Sekretari Tillerson akuzon Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus në Angli

I ndodhur për vizita zyrtare në Afrikë, Sekretari Tillerson bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me helmimin e ish-spiunit rus Sergey Skripal në Angli.

Sekretari Tillerson akuzon Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus në Angli

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson mori në shënjestër Rusinë në lidhje me helmimin e ish-spiunit rus në Angli.

I ndodhur për vizita zyrtare në Afrikë, Sekretari Tillerson bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me helmimin e ish-spiunit rus Sergey Skripal në Angli.

“Ne kemi besim të plotë në hetimet që po zhvillohen nga ana e Anglisë dhe në mendimin se Rusia ndodhet prapa këtij sulmi”, bëri të ditur Tillerson dhe vijoi me këto fjalë: “Këto lloj sulmesh nuk kanë kurrfarë legjitimiteti dhe ndërmarrja e një iniciative të tillë nga ana e Rusisë na shqetësoi seriozisht. Me aktet e saj në Ukrainë dhe Siri dhe tani edhe në Angli, Rusia në mënyrë të hapur vazhdon me sjellje që synojnë destabilizimin e botës duke marrë në shënjestër pavarësitë dhe qytetarët e vendeve tjera. Ne kemi rënë dakord me Anglinë që aktorët e kësaj vrasjeje dhe ata që e urdhëruan një gjë të tillë të ballafaqohen me ndëshkime të rënda”.

Ndërkaq Kryeministrja e Anglisë, Theresa May ka informuar deputetët në Parlament në lidhje me materien kimike ndaj të cilës kanë qenë të ekspozuar ish-spiuni rus dhe e bija e tij Yulia.

“Tani është konfirmuar se Skripal dhe e bija e tij janë helmuar me një materie kimike të cilësisë ushtarake që ndikon në sistemin nervor të zhvilluar nga Rusia”, ka thënë Kryeministrja May.

Duke e bërë të ditur se materia kimike në fjalë bën pjesë në grupin e njohur si “Novichok”, Kryeministrja May tha se pas analizave të bëra në laboratorin “Porton Down” në afërsi të qytetit Salisbury, u zbulua se kjo materie kimike ishte prodhuar edhe më herët nga ana e Rusisë dhe se ky vend aktualisht është ende në gjendje për të prodhuar materiale të tilla.

Ndërkaq ambasadori i Rusisë në Londër pretendoi se “akuzat e pabaza” të bëra ndaj vendit të tij kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.



Lajme të ngjashme