Mianmar – Ushtria militarizon fshatrat e shkatërruara të myslimanëve në Arakan

"Amnesty International" ka bërë me dije se Forcat e Armatosura të Mianmarit kanë ndërtuar vendbanime të reja në vendet e fshatrave të shkatërruara të myslimanëve në Arakan dhe kanë militarizuar zonën në një shkallë të frikshme...

Mianmar – Ushtria militarizon fshatrat e shkatërruara të myslimanëve në Arakan

Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (AI - Amnesty International) ka bërë me dije se Forcat e Armatosura të Mianmarit kanë ndërtuar vendbanime të reja në vendet e fshatrave të shkatërruara të myslimanëve në Arakan dhe kanë militarizuar zonën në një shkallë të frikshme.

Në raportin e titulluar "Rindërtimi i provincës Arakan", AI-ja thekson se ushtria e Mianmarit ka pushtuar territoret e komunitetit mysliman rohingian të dëbuar.

Raporti është përgatitur në bazë të imazheve satelitore, deklaratave të dëshmitarëve dhe aktivistëve të organizatave humanitare. Aty potencohet gjithashtu se në janar, ushtria e Mianmarit ka shembur plotësisht me buldozerë fshatrat myslimane dhe ka filluar ndërtimin e vendbanimeve të reja.

Gjithashtu theksohet se ushtria e Mianmarit po ndërton komplekse ushtarake dhe militarizon zonën, ku duhet të kthehen myslimanët e dëbuar.

Drejtoresha e Shtabit të Krizave të AI-së, Tirana Hassan, ka ngritur alarmin se me militarizimin e fshatrave të Arakanit fshihen gjurmët e krimeve mbi popullatën e atjeshme myslimane.

"Forcat që kanë kryer krime kundër njerëzimit mbi popullatën e Arakanit, tani po ndërtojnë baza të reja ushtarake atje. Këto imazhe na largojnë nga mundësia e kthimit vullnetar, të sigurt dhe të ndershëm të refugjatëve të Arakanit", tha Hassan.

Myslimanët rohingianë të Arakanit janë prej vitesh pakica etnike më e rrezikuar në botë, ndërsa nga 25 gushti i vitit të kaluar po përballen me një valë të re të dhunës në provincën Arakan të Mianmarit. 

Nën pretekstin e luftës kundër milicisë dhe grupeve radikale, ushtria e Mianmarit ka shkatërruar qindra fshatra myslimane, nga ku të paktën 700 mijë banorë janë detyruar të ikin në Bangladesh.

Sipas të dhënave zyrtare, afro 2 milionë myslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, ndërsa tano kjo shifër ka rënë nën 350 mijë për shkak të arratisjeve nga sulmet sistematike. OKB-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare shpesh paralajmërojnë se dhuna kundër myslimanëve të Arakanit ka të gjitha elementet e spastrimit etnik, madje dhe të gjenocidit. /AA



Lajme të ngjashme