Koment – Periudha e re në Irak

Prej mbajtjes së referendumit të paligjshëm për pavarësi nga ana e administratës rajonale kurde e Irakut e këtej ka kaluar më shumë se një muaj.

Koment – Periudha e re në Irak

Lindja e Mesme nga Kenveshtrimi i Turqisë-Periudha e re në Irak

Prej mbajtjes së referendumit të paligjshëm për pavarësi nga ana e administratës rajonale kurde e Irakut, që u mbajt krahas të gjitha paralajmërimeve të bëra në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka kaluar më shumë se një muaj. Pas referendumit që u mbajt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare qeveria qendrore e Irakut ndërhyri ndaj administratës rajonale kurde të Irakut (KRG), me çrast kjo e fundit u tërhoq në kufijtë e saj të vitit 2003. Deri sa para një muaji bëhej fjalë për pavarësi, tani flitet se kjo pjesë federale e dobësuar e Irakut është bërë e varur nga Bagdadi.

Referendumi hapi rrugë ndryshimeve serioze në Irak. Me vënien në veprim të ushtrisë irakiane, lëvizjet e përbashkëta të bëra nga Irani, Turqia dhe Iraku i prishën planet e bëra. Kirkuku dhe zonat tjera të kontestuara iu bashkëngjitën sërish qeverisë qendrore. Kontrolli i vendkalimeve kufitare dhe i aeroporteve kaloi tek Bagdadi. Në vendkalimin kufitar Habur me Turqinë u vendos ushtria irakiane. Ndërkaq edhe vendkalimi kufitar mes Irakut dhe Sirisë hyri nën kontrollin e qeverisë qendrore. Turqia dhe Irani, të cilat kanë mosmarrëveshje të shumta si për luftën civile në Siri, anëtarësimin e Turqisë në NATO dhe qëndrimin e butë të Teheranit ndaj PJAK-ut, që është fraksion i PKK-së në Iran, në mënyrë të papritur u afruan shumë shpejtë me njëri-tjetrin. Të dyja vendet në mënyrë të fuqishme zunë vend pranë Bagdadit zyrtarë. Në mënyrë të ngjashme edhe liderët turq dhe irakian, të cilët para një viti bënin deklarata të ashpra kundër njëri-tjetrit në lidhje me krizën e jetuar në kampin e trajnimit Bashika në Irak, formuan një aleancë të fortë.

Në pikën e arritur administrata rajonale kurde e Irakut nuk humbi vetëm pritshmëritë e saj për tu pavarësuar, por në të njëjtën kohë humbi edhe epërsinë që kishte me situatën aktuale antikushtetuese të krijuar në vitin 2005. Fillimisht humbi dominimin aktual në Kirkuk, ndërsa më pas humbi edhe kontrollin ndaj burimeve ekonomike. Së bashku me zhvillimet e fundit KRG-ja i humbi dy avantazhe të rëndësishme ekonomike dhe sërish u bë e varur nga qeveria qendrore. Në mesin e këtyre epërsive më të rëndësishmet janë të ardhurat nga nafta nga zonat e kontestuara me në krye të ardhurat nga zona e Kirkukut. Qeveria e Irakut dëshiron të marrë plotësisht kontrollin ndaj vendkalimeve kufitare. Nga aspekti i individit, partisë dhe liderëve të Irakut Verior, të cilët pothuajse janë kthyer në çifligarë me të ardhurat e thithura nga vendkalimet kufitare prej fillimit të viteve të 90-ta e këtej, kjo situatë është po aq e rëndësishme sa edhe humbja e të ardhurave nga nafta.

 

Aleanca mes Turqisë, Iranit dhe Irakut para së gjithash shumë lehtë mposhti përpjekjet e forcave të jashtme, të cilat përkrahnin KRG-në dhe vuri në dukje kufijtë e forcave të jashtme në rajon. Sot në rendin e ditës të qeverisë qendrore të Irakut ndodhet anulimi i nenit 140 të kushtetutës irakiane, e cila lë të hapur çështjen e Kirkukut dhe zonave të kontestuara. Ndoshta Bagdadi hedh edhe një hap para dhe e shpërbënë administratën rajonale kurde.

Gjatë periudhës në vijim partitë kurde të administratës rajonale kurde të Irakut, “KDP” dhe “PUK” do të hyjnë në një periudhë të mbrojtjes së forcave të vjetra të tyre dhe të kërkimit për tu kthyer në rregullin e vjetër, gjë që do të mund të rrit edhe më shumë kaosin në veri të Irakut. Madje do të mund të krijohet një situatë që do të çoj deri në copëtimin e brendshëm të KRG-së. Në këtë situatë do të mund të hasim në një pamje të re të Irakut, ku do të bëhet fjalë për marrëdhëniet Erbil-Bagdad dhe Sulejmanije-Bagdad.

Duke filluar nga muaji nëntor duket se Iraku ka hyrë në një dimension të ri. Ndoshta periudha 14-vjeçare e pushtimit do të marrë fund me konsolidimin e qeverisë qendrore të Irakut. Identiteti kombëtar i Irakut, për të cilin pretendohet se mbahet artificialisht për shkak të dallimeve të vazhdueshme etnike dhe sektare, është forcuar edhe më shumë pas referendumit të KRG-së. Tregues kryesor të kësaj janë edhe komandantët kurdë, të cilët në ushtrinë irakiane krahë për krahë me turkmenët shii dhe suni në radhët e Hashdi Shabit, luftojnë kundër peshmergeve. Vitin e ardhshëm në Irak do të mbahen zgjedhjet të cilat në masë të madhe do të ndikohen nga këto zhvillime. Në qoftë se Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi arrin që sukseset e tij në terren ti transferoj edhe në politikë, Iraku do të hyjë në një proces të ri të integrimit. Sepse Iraku, Irani dhe Turqia e duan këtë.

Është e mundur që gjatë ditëve dhe muajve në vijim marrëdhëniet mes Turqisë dhe Irakut të thellohen edhe më shumë. Sepse Turqia dha përkrahjen e plotë qeverisë qendrore të Irakut në procesin e rivendosjes së sovranitetit. Në rend të ditës është rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve posaçërisht në luftën kundër terrorit. Duket se është arritur në marrëveshje mes Turqisë dhe Irakut në lidhje me çështjen e kampit të trajnimit Bashika në Irak. Pritshmëria më e madhe e Turqisë nga qeveria qendrore e Irakut, e cila arriti suksese të rëndësishme në luftën kundër DAESH-it, është që të hedh hapa të njëjta edhe ndaj PKK-së. Duket se edhe pala irakiane ka vullnet për këtë. Me qëllim që marrëdhëniet dypalëshe të arrijnë në nivelin e dëshiruar është e nevojshme që Iraku përveç vullnetit të tij të hedhë edhe hapa konkrete në këtë drejtim.      

Autor: Cemil Dogaç Ipek



Lajme të ngjashme