Shkeljet e të drejtave të njeriut nga PYD/YPG

Shkeljet e të drejtave të njeriut nga PYD/YPG, derivati sirian i organizatës terroriste PKK, janë dokumentuar nga organizata dhe agjenci të pavarura ndërkombëtare përmes fakteve, dëshmive të gjalla, pamjeve satelitore etj.

Shkeljet e të drejtave të njeriut nga PYD/YPG

Që nga data e krijimit e deri më sot PKK/KCK ndjek strategjinë e detyrimit të popullit ta sponsorizojë organizatën duke ushtruar ndaj qytetarëve që jetojnë në rajonet e Anadollit Lindor dhe Juglindor presion dhe dhunë (bastisje në fshatra, atentate, shpërngulje të detyrueshme, ndalime, frikësime, kërcënime, etj.). Të njëjtën strategji zbaton ndaj popullit që jeton në Siri edhe PYD/YPG, që është zgjatimi sirian i kësaj organizate.

Me qëllim për të qenë mbisunduesja e vetme në rajon, organizata terroriste PYD/YPG kryen krime të mëdha kundër njerëzimit, përfshi edhe spastrim etnik kundër elementëve etnikë që jetojnë në këtë rajon, siç janë: kurdët, arabët, turkmenët dhe jezidët. Këto shkelje janë monitoruar nga organizatat ndërkombëtare aktive në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i kanë pasqyruar këto akte edhe në raportet e tyre. Shumë popuj autoktonë janë detyruar të mërgojnë nga rajoni për shkak të represionit të organizatës terroriste PYD/YPG. Ata që kanë arritur ti shpëtojnë tiranisë së PYD/YPG-së kanë preferuar Turqinë si një vend të sigurt për t’u strehuar, falë politikës së dyerve të hapura që ky vend ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë ndaj sirianëve. Pavarësisht kaq shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut që janë bërë nga PYD/YPG, është parë se fuqitë ndërkombëtare, të cilat janë ndikuar nga propaganda, sikur PYD/YPG është organizata e vetme që (kinse) lufton DAESH-in dhe nuk e kanë kursyer mbështetjen e jashtme ndaj kësaj organizate terroriste, kanë heshtur përballë këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut.Shumica e armatimit dhe municionit që është marrë nën emrin e (të ashtuquajturës) përpjekje me DAESH-in janë përdorur me qëllim frikësimin nga organizata të popujve që jetojnë në rajon, si: kurdët, arabët, turkmenët.

Për shembull, në raportin e publikuar në janar 2016 nga Observatori për të Drejtat e Njeriut në Siri (SNHR) është konstatuar që PYD/YPG në rajonet që ka marrë në kontroll ka kryer shumë shkelje të të drejtave të njeriut, duke filluar që nga spastrimi etnik e deri tek arrestimet arbitrare, rekrutimi e marrja me forcë nën armë e shtrëngimi i njerëzve të mërgojnë. Deri në datën që është publikuar raporti, thuhet se PYD/YPG ka vrarë të paktën 407 civilë, nga të cilët 51 kanë qenë fëmijë, 43 gra dhe 16 kanë vdekur nga torturat[1].

Edhe në një raport tjetër të publikuar në qershor 2014 nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut (Human Rights Watch-HRW) me titull “Nën sundimin kurd: Abuzimet në enklavat e PYD-së në Siri” (Under Kurdish Rule: Abuses in PYD-Run Enclaves of Syria) theksohet se organizata terroriste PYD/YPG ka kryer shpesh praktika të tilla si ndalime, rrëmbime dhe ekzekutime ndaj personave, të cilët ajo i ka parë si rivalë politikë. Ky raport dokumenton disa raste, në të cilat forcat e PYD-së kanë keqtrajtuar dhe arrestuar në mënyrë arbitrare individë të lidhur me partitë politike opozitare kurde, si: Partia Demokratike Kurde e Sirisë (KDPS), Partia Yekiti dhe Partia Azadi, për shkak të veprimtarisë së tyre paqësore politike kundër PYD[2].

Nëse do të jepnim disa shembuj nga shkeljet e te drejtave të njeriut që ka bërë PYD/YPG, shkelje që arrijnë deri në spastrim etnik, do të veçonim;

EKZEKUTIMI I OPOZITARËVE

Duke mos-lejuar krijimin e një subjekti apo strukture alternative në Siri, organizata terroriste PYD/YPG ka kryer akte ekzekutimi ndaj opozitarëve politikë.

Ekzekutimet, organizata terroriste PYD/YPG i ka filluar me atentatin që ka kryer në tetor 2011 kundër Mishel Temo[3], lideri i Partisë së të Ardhmes, e formuar kjo nga kurdët opozitarë. Organizata, që konsiderohet se bashkëvepron me regjimin, është përballur me reagimin e shumë kurdëve të rajonit për faktin që ka marrë përsipër rolin e atentatorit të nënkontraktuar.

Sulmet e PYD/YPG-së ndaj opozitarëve vazhduan edhe pas këtij atentati. Si pasojë e atentateve të organizatës terroriste janë vrarë lideri i një klani, Abdullah Bedro dhe Sherzad Haxh Rashid, ky i fundit përgjegjësi për Halepin i Partisë së Unionit Demokratik të Kurdëve të Sirisë.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike Kurse të Sirisë (KDPS), Salah Bedreddin për shkak të presionit të organizatës terroriste është detyruar të arratiset në Erbil përmes Gjermanisë.

Para fillimit të luftës, në Siri kishte 12 grupe kurde, kurse tani është vetëm PKK/PYD. Për shkak të represionit me qindra-mijëra kurdë janë detyruar të mërgojnë nga zonat e kontrolluara nga PKK/PYD. Në Turqi janë strehuar 350 mijë kurdë të Sirisë, të cilët vazhdojnë ende të jetojnë në Turqi. 

Megjithëkëtë, në një protestë kundër PYD/YPG, të zhvilluar më 27 qershor 2013 në Amude, terroristët e PYD/YPG-së hapën zjarr mbi protestuesit dhe në tre ditë humbën jetën 8 protestues. Gjatë të njëjtës protestë, 50 anëtarë të Partisë Yekiti ishin shoqëruar me forcë nga anëtarët e PYD/YPG në ndërtesën e YPG-së, ku dhe ishin keqtrajtuar.

SHKELJET NDAJ PERSONAVE TË ARRESTUAR OSE NDALUAR

Shkeljet që janë bërë nga “Asayish”, të cilën organizata terroriste e cilëson si strukturën e saj policore, janë dokumentuar në raportet e organizatave që monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut. Është dokumentuar që personat e ndaluar janë përballur me tortura dhe keqtrajtime gjatë kohës që ata janë mbajtur në paraburgim, madje shumica e tyre gjatë kësaj kohe kanë humbur edhe jetën. Sipas raportit të HRW-së, Hannah Hamdosh ishte arrestuar në Afrin dhe pas një farë kohe ishte vrarë, por PYD/YPG pretendon se personi ka vdekur si pasojë përplasjes së kokës në mur. Në një ngjarje tjetër, që ka ndodhur në shkurt të 2014-s në Sere Kaniye, 24-vjeçari Rashwan Atash është vrarë nga një pjesëtar i forcave “Asayish”.

Sipas raportit, ndërmjet viteve 2012-2014 në këtë rajon kanë ndodhur 9 vrasje dhe zhdukje të pa-zbardhura ende dhe ajo që ngjall dyshime tek veprimet arbitrare të forcave të sigurisë është se të gjithë këta njerëz kanë qenë kundërshtarë politikë të PYD/YPG-së.

DHUNA NDAJ GRAVE DHE FËMIJËVE

Me qëllimin për të ruajtur mbisundimin në zonat që ka marrë nën kontrollin e saj në Siri, për të frikësuar popullin që del kundër saj dhe për të rekrutuar militantë të rinj organizata terroriste ushtron shpesh dhunë edhe ndaj grave dhe fëmijëve.

Këto praktika të PYD/YPG-së kanë zënë vend edhe në raportin e SNHR-së, publikuar në janar 2016. Në raportin në fjalë është dokumentuar që terroristët e PYD/YPG-së kanë vrarë 42 gra gjatë periudhës 2011-2016. Nga këto gra, Nabiya al-Salah nga fshati Say Ghoul i varur nga Halepi, në datën 14 gusht 2015 është vrarë duke u qëlluar me 3 plumba nga terroristët e PYD/YPG-së në rrugën Rakka-Tel Abyad.

Një rast tjetër që bie në sy në këtë raport është ai i 58-vjeçares Tarfa Halil al-Hasud, e cila u vra në ahurin e shtëpisë së vet, ndërsa po fshihej nga militantët e PYD/YPG-së, që i kishin vrarë më parë edhe burrin. Sipas të njëjtit raport, në periudhën janar 2014 – tetor 2015 PYD/YPG ka ndaluar/arrestuar në provincat si: Haseke, Qamishli, Afrin 88 femra nën emrin e “shërbimit të detyruar ushtarak”.

SPASTRIMI ETNIK DHE SHPËRNGULJA E DETYRUESHME

Në zonat ku ka ndikim organizata terroriste PYD/YPG përveç një numri të madh arabësh dhe turkmenësh jetojnë edhe grupe të tjera etnike si asirianë armenë etj. Organizata terroriste bën përpjekje për të vendosur sovranitetin e saj në territoret që ka shtënë në dorë dhe njerëzit që jetojnë në rajon i detyron të emigrojnë; organizata ka ndryshuar demografinë e rajonit duke djegur disa vendbanime.

Rrjeti sirian për të drejtat e njeriut (SNHR) në një raport shkruan se rreth 100 familje turkmene në Haseke janë përballur me dhunë dhe presion. Fillimisht turkmenët janë detyruar të shpërngulen në vendbanime të ndryshme të vendit dhe më vonë për arsye të kushteve të këqija të jetës këtu janë strehuar në Turqi[4].

Në raportin e SNHR-së, publikuar në janar 2016, theksohet se PYD/YPG ka hyrë me forcë në vendbanimet e etnive të tjera, ka bërë plaçkitje këtu, në vendet ku ka pasur popullsi kurde ka bërë edhe spastrim etnik, i ka djegur e rrënuar shtëpitë dhe i ka detyruar njerëzit të shpërngulen nga vendbanimet e tyre. Sipas të njëjtit raport me dhjetëra-mijëra njerëz, shumica arabë, janë shpërngulur me detyrim nga frika e PYD/YPG; janë djegur me dhjetëra fshatra. Të gjitha këto akte sipas pikës 8-të të Traktatit të Romës përbëjnë krime lufte, ato janë krime kundër njerëzimit dhe nënkuptojnë shkelje të të legjislacionit të ngulitur ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, nënvizon i njëjti raport. Sipas raportit të SNHR-së, 9 vendbanime janë djegur plotësisht dhe banorët janë dëbuar; kurse 19 fshatra janë zhdukur në mënyrë të pjesshme, ndërsa personat e padëshiruar janë dëbuar nga vendbanimet e tyre dhe syrgjynosur në vende të tjera. Krahas këtyre, organizata terroriste PYD/YPG me qëllim për të kryer spastrim etnik në fshatrat që ka zaptuar, dëbon me anë të kërcënimit dhe dhunës popullatën jo-kurde. Sipas raportit të SNHR-së nga të paktën 49 vendbanime janë syrgjynosur me dhjetëra-mijëra njerëz. Në 26 maj 2015 organizata terroriste PYD/YPG ka njoftuar se banorëve që jetonin në më shumë se 26 fshatra në jug të provincës  Haseke, u ka njohur 24 orë afat për të boshatisur fshatrat. Sipas dëshmisë së njërit nga dëshmitarët që ka jetuar në këto fshatra dhe që është pasqyruar edhe në raport; terroristët e PYD/YPG-së që nga momenti që erdhën në fshat mbajtën një qëndrim agresiv ndaj arabëve duke u thanë këtyre se në të ashtuquajturin “Kurdistan” nuk kishte vend për arabët dhe turkmenët dhe shumë shtëpi ishin djegur nga terroristët. Kurse një ngjarje tjetër e dokumentuar në raport bën fjalë për arrestimet arbitrare dhe dëbimin me tortura të ndryshme të 100 familjeve turkmene në Haseke, në shkurt të 2015-s. Familjet në fjalë i braktisën shtëpitë e tyre dhe erdhën e u strehuan në Turqi. Krimet, spastrimi etnik, syrgjynosjet dhe rrënimet që ka bërë organizata terroriste PYD/YPG janë dokumentuar edhe në raportin e Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë (Amnesty International), publikuar në tetor 2015 me titullin “Nuk kemi vend tjetër për të shkuar” (We Had Nowhere Else to Go), bazuar në deklaratat e dëshmitarëve okularë, pamjet satelitore dhe vëzhgimet e ekspertëve.

Në raport zënë vend inspektimet që janë zhvilluar në fshatin arab Hysejniye, që ndodhet në zonën rurale të provincës Tel Hamis, si dhe bisedimet dhe reportazhet e realizuara me fshatarët e mbijetuar. Gjendja e fshatit ndërmjet periudhës qershor 2014 dhe qershor 2015 është dokumentuar përmes krahasimit të fotografive satelitore dhe është konstatuar që brenda një viti në fshatin me 2250 shtëpi kanë mbetur në këmbë vetëm 14 prej tyre, kurse 94% janë rrënuar.

Specialistja nga Amnesty International, Lema Fakih shkruan se “PYD/YPG të drejtën ndërkombëtare humanitare e injoron me paturpësinë më të madhe duke i rrafshuar njësh me tokën shtëpitë e civilëve dhe fshatrat e tyre, duke i shpërngulur banorët pa pasur asnjë arsye legjitime ushtarake, dhe këto sulme të kësaj organizate janë krime lufte”. 

FËMIJËT LUFTËTARË                                                                  

Organizata terroriste PYD/YPG me qëllim përforcimin e mbisundimit të saj në territoret që ka vendosur nën kontrollin e vet në kuadër të aktivitetit terrorist që po realizon në Siri ka përfshirë në radhët e veta edhe shumë fëmijë, të cilët i dërgon edhe në vijën e parë të frontit të luftimeve.

Sipas rregullimeve që janë bërë në shumë konventa e marrëveshje ndërkombëtare (Konventat e Gjenevës për Mbrojtjen e Civilëve në Kohë Lufte-1949, Protokollet Shtesë të Konventave të Gjenevës, Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve-1989 dhe Protokolli Shtesë i Konventës së të Drejtave të Fëmijëve) është e ndaluar dërgimi në luftë i miturve. Vetëm se shkelja e kësaj nga PYD/YPG është dokumentuar në raportet e shumë institucioneve e agjencive të pavarura ndërkombëtare.

Komisioni i Pavarur Hetimor i OKB-së për Sirinë në raportin që ka publikuar në 16 gusht 2013 thotë se në Afrin dhe Haseke organizata terroriste PYD/YPG ka përfshirë në radhët e veta edhe fëmijë (vajza dhe djem) në moshën 12 vjeç[5].

Në raportin e OKB-së me titull “Fëmijët dhe Konflikti i Armatosur në Siri” thuhet se fëmijët me moshë të ndryshme nga 14 deri në 17 vjeç, që jetojnë në provincën Haseke, janë konvertuar si pjesëtarë të organizatës terroriste dhe janë përdorur edhe në postblloqe, edhe në zonat e nxehta të konfliktit[6].

Në raportin me titull “Trafiku i Qenieve Njerëzore”, publikuar në qershor 2016 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) thuhet se organizata terroriste PYD/YPG ka vazhduar të rekrutojë si anëtarë të organizatës edhe djem e vajza nën 15 vjeç, ajo ka vazhduar ti shfrytëzojë këta fëmijë dhe ti çojë ata në kampet e stërvitjes. Sipas të njëjtit raport, në muajin prill të vitit 2015, një vajzë 16-vjeçare është rrëmbyer nga organizata terroriste PYD/YPG në Afrin, pavarësisht kundërshtimeve të familjes[7].

Në raportin me titull “Nën sundimin kurd” (Under Kurdish Rule), publikuar në vitin 2014 nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” (HRW), është dokumentuar që PYD/YPG/YPJ ka inkuadruar në radhët e veta fëmijë nën moshën 18 vjeç, dhe i ka detyruar këta fëmijë të luftojnë, të marrin pjesë aktive në konfliktet e armatosura. Organizata në fjalë zotëron edhe një listë me 59 fëmijë të tillë dhe njofton se nga këta fëmijë, 10 janë më të vegjël se 15 vjeç.

 

[1] https://www.hrw.org/world-report/2016/country-chapters/syria

[2] https://www.hrw.org/report/2014/06/19/under-kurdish-rule/abuses-pyd-run-enclaves-syria

 

[4] http://sn4hr.org/wp-content/pdf/english/Violations_by_the_Kurdish_Self_Management_Forces_en.pdf

[5] http://www.ohchr.org/EN/HRBodies/HRC/.../A.HRC.28.69_E.doc%20%C3%96nbellek%20Benzer

[6] http://edition.cnn.com/2013/11/29/world/meast/syria-children-refugees-report/index.html

[7] https://www.state.gov/j/tip/rls/tiprpt/2016/



Lajme të ngjashme