Koment – Debati mbi ndryshimin e kufijve

Me kulturën, diturinë, urtësinë tonë të pamasë dhe nëse bëjmë qëndresë kundër projekteve gjakatare, të cilat Perëndimi po na imponon për kufij të rinj në Siri dhe Lindje të Mesme, ne mund t’i shumëzojmë me zero planet në fjalë...

Koment – Debati mbi ndryshimin e kufijve

Koment – Debati mbi kufijtë

Me përjashtim të disa vendeve si Republika Çeke (Çekia) dhe Sllovakia apo Sudani Jugor dhe Sudani Verior, kufijtë e të gjitha shteteve të botës janë përcaktuar, fatkeqësisht, si rezultat i përpjekjeve, konflikteve dhe luftërave të mëdha. Pra, me kuptimin e plotë të fjalës, kufijtë e shteteve janë vizatuar me gjak.

Por a ishte kjo diçka e domosdoshme? Teorikisht nuk ishte aspak...

Koncepti i shtetit në Perëndim ka nisur të përdoret në shekullin XVI, ndërsa në Lindje ai kishte mijëra vite që funksiononte. Në dokumentet apo tekstet mijëravjeçare turke dhe kineze ka me shumicë materiale në lidhje me konceptin e shtetit.

Në botën perëndimore, ku koncepti i shtetit s’ka ekzistuar deri në periudhën mesjetare, sovraniteti politik shprehej në bazë të pronësisë së tokës; pra, sundonte rendi feudal. Asokohe shteti nënkuptohej me fjalët “tenv” apo “te/ra”, domethënia e të cilave është “tokë”.

Në Evropë, fjala shtet shohim të jetë përdorur fillimisht në Itali, në shekullin XV. Koncepti shtet në këtë rast është përdorur për të shpjeguar dhe përkufizuar strukturën e organizimit politik të një shoqërie të caktuar. Pas Italisë, koncepti i shtetit nis të përdoret dalëngadalë edhe në vendet e tjera perëndimore. Sovraniteti politik si koncept është shprehur me fjalën “shtet” nga bota perëndimore vetëm andej nga gjysma e shekullit XV.

Teksa në Lindje shteti zgjeronte statusin dhe hapësirën për t’u transformuar në “perandori”, në botën perëndimore kufijtë laheshin vazhdimisht me gjak.

Të gjitha utopitë e themeluara në Perëndim, ku koncepti i shtetit është kaq i përgjakur, kanë në thelb një pesimizëm, një të ardhme të keqe apo aspak optimiste.

Nga letërsia e deri te tekstet politike, në botën perëndimore ka gjithmonë një fantazi të zymtë në rastin më të mirë dhe të skëterrshme në rastin më të keq për të ardhmen. Të gjitha tekstet rreth kësaj të ardhmeje të errët, e cila quhet distopi dhe është e kundërta e utopisë, janë të frikshme e të kallin datën.

Teoritë politike futuriste në tërësi, nga Fukuyama e deri tek Brejinski dhe Sorosi, bazohen në kufij të përcaktuar me gjak. Kufijtë ekzistues copëtohen me gjak po ashtu. Në vijim, me gjak rivendosen edhe kufijtë e rinj. Numri i kufijve në të ardhmet politike të Perëndimit rriten duke shumuar me gjak e jo me ndërveprim gjeografik, kulturor apo politik.

Distopitë perëndimore janë më drithëruese dhe më tmerruese, sikurse dhe burimi i frymëzimit të teksteve politike futuriste. Nëse u hedhim një shikim teksteve apo romaneve “kult” të këtij zhanri letrar, atëherë vërejmë që ato sikur shkatërrojnë të gjitha shpresat e njeriut si individ në përputhje me natyrën e krijimit të tij, për ta përgatitur atë si një kadet të trishtuar kundër kësaj ardhmërie të zezë.

Emrat kult të fantashkencës, nga Aldous Huxley e deri te George Orwell, në të gjithë distopinë dhe utopinë e tyre kanë një botë të errët. Bazuar te kjo utopi, ka përherë sulme nga jashtë. Madje edhe kur nuk ka sulme, ka patjetër mobilizim apo përgatitje për sulme. Për të parandaluar këtë, nevojitet me doemos që të merren nën kontroll botët, të cilave u përkasin, si dhe instalimi i rendit të tyre.

Në dhjetëra vepra letrare të zhanrit fantastiko-shkencor, ku ia vlen të përmenden sidomos “1984” e Orwell dhe “Më e mira e botëve” e Huxley, njeriut i injektohen në ndërgjegje dhe subkoshiencë botët e errëta të një të ardhmeje të zymtë.

Përmes këtyre teksteve rreth të ardhmes së errët, njeriu distancohet dhe largohet hap pas hapi nga natyra e krijimit të tij duke u bërë thuajse një gur kalldrëmi në rrugën drejt asaj bote.

Dhe një nga veçoritë e përbashkëta më të mëdha të së gjithë punonjësve të institucioneve vendimmarrëse të vendeve, të cilat po e kthejnë sot planetin tonë në një oqean gjaku duke projektuar botën e së ardhmes, është fakti që ata janë dishepuj të këtyre distopive dhe kaq të varur pas tyre, saqë të shkruajnë derivate të reja të teksteve letrare dhe politike në lidhje me to.

Në sistemin demokratik të pjesëmarrjes sociale, sado që masat t’i ndryshojnë strukturat politike, këto institucione pengojnë në një farë mënyre pushtetin politik të popullit dhe e marrin atë nën kontrollin e tyre pak kohë pasi arrijnë ta pengojnë. Shembullin e fundit për këtë e jetuam në SHBA.

Presidenti amerikan, Donald Trump, theksoi gjatë fushatës së tij elektorale se do të hiqte dorë nga politikat e dhunshme dhe ekspansioniste të administratës Obama.

“Do të prodhojmë politika të orientuara për brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të reduktojmë shpenzimet ushtarake dhe bazat anembanë botës”, shprehej pak a shumë Presidenti Trump në atë periudhë.

Por jo vetëm kaq! Ai shkroi nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter” se organizata terroriste DAESH ishte themeluar nga administrata e drejtuar nga ish-presidenti Barack Obama; një “cicërimë” kjo që e fshiu më vonë.

Megjithatë, sapo mori pushtetin, Trump nisi të hyjë gjithnjë e më tepër nën efektin e gjuhës politike të regjimit pararendës. Nuk bëri qoftë edhe një hap prapa nga politikat e ashpra të paraardhësit të tij kundër qeverisë së Venezuelës. Madje ai bëri një hap më shumë nga Obama duke transformuar në depo armësh dhe municionesh jo pak vende të botës, me në krye Gjirin Persik.

Ambicia ekstreme dhe e sëmurë për të fituar e sunduar ka aktivizuar sërish qendrat e fuqive perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit, Evropa Veriore dhe Ballkani janë transformuar në depo armësh dhe municionesh me kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës.

SHBA-ja po dërgon anembanë rruzullit tokësor luftanije gjigante, avionë gjuajtës e bombardues, si dhe mjete të shumta ushtarake. E gjithë bota, nga Japonia e deri në Evropën Veriore, është kthyer për momentin në “fuçi baruti”. Dhe këto vende, shumica e të cilave janë miq dhe aletë tanët, ndonjëherë heshtin përballë këtyre zhvillimeve e ngaherë i ftojnë ato sikur të mos kishin dalë nga një luftë shkatërrimtare vetëm 60 vite më parë. Kjo do të jetë shumë e dëmshme jo vetëm për miqtë tanë, por realisht për gjithë botën.

Mund të jetë me të vërtetë një rastësi e çuditshme, por, krahas Turqisë, rezistencë kundër ndryshimeve të përgjakshme të kufijve, që rendi i ri botëror po na imponon, po bën gjithashtu Shteti i Venezuelës. Njëra është mishërim i kulturës së lashtë të Lindjes dhe tjetra e kulturës mistike të Amerikës Latine. Botëkuptimi human i kulturës latine është shumë i afërt me atë të Lindjes dhe kjo s’ka sesi të jetë rastësi. Ndërkohë, për fat të keq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’u imponohen këtyre dy vendeve me metoda dhe maska të ndryshme.

Çështja Reza Zarrab kundër Turqisë është një instrument hakmarrës tërësisht politik, pa kurrfarë argumenti, logjike dhe prove ligjore; një shembull tipik, por me përmasa mikroskopike, i presioneve të njëanshme të SHBA-së për të arritur qëllimet e saj.

Rendi i ri botëror po na imponon kufij të përgjakur. Por ne s’do të mposhtemi nga ky imponim. Sepse kultura e Lindjes është e lashtë. Kultura e Lindjes njësohet me vendin ku shkel. Nuk e shkatërron atë për ta bërë si vetja, sikurse Perëndimi.

Andaj kufijtë e Lindjes janë antikë. S’është me siguri një rastësi fakti që kufijtë e shumë vendeve lindore, të patrazuara ose pak të turbulluara nga Perëndimi, janë qindravjeçarë. Kurse disa prej tyre janë madje mijëravjeçarë. Natyrisht që edhe kufijtë tanë kanë dëshmuar luftëra dhe janë bërë skenë e tyre. Por kufijtë tanë janë të përcaktuar nga gjeografia, njeriu dhe kultura.

Pikërisht për këtë arsye, nëse bëjmë qëndresë kundër projekteve gjakatare, të cilat Perëndimi po na imponon për kufij të rinj në Siri dhe Lindje të Mesme, ne mund t’i shumëzojmë me zero planet në fjalë. Me kulturën, diturinë dhe urtësinë tonë të pamasë, ne do ta prishim edhe këtë lojë.

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme