Liga Arabe: Vendimi i Presidentit Trump për Jerusalemin, “i pavlefshëm dhe jodetyrues”

“Vendimi i njoftuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i pavlefshëm dhe gjithashtu një shkelje e rrezikshme e së drejtës ndërkombëtare dhe e rezolutave të OKB-së. Ai nuk është aspak detyrues nga aspekti ligjor”, deklaroi Liga Arabe...

Liga Arabe: Vendimi i Presidentit Trump për Jerusalemin, “i pavlefshëm dhe jodetyrues”

Liga Arabe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të anulojnë vendimin për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Vendet arabe i përmbahen Iniciativës Arabe të Paqes së vitit 2002 për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, tha të dielën sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe”, Ahmed Aboul-Gheit.

“Nëse arabët vendosin të ngrijnë ose të tërheqin iniciativën e paqes, ata do të hapnin zjarr mbi veten e tyre”, u tha gazetarëve Aboul-Gheit pas një takimi urgjent të Ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe në Kajro, thirrur nga Palestina dhe Jordania.

“S’ka alternativë për Iniciativën Arabe të Paqes”, shtoi ai.

Nisma e propozuar nga Arabia Saudite i ofron Izraelit njohje të plotë diplomatike nga shtetet arabe në këmbim të tërheqjes izraelite nga territoret arabe të pushtuara më 1967-n dhe krijimit të një shteti palestinez.

Takimi ministror arab kritikoi vendimin e Trumpit duke thënë se ai shkon “kundër të drejtës ndërkombëtare dhe ngre pyetje mbi përpjekjet amerikane për të mbështetur paqen” ndërmjet Palestinës dhe Izraelit.

“Vendimi i njoftuar të mërkurën nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i pavlefshëm dhe gjithashtu një shkelje e rrezikshme e së drejtës ndërkombëtare dhe e rezolutave të OKB-së. Ai nuk është aspak detyrues nga aspekti ligjor”, vlerësohet në komunikatën përfundimtare 16-pikëshe të publikuar në fund të takimit urgjent të ministrave të Jashtëm Ligës Arabe në kryeqytetin egjiptian.

Në vijim të komunikatës theksohet se administrata amerikane është pozicionuar me një qëndrim proizraelit duke u vetëshkarkuar nga roli i saj ndërmjetësues në procesin e paqes.

Mes të tjerash, shefat e diplomacisë së Ligës Arabe u bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të anulojnë vendimin për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, si dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që adoptojë me doemos një rezolutë për të shpallur të jashtëligjshëm këtë hap të Uashingtonit.

Një tjetër apel i takimit urgjent të Ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe ishte ai drejtuar komunitetit ndërkombëtar për të njohur Shtetin e Palestinës me kryeqytet Jerusalemin Lindor.



Lajme të ngjashme