Në Maqedoni hyri në fuqi ligji për përdorimin e gjuhës shqipe

Sipas ligjit gjuha shqipe tani në Maqedoni do të përdoret plotësisht si në të shkruar ashtu edhe në folur, si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera.

Makedonya Meclis Başkanı_Talat Xhaferi_Caferi.jpg
Makedonya Başbakanlık.jpg
Makedonya cumhurbaşkanı İvanov Bayram mesajı.jpg
Makedonya Arnavutça.jpg
Arnavutluk_Makedonya bayrakları.jpg

Në Maqedoni hyri në fuqi ligji për përdorimin e gjuhës shqipe

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, të martën ka nënshkruar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe i njëjti është publikuar në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë me çka dhe ka hyrë në fuqi.

Vendimi për përdorimin e gjuhës shqipe në Gazetën Zyrtare është publikuar pa nënshkrimin e presidentit maqedonas Gjorge Ivanov. Ai e ka shpërfillur në vazhdimësi të dekretojë ligjin në fjalë, me arsyetimin se është “antikushtetues dhe nxitës i tensioneve ndëretnike”.

Shpallja e Ligjit për Gjuhët në Gazetën Zyrtare dhe e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, pa dekretin e Presidentit, është jo-kushtetues. Kjo paraqet bazë për ndjekje penale”, thuhet në reagimin me shkrim të presidentit, Gjorge Ivanov.

VMRO DPMNE-ja opozitare e vlerëson si akt të dhunimit të demokracisë publikimin e ligjit në gazetën zyrtare. Ajo njëherit u ka bërë thirrje institucioneve të bojkotojnë zbatimin e ligjit të gjuhëve në nivel qendror dhe vendor.

"Përgjegjësinë për botimin e ligjit pa firmën e Ivanovit e mban Martin Kostovski, drejtor i Gazetës Zyrtare dhe të gjithë të involvuarit e tjerë. Me këtë akt LSDM-ja sërish ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Maqedoni”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së.

LSDM akuza të tilla i konsideron si përpjekje për të rrënuar konceptin qeveritar: një shoqëri për të gjithë. Socialdemokratët konsiderojnë se me ligjin e gjuhëve nuk humb askush por mundësohet komunikim më i mirë i qytetarëve me institucionet, pa cenuar gjuhën maqedonase.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e partive shqiptare, aktin e publikimit të Ligjit për gjuhët në gazetën zyrtare e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm për pozitën e gjuhës shqipe.

Deputeti i BDI-së Artan Grubi ka thënë se me këtë akt është zbatuar tërësisht Marrëveshja e Ohrit.

“Më në fund arritën të zbatojmë pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, me ç’rast arritëm barazinë gjuhësore në Maqedoni në përputhje me kushtetutën dhe me premtimet tona programore. Shoqëria jonë po bëhet më e fuqishme, më kohezive, më e integruar dhe më evropiane”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Çfarë parasheh ligji për gjuhët?

Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si në të shkruar ashtu edhe në folur, si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Me këtë ligj drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t'i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe. Zgjidhja ligjore parasheh që edhe mbishkrimet në nivel qendror të jenë në dy gjuhë.

Për zbatimin e ligjit do të jenë përgjegjëse Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoriati për Përdorimin e Gjuhëve. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet nga 4 deri në 5 mijë euro.

Ligji për Gjuhët u miratua vitin e kaluar në një situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota “për”, presidenti, Gjorge Ivanov, nuk e dekretoi ligjin.

Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë, pas kalimit në lexim të tretë, nënshkrimi nga ana e Presidentit nuk është i nevojshëm.

-Përgatiti për TRT Shqip, Nazmie PACOLLI, Shkup



Lajme të ngjashme