Koment – Kriza e Evropës

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Kriza e Evropës

Koment – Kriza e Evropës

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Mendohuni për disa çaste! Si do të reagonte bota nëse 5 të krishterë apo hebrenj do të vriteshin duke u djegur në vendin ku ju jetoni? (Në Francë, më datë 2 tetor 2017, 5 myslimanë, 3 prej të cilëve fëmijë turq, humbën jetën duke u djegur për shkak të zjarrvënies.) Çfarë do të bënte bota nëse kishat, sinagogat në vendin tuaj do të digjeshin apo sulmoheshin dhjetëra herë çdo vit? (Në Gjermani, xhamitë janë sulmuar plot 24 herë vetëm gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2015.)

Natyrisht që një ngjarje të këtillë nuk ia urojmë asnjë vendi, sepse vetëm ngritja e kësaj pyetjeje mjafton për t’i shkaktuar dhimbje njeriut. Mirëpo sikur kësisoj ngjarjesh të përjetoheshin në vendin ku ju jetoni, atëherë në të 4 anët e botës do të trumbetoheshin me të madhe pasiguria e vendit tuaj, shkeljet e të drejtave dhe lirive, si dhe kërcënimi që u kanoset mënyrave të ndryshme të jetesës, për t’i ngulitur këto në kujtesën e çdo njeriu. Ndërsa juve do t’ju bënin që të mos ngrinit dot kokën nga turpi. Por mos u shqetësoni, pasi këto incidente nuk kanë të ngjarë në vendin tuaj, por në ato evropiane. Andaj s’jeni në dijeni as ju dhe as bota në përgjithësi!

Një Evropë që prodhon vlera

Evropa nuk ishte kështu deri në një të kaluar të afërt. Sidomos për shkak të përvojave shumë të hidhura të Luftës II Botërore, bëhej fjalë për një Evropë që vinte theksin mbi bashkëpunimin, mirëkuptimin reciprok dhe solidaritetin. Kjo agjendë dhe pikëpamje pozitive solli në jetë Bashkimin Evropian. Falë agjendës pozitive dhe bashkëpunimit, BE-ja përshkoi distanca të mëdha brenda vetes dhe në rajonin e saj gjithashtu në shumë fusha, ku ia vlen të përmenden kapërcimi i qasjeve raciste si fashizmi e racizmi, nxitja e vlerave demokratike, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, zhvillimi i lirive shoqërore dhe ekonomike, etj. Edhe pse sot është duke i konsumuar një për një të gjitha këto vlera, është i pamohueshëm kontributi i BE-së në kaluarën e afërt për vlerat në fjalë. Sado që George Friedman, në librin e tij me titull “Kriza emergjente në Evropë: Vatrat e ndezjes”, e shpjegon suksesin e arritur nga Evropa ndërmjet viteve 1945-1991 jo me vetë Evropën, por me paqen e imponuar për Evropën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia; unë s’kam të njëjtin mendim. Evropës s’mund t’i mohohen as zhvillimi i politikave më parimore duke nxjerrë mësime nga dhimbjet e së kaluarës dhe as efekti pozitiv në rajonin e saj.

Një Evropë introverte, që i dorëzohet frikës dhe prodhon kërcënim

Por sot, fatkeqësisht, nuk ekziston më një Evropë e tillë. Tashmë bëhet fjalë për një Evropë, ku armiqësia ndaj emigrantëve dhe ksenofobia po shënojnë rritje çdo ditë e më shumë. Partitë fashiste dhe naziste po rrisin votat e tyre. Forcat politike raciste tani janë partnere të pushtetit. Liderët e matur, racionalë dhe vizionarë janë duke u pakësuar gjithnjë e më tepër, ndërsa udhëheqësit pa vizion po shtohen dita-ditës. Tashmë sulmet ndaj mënyrave të ndryshme të jetesës dhe faltoreve të tyre nuk përbëjnë më as lajm.

Sondazhet publike tregojnë qartë se emigrantët po përjashtohen përherë e më shumë.

