Koment - Siria, letër lakmusi për njerëzimin

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment - Siria, letër lakmusi për njerëzimin

Siria, letër lakmus për njerëzimin

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Ndonjëherë nga kostot e larta që detyrohemi ti paguajmë nxjerrim mësime të rënda. Do të ishte më mirë të mos nxirrnim këto mësime dhe këto ngjarje të rënda të mos jetoheshin. Kjo ndoshta më shumë vlen për krizën në Siri, e cila nxori mësime shumë të hidhura. Pranvera Arabe ndikoi nga afër edhe tek Siria ashtu si tek shoqëritë tjera të mbyllura. Ajo me çka u ballafaqua populli sirianë pas fillimit të kryengritjes kundër regjimit represiv pas dekadave të errëta, nuk ishte përpjekja për të kuptuar se çfarë duan, por lëvizja e shtypjes që është reagimi themelor i regjimeve diktatoriale.

Ngecja në cekëtinë e vlerave të BE-së

Pjesëmarrja e Iranit personalisht në luftë me ushtrinë e tij, përkrahja e regjimit të Esadit nga ana e Rusisë dhe mungesa e perspektivës për zgjidhje të vendeve Perëndimore shkaktoi thellimin e luftës civile në Siri. Me qindra mijëra persona vdiqën dhe u vranë. Me miliona të tjerë u detyruan të largohen nga vendet e tyre.

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) me krizën e Sirisë pothuajse nuk u interesuan fare deri sa refugjatët nuk trokitën portën e tyre. Reagimi i Perëndimit me arritjen e refugjatëve në portat kufitare ishte turp për njerëzimin. Shumica e vendeve të BE-së, të cilat më herët kritikonin të tjerët për shumicën e çështjeve si pluralizmi, bashkëjetesa, të drejtat e njeriut, barazia, liria, e drejta për jetesë, dështuan në provimin e parë të këtyre vlerave. U injorua e drejta e refugjatëve në këto vlera. Problemi dhe vlera e vetme për shumicën e vendeve të BE-së ishte pengimi i ardhjes së refugjatëve në vendet e tyre. Në këtë aspekt deti nuk nxori në bregdet vetëm trupat e pajetë të fëmijëve të vetmuar dhe të pafuqishëm si ai i vogëlushit Aylan, por në të njëjtën kohë nxori edhe vlerat e pajetë të BE-së.

Turqia, një vend që kontribuon në vlerat e demokracisë së BE-së

Të paramendojmë vetëm për një çast se Turqia, Jordania dhe Libani po ndjekin politika sikurse vendet e BE-së dhe po i mbyllin portat e tyre përpara refugjatëve/njerëzimit. Në këtë rast me miliona refugjatë do të dyndeshin drejt vendeve të BE-së. Madje një numër i vogël i refugjatëve, të cilët arritën të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian, u bënë shkaktarë të reagimeve çnjerëzore dhe nëse marrim parasysh se kjo shkaktoi forcimin e rrymave fashiste dhe naziste që janë në rritje në Evropë, atëherë mund të themi se kriza humanitare dhe vlerat e Evropës do të thellohen edhe më shumë.

Mikpritja e 3,5 milionë refugjatëve sirianë në territoret e Turqisë dhe ndjekja e politikave të portave të hapura në lidhje me çështjen e Sirisë, rrisin numrin e votave të partisë në pushtet. Vetëm numri i refugjatëve të strehuar në qytetin e Kilisit është më i lartë se numri i refugjatëve të strehuar në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Reagimi i prefektit të Kilisit ndaj deklaratës së një vendi të BE-së se do të pranojë 130 refugjatë ishte historik. Ai kishte thënë: “Ai vend të mos shqetësohet, unë do të kujdesem edhe vet në shtëpinë time për këta persona”.    

Ndërkaq partitë evropiane me politika antimigratore, antirefugjate, ksenofobe dhe antiislame kanë hyrë në garë me njëra-tjetrën për ti rritur votat e tyre. Partia që fitoi në zgjedhjet e mbajtura në Austri ishte partia, e cila premtoi të ndjek politika me “zero refugjatë”. Partitë fashiste dhe naziste kanë rritur votat e tyre në shumicën e vendeve të Evropës, ndërkaq në disa vende formojnë edhe koalicione. Partitë e qendrës së djathtë dhe partitë majtiste në shumicën e vendeve të Evropës kanë filluar të radikalizohen për të parandaluar rritjen e ekstremit të djathtë. Padyshim se kjo krizë e Evropës, e cila çdo herë vjen duke u mbyllur në vete dhe e ardhmja e së cilës po errësohet çdo herë e më shumë, në vete përmban rreziqe shumë serioze për njerëzimin. Mund të themi që përpjekjet mbinjerëzore të Turqisë dhe të vendeve të rajonit në çështjen e refugjatëve kanë një vend të rëndësishëm për shkak të të cilit partitë demokratike jo-ekstreme ende vijnë në pushtet në Evropë. Ndërkaq mosvajtja e pothuajse asnjë refugjati sirian në Iran dhe në vendet e Gjirit është një çështje që duhet shqyrtuar më vete.

