Gjermani – Merkel zyrtarizon vullnetin për të qeverisur me FDP-në dhe të Gjelbërit

Kancelarja gjermane konfirmoi të shtunën se do të zhvillohen bisedime me liberalët dhe të Gjelbërit në kuadër të formimit të një koalicioni të ri qeveritar, një përfundim logjik pas rezultateve të zgjedhjeve legjislative...

Gjermani – Merkel zyrtarizon vullnetin për të qeverisur me FDP-në dhe të Gjelbërit

Kancelarja gjermane konfirmoi të shtunën se do të zhvillohen bisedime me liberalët dhe të Gjelbërit në kuadër të formimit të një koalicioni të ri qeveritar, një përfundim logjik pas rezultateve të zgjedhjeve legjislative.

“Dëshiroj që koalicioni të formohet”, konfirmoi Merkel në Dresden, gjatë një fjalimi para të rinjve të partisë së saj duke shtuar se bisedimet do të ishin të vështira.

Partia Demokristiane (CDU) e Merkelit u rendit në krye me 33 për qind të votave gjatë zgjedhjeve legjislative të 24 shtatorit, një rezultat i gjykuar “zhgënjyes” nga kancelarja, por që tashmë është e detyruar të formojë një koalicion të ri me liberalët e FDP-së (10,7 për qind) dhe të Gjelbërit (8,9 për qind), të hapur për një skemë qeveritare.

Me rreth 20 për qind të votave, socialdemokratët e SPD-së theksuan pas zgjedhjeve se rezultatet nuk ishin ato që priteshin për një “koalicion tjetër të madh” me konservatorët dhe vendosën të qëndrojnë në opozitë.

“Është e dukshme që në një të ardhme të afërt SPD-ja nuk është në gjendje të qeverisë në nivel kombëtar dhe për këtë arsye ne nuk duhet të përpiqeni të mendojmë më shumë”, theksoi Merkel.

Një qeveri treshe, konservatorë-FDP-të Gjelbërit, quajtur “koalicioni xhamajkan” për shkak të ngjyrave të tri partive, do të ishte i pazakontë në Gjermani në nivel kombëtar.

Megjithatë një koalicion i tillë ekziston në plan rajonal që prej disa muajsh në Schleswig-Holstein (veri). Para tij, një tjetër land i vogël, Sarre, është drejtuar nga viti 2009 deri në 2012-n nga një koalicion i tillë.

Të dielën, kancelarja dhe disa zyrtarë të partisë së saj demokristiane do të mblidhen në Berlin me aleatët e tyre bavarezë të CSU-së për të gjetur një marrëveshje për një program të përbashkët për katër vitet e ardhshme, veçanërisht për çështjen migratore.

CSU-ja kërkon vendosjen e një kuote maksimale prej 200.000 refugjatësh të pritur në Gjermani në vit, të cilën as kancelarja, as liberalët dhe as të Gjelbërit nuk duan ta dëgjojnë.

Por Merkel u shpreh optimiste për arritjen e një marrëveshjeje nga të gjitha palët.



Lajme të ngjashme