Koment – Problemi i unitetit dhe integritetit politik në Evropë

Çështja e Katalonjës luan rolin e një katalizatori për të ardhmen politike të Evropës...

Koment – Problemi i unitetit dhe integritetit politik në Evropë

Marrëdhëniet Turqi-BE/ Problemi i unitetit dhe integritetit politik në Evropë

Kohët e fundit, një nga çështjet më të rëndësishme të agjendës së Bashkimit Evropian është problemi i unitetit politik dhe bumi i lëvizjeve separatiste. Fillimisht Anglia, si rezultat i referendumit të zhvilluar rreth 1 vit e gjysmë më parë, mori vendim për t’u larguar (Brexit) nga Bashkimi Evropian. Kurse tani shpërtheu kriza e Katalonjës në Spanjë.

Ashtu siç dihet, pas referendumit të zhvilluar më 1 tetor 2017, Katalonja, që është një rajon autonom i varur nga Spanja, shpalli vendimin për pavarësi. Por ky vendim nuk u njoh as nga Spanja dhe as nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Bota perëndimore, farat e përçarjes që i mbolli për vite me radhë në Lindjen e Mesme, tashmë filloi t’i korrë në Evropë. Koha do të tregojë nëse kriza e Katalonjës do të kufizohet me Spanjën apo do të kthehet në një problem për të gjithë Evropën! 

Po të shqyrtojmë çështjen e Katalonjës, do të vëmë re se fillimi i problemit shkon deri në krizën ekonomike, që shpërtheu në vitin 2008. Kur kriza ndikoi Spanjën, katalonasit filluan të shtrojnë pyetjen se pse ata e paguajnë më shumë këtë faturë? Sepse ky rajon, me një popullsi prej 7,5 milionë banorësh, me qendër Barcelonën, përbën një nga “lagjet” më të pasura të Spanjës.  Katalonasit u ankuan për mos bërjen e investimeve në rajonin e tyre në proporcion të drejtë me kontributin e tyre në ekonomi. Si rrjedhojë e rritjes së këtyre refuzimeve dhe ankesave, ata mbajtën në vitin 2014 një referendum jozyrtar dhe 80% e votave ishin në favor të pavarësisë. Plot 3 vjet pas marrjes së këtij rezultati, me një referendum zyrtar të mbajtur në datën 1 tetor 2017, katalonasit mbajtën një qëndrim në favor të pavarësisë me 90% të votave. Por qeveria spanjolle nuk e njohu këtë referendum, që bie ndesh me nenin e Kushtetutës për “mos copëtimin e vendit”. Pas kësaj, Gjykata Kushtetuese e Spanjës jo vetëm që pezulloi këtë vendim, por edhe vendosi për dënimin e përgjegjësve. Duke filluar nga java e kaluar, qeveria e Madridit shfuqizoi autonominë e Katalonjës dhe shkarkoi udhëheqësit nga detyra.

 

Kurse vendet anëtare të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen e tyre për qeverinë spanjolle, që anuloi autonominë e Katalonjës. Gjermania deklaroi se “sovraniteti dhe tërësia territoriale e Spanjës është e paprekshme dhe do të qëndrojë e tillë”. Kurse presidenti i Francës vuri në pah se qeveria e Madridit është bashkëbiseduesja e vetme e tyre. Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe Kryetari i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, bënë të ditur se nuk duan “ndarje dhe përçarje brenda Bllokut të Bashkimit Evropian”.

Si rezultat, fuqitë perëndimore, që për shekuj me radhë kanë pompuar virusin separatist në shumë rajone të botës, veçanërisht në Lindjen e Mesme, me idenë “përça dhe sundo”, sot janë infektuar nga kjo sëmundje, që ata vetë e kanë përhapur.

Këtë qëndrim hezitues (të pavendosur), vendet anëtare të Bashkimit Evropian e tregojnë gjithashtu ndaj negociatave të anëtarësimit të Turqisë dhe veçanërisht në çështjet politike. Sot, në shumë rajone të Evropës, me në krye vende si Anglia, Franca, Italia, Danimarka, Belgjika, Kroacia dhe Polonia, ekzistojnë lëvizje politike separatiste që kërkojnë pavarësi. Nga ky aspekt, çështja e Katalonjës luan rolin e një katalizatori për të ardhmen politike të Evropës. Si rrjedhojë, rezultati negativ apo pozitiv, që do të tregojë Bashkimi Evropian në këtë çështje, do të ndikojë në një mënyrë të ngjashme në unitetin dhe integritetin politik të Evropës.

 

Koment nga prof. dr. Mustafa Sıtkı Bilgin



Lajme të ngjashme