Partitë politike orvaten të marrin pushtetin jo me agjenda pozitive dhe premtime se do ta çojnë vendim më përpara, por nëpërmjet armiqësisë kundër emigrantëve. Sikurse në shembullin austriak, një parti mund të marrë qeverisjen e vendit me premtimin “zero emigrantë”. Nëse merret parasysh që “kërcënimi migrator”, me të cilin po ballafaqohet Austria, s’është as sa 1% e rastit të Turqisë, atëherë mund të shihet se në ç’mënyrë patetike i është dorëzuar Evropa klimës së frikës (në Turqi strehohen 3,5 milionë refugjatë dhe 1% e kësaj shifre është e barabartë me 35 mijë).

Humbja e racionalizmit

Vendet mund të hyjnë në kriza të tilla hera-herës. Në raste të tilla, institucionet shtetërore dhe liderët vizionarë zhvillojnë politika më racionale dhe më të kujdesshme për të parandaluar thellimin e krizës. Nëse është e mundur, ata e nxjerrin vendin e tyre nga kriza.

Mirëpo kur shohim reagimet ndaj emigrantëve, myslimanëve dhe turqve, qasjet e saj për t’i fajësuar ata vazhdimisht, mund të thuhet lehtësisht se Evropa është duke përjetuar një eklips mendor. Duket sikur jemi ballë për ballë me një Evropë që ka humbur vetëbesimin, racionalizmin e saj; sikur drita e iluminizmit të zhvilluar prej saj për të kapërcyer periudhën skolastike është dobësuar shumë.

Evropa nuk duhet t’ua hedhë fajin/problemin emigrantëve

Kjo është në thelb kriza e Evropës. Emigrantët, myslimanët dhe turqit jetojnë në Evropë që prej një kohe të gjatë; nuk është se popullsia e tyre është rritur shumë ditët e fundit. Grupet e emigrantëve nuk kanë ndryshuar shumë as mënyrën e tyre të jetesës. Nëse Evropa përdor sot një gjuhë tepër akuzuese dhe diskriminuese, ndërkohë që në periudhën kur prodhonte vlera të përbashkëta iu qasej shumë më pozitivisht këtyre komuniteteve, atëherë nevojitet të shihet se problemi buron nga Evropa. Mund të themi pa ndrojtje se në themelin e krizës në fjalë qëndron stanjacioni ekonomik në Evropë, pamundësia për të fituar mjaftueshëm nga globalizimi dhe mungesa e një të kaluare evropiane me shumë identitete, multikulturore dhe pluraliste.

Evropa qe kapluar nga një krizë shumë e ngjashme edhe përpara Luftës II Botërore. E paaftë që të vërejë krizën e saj për shkak të stanjacionit ekonomik që e pati mbërthyer/shtrënguar, Evropa kishte filluar të shikonte hebrenjtë si problem. E trembur nga dallimet/larmia dhe me perceptimin e kërcënimit në rritje të vazhdueshme, Evropa preferoi asokohe që krizën e saj t’ua faturonte hebrenjve. Pas përndjekjes/ masakrimit të hebrenjve, Evropa ndezi Luftën II Botërore duke i vënë flakën vetes, rajonit të saj dhe tërë botës; një provë e pakundërshtueshme kjo se kriza s’kishte të bënte me hebrenjtë. Por çmimin e paaftësisë/kryeneçësisë së Evropës për t’u ballafaquar me vetveten e pagoi shumë shtrenjtë i tërë njerëzimi/globi.

Kurse sot, Evropa po diskuton vetveten dhe ardhmërinë e saj nëpërmjet emigrantëve dhe myslimanëve; po zhvillon politika kufizuese për emigrantët dhe myslimanët duke ngushtuar hapësirën e tyre të lirisë. Sulmet ndaj tyre, stilit të jetesës dhe faltoreve të tyre po neglizhohen/injorohen. Intelektualët, mendimtarët e burrështetasit evropianë duhet ta lexojnë saktë dhe siç duhet problemin në mënyrë që të mos bien sërish në të njëjtin gabim historik dhe vdekjeprurës.

A mund ta kapërcejë Evropa këtë krizë? Për këtë, ajo para së gjithash duhet të shohë se kjo është kriza e saj dhe jo e emigrantëve, myslimanëve apo turqve, si dhe të ballafaqohet me vetveten. Unë nuk jam shumë optimist se Evropa mund ta kapërcejë krizën e saj. Por kjo është një tjetër temë...

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme