundër masakrave/vrasjeve në shkollat amerikane. Me të vërtetë mbresëlënëse ishte një pankartë me mbishkrimin “Unë s’mund të çoj në shkollë as gjalpë kikiriku. Jo armëve!”, e cila mbahej në duar nga një nxënës i shkollës fillore.

Masakrat në shkolla

Vrasjet në shkollat amerikane po arrijnë çdo ditë e më shumë përmasa të paimagjinueshme. Nxënësit, familjet e tyre dhe njerëzit e matur, me gjykim të shëndoshë, janë duke reaguar me të drejtë dhe organizuar marshime që të merren masat e nevojshme kundër masakrave në fjalë. Së fundmi, 17 fëmijë/nxënës u vranë në sulmin brenda një shkolle në Florida, në shkurt 2018. Precedentë më të rëndë të këtij lloji përbëjnë sulmi i vitit 2012 në Konektikat, ku mbetën të vrarë 26 nxënës, si dhe ai i 2007-s në Virgjinia, me pasojë vdekjen e 32 nxënësve.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dhëna të ndryshme nga burimet në internet zbulojnë se mijëra fëmijë humbasin jetën për shkak të sulmeve të armatosura çdo vit, me një mesatare vdekjesh që luhatet nga 5 deri në 19 fëmijë në ditë. Këto të dhëna theksojnë gjithashtu se niveli i sulmeve në shkollat e SHBA-së është mbi dyfishin e atyre në pjesën tjetër të botës.

Shkalla e vrasjeve në përgjithësi

Masakrat në shkollat amerikane, realisht, mund të shihen e vlerësohen si një komponent i sulmeve të armatosura mjaft të përhapura dhe gati të zakonshme në shkallë vendi. Bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri në 4 kategori të ndryshme: Sulmet dhe përleshjet e armatosura, incidentet me armë, vetëvrasjet dhe sulmet masive. Aktualisht, 92 persona mbeten të vrarë çdo ditë për shkak të sulmeve me armë zjarri në SHBA. Bazuar tek evidencat policore amerikane, 1,5 milionë persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e sulmeve me armë zjarri që nga viti 1970 e deri më sot, shifër kjo më e lartë sesa humbjet e SHBA-së nëpër luftëra. Në vitin 2017, 58 persona janë vrarë me armë zjarri në Nevada. Në 2016-n, 49 të tjerë janë vrarë gjithashtu me armë zjarri në Florida.

Përgjithësisht, vrasjet masive shpjegohen me armëmbajtjen mjaft të përhapur në shoqërinë amerikane. Amerikanët përbëjnë 4,4% të popullsisë botërore, por zotërojnë 42% të armëve individuale në botë. Ndërkaq, 31% e sulmeve masive në mbarë botën ndodhin vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas SHBA-së, vendi me më shumë armë për frymë është Jemeni.

Niveli i kriminalitetit

Krahasuar me të dhënat në pjesën tjetër të botës, mjaft i lartë në SHBA është edhe niveli i kriminalitetit. Sipas statistikave të Zyrës Federale të Hetimeve (FBI), 1 milion e 195 mijë e 704 krime të dhunshme janë kryer në SHBA vetëm gjatë vitit 2016; nga të cilat 71,5% me armë zjarri. Kurse numri i personave të vrarë nga policia në po të njëjtin vit ishte 1 mijë e 152. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po ashtu vendi me shkallën më të lartë të veprës penale të përdhunimit në botë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në SHBA janë regjistruar 90 mijë e 185 raste përdhunimi, ku 62% e viktimave të përdhunimit janë nën 18 vjeç dhe 29% e tyre më të vegjël se 11 vjeç.

Vrasjet kundrejt lirive?

Edhe pse nuk mbulohet shumë nga media, niveli i kriminalitetit është me të vërtetë i frikshëm. Por le të kthehemi sërish tek tema jonë: Masakrat në shkolla. Kur shohim debatet në Amerikë rreth masakrave në shkolla dhe shkallës së vrasjeve në përgjithësi, diskutimet zakonisht bëhen në kontekstin e lirisë kushtetuese të armëmbajtjes. Thuhet se liria e armëmbajtjes është një nga të drejtat themelore dhe të pandryshueshme që Kushtetuta e SHBA-së u garanton amerikanëve.

Amerika është një hapësirë gjeografike e pafundme. Historia e saj është gjithashtu e mbushur me konflikte intensive të shumta, qoftë me lëkurëkuqtë, qoftë edhe brenda vetvetes. Prandaj liria e armëmbajtjes në një shtet të këtillë mund të jetë një debat i arsyeshëm deri diku. Megjithatë trajtësimi i debatit vetëm në boshtin e lirive kushtetuese nuk është një situatë shumë e kuptueshme për pjesën tjetër të botës, atë që nuk i përket shoqërisë amerikane. Sepse debati ka shumë dimensione. Në një vend ku mijëra njerëz vriten çdo vit (me armë zjarri), diskutimi apo vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm në aspektin e lirive kushtetuese do të thotë të bësh vrimë në ujë. Prapëseprapë ne mund të gjejmë në SHBA propozime edhe më të çuditshme, siç është ai i Presidentit Donald Trump: Të armatosim edhe mësuesit! Në fakt, një propozim i tillë u miratua në Parlamentin e shtetit të Floridës. Si mund ta zgjidhë problemin armatosja e mësuesve në një vend, ku mijëra nxënës vriten çdo vit nëpër shkolla, ku tashmë gati të gjithë janë të armatosur? Mos vallë mësuesve do t’u jepen armë më cilësore për të parandaluar sulmet e nxënësve kundër njëri-tjetrit dhe/apo shkollës? Në këtë rast, nëse nxënësit shtien në duar armë më të fuqishme, a do t’u jepen mësuesve armë bërthamore? Apo ndoshta SHBA-ja mendon të aplikojë gjithashtu ndërmjet mësuesve dhe nxënësve brenda vendit garën e armatimit, që ajo zbaton kundër disa shteteve në arenën ndërkombëtare? Kjo është e pashpjegueshme.

Çfarë duhet bërë?

Siç e ka theksuar filozofi dhe eseisti spanjoll, Jose Ortega y Gasset: Qytetërimi material është një problem i vështirë. Në të njëjtin raport me vrullin e zhvillimit rritet edhe rreziku me të cilin ai përballet. Debati rreth masakrave në shkolla dhe shkallës së vrasjeve në përgjithësi duhet me doemos të përjashtohet nga boshti i ndalimit të lirive dhe/ose armëve. Çështja në fjalë ka edhe shumë faktorë të tjerë përveç këtyre. Në disa raste vrasjesh, autorët e krimit publikojnë në mediat sociale të gjithë qartësinë e asaj që do të bëjnë dhe si do ta bëjnë atë. Në këtë kontekst, nevojiten analiza të ndryshme. Andaj konstatimi i profesorit amerikan të kriminologjisë, Adam Lankford, është tepër i çmuar. Lankford këmbëngul se burimi i vrasjeve masive janë kultura amerikane e armëve dhe doktrina, që u injektohet nxënësve, se janë të jashtëzakonshëm dhe se mund të arrijnë gjithçka dëshirojnë. Në veçanti, të rinjtë e rritur pa familje dhe në vakum emocional mund t’iu përvishen kësisoj përpjekjeve për të provuar veten e tyre brenda ngacmimit apo provokimit të kulturës moderne.

Vrasjet masive në SHBA, të cilat rezultojnë me më shumë vdekje sesa sulmet terroriste në shumë vende ose lufta kundër një shteti tjetër, nuk mund të diskutohen vetëm në kontekstin e çarmatimit apo lirive kushtetuese. Për të shpjeguar vrasjet masive në SHBA nevojiten gjithashtu analiza nga perspektiva sociologjike, psikologjike, pedagogjike, patologjike, edukative, kulturore dhe civilizuese. Këtyre analizave u duhet shtuar patjetër edhe nevoja për ushqim shpirtëror, e cila do t’i vinte fre një shoqërie me mirëqenie materiale të lartë. Fakti që njerëzit në një vend gjithnjë e më agresiv në arenën ndërkombëtare kanë nevojë për më pak legjitimitet brenda vendit, është një element tjetër që duhet të shqyrtohet. Pse shoqëria amerikane duhet të armatoset në mënyrë të pakrahasueshme me pjesën tjetër të botës? A është ky pasqyrim i një krize të thellë të sigurisë individuale dhe shoqërore?

Uroj dhe shpresoj që marshimet në SHBA të gjejnë përgjigje, sepse e drejta për të jetuar është më e çmuar se gjithçka tjetër.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme