Lavrov paralajmëron ShBA-në për veprimet në Siri

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve të njëanshme në Siri pa miratimin e Damaskut.

Lavrov paralajmëron ShBA-në për veprimet në Siri

Lavrov bëri një deklaratë në lidhje rrëzimin e një avioni të ushtrisë siriane në Raka nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga ShBA. 

Duke folur në një konferencë shtypi, të mbajtur me rastin e takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të BRICS-it në Pekin, Lavrov tha:

"Nëse flasim për atë që ka ndodhur në Siri, ne themi se duhen respektuar pavarësia dhe integriteti territorial i Sirisë. Për çdo veprim në terren duhet marrë miratimi i Damaskut".

Lavrov theksoi gjithashtu se Rusia, Irani dhe Turqia u pajtuan me qeverinë siriane në propozimet dhe iniciativat e ndërmarra në kuadër të procesit të Astanës.

"Të gjitha palët duhet të veprojnë kështu. Zonat e sigurta në Siri janë një nga opsionet e mundshme për të arritur progres. Ne i ftojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha palët që kanë trupat e tyre në Siri apo ata që janë mentorët e këtyre forcave në terren, të koordinohen me punimet që ne jemi duke realizuar me miratimin e qeverisë (siriane)”, nënvizoi shefi i diplomacisë ruse.

 


Lajme të ngjashme