Propagandë e zezë kundër operacionit “Dega e Ullirit”

Në pikën e arritur tërheq vëmendjen se aktorët global krahas mundjes së organizatës terroriste DAESH në vend se të zgjidhin problemin e Sirisë, ata pothuajse ndjekin politika në drejtim të thellimit të tij. Fatkeqësisht kjo situatë nuk është specifike vetëm për Sirinë. Në vendet ku ka ndërhyrë koalicioni ndërkombëtar si në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri ende nuk është vendosur stabiliteti, përkundrazi jetohen më shumë vdekje e migrime të mëdha dhe këto vende u bënë edhe më të pabanueshme. Ndërkaq koston e kësaj gjendjeje detyrohen ta paguajnë të gjitha vendet e rajonit. Për këtë arsye përballë këtyre krizave duhet të kërkohen koalicionet rajonale e jo ato ndërkombëtare, të cilat nuk do të paguajnë asnjë kosto.

Edhe pse me fitoren ndaj DAESH-it edhe lufta civile do të duhej të tregojë tendencë për ndalje, vazhdimi i dërgimit të mijëra maunave me armatim për PYD/YPG nga ana e ShBA-së dhe deklaratat se bëhen përpjekjet për formimin e një “force të sigurisë kufitare”, hasi në reagimin e ashpër të Turqisë dhe vendeve të rajonit. PKK/PYD është një organizatë terroriste, e cila masakroi me mijëra njerëz në Turqi dhe vendet e rajonit. Ashtu siç ShBA-ja do të kuptonte formimin e një “force kufitare” në kufirin e saj nga ana e Al-Kaedës së Bin Ladenit, edhe Turqia dhe vendet e rajonit në mënyrë të njëjtë janë duke e parë armatimin e PYD-së dhe deklaratën për formimin e kësaj force. Turqia, me qëllim të vetëmbrojtjes, të vendosjes së stabilitetit rajonal dhe për ti shpëtuar banorët e rajonit nga pushtimi i organizatës terroriste si dhe për të parandaluar valën e re të migrimit drejt saj, me plotë të drejt e filloi operacionin “Dega e Ullirit”.

Ky operacion legjitim i Turqisë është duke u shtrembëruar me këmbëngulje nga disa qendra. Njëra prej arsyeve kryesore të operacionit “Dega e Ullirit” është edhe mbrojtja e tërësisë territoriale të Sirisë. Sepse organizata terroriste PYD/PKK e mbështetur nga ShBA-ja është duke u vendosur në zonën që shtrihet prej Irakut e deri në Detin Mesdhe dhe dëshiron ta copëtojë Sirinë.

Bëhen përpjekje që operacionin e Turqisë ta paraqesin sikurse është një operacion kundër kurdëve. Operacioni i ndërmarrë kundër Osama Bin Laden nuk ishte operacion kundër arabëve. Ajo çfarë bën Turqia është e njëjtë me atë çfarë bëri ShBA-ja në kuadër të këtijë operacioni kundër terrorit. Turqia nuk lejon që në kufirin e saj të formohet një zonë e terrorit nga ana e kësaj organizate, e cila me dekada shkakton terror. Kështu që ata që jetojnë në Turqi dhe në vendet e rajonit dinë mirë se PYD/YPG-ja, e cila është fraksioni i PKK-së në Siri, sulmet më vdekjeprurëse i ka ndërmarrë ndaj kurdëve, të cilët nuk i përkrahin.

PYD/YPG-ja është duke bërë spastrim etnik ndaj kurdëve, arabëve, turkmenëve dhe grupeve jomyslimanëve, të cilët nuk i përkrahin ata. Me miliona njerëz të arratisur nga këto treva janë strehuar në Turqi dhe në vendet e rajonit. Mirëpo pyetja që duhet parashtruar këtu është kjo, pse organizata terroriste e mbështetur nga ShBA-ja nuk lejon kthimin e pronarëve të vërtetë të këtij rajoni? Operacioni i Turqisë do të hapë dyert për kthimin e të gjitha grupeve etnike dhe fetare në këtë rajon të spastruar nga terrori.

Ashtu si çdo luftë tjetër edhe kjo luftë do të përfundojë një ditë. Më e rëndësishmja është që kur të shikojmë prapa të shohim se cilat vlera arritëm ti shpëtojmë në këtë dhe luftërat tjera të ngjashme e që do të mund ti lëmë në trashëgimi gjeneratave të ardhshme.

* Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme