Forcohet bashkëpunimi midis Malit të Zi dhe Turqisë

Një delegacion parlamentar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit turk nën drejtimin e kryetarit të këtij komisioni, Volkan Bozkir ka realizuar takime të rëndësishme me autoritet shtetërore të Malit të Zi.

Volkan Bozkır_Millo Gjukanoviq.jpeg
TBMM Dışişleri Komisyonu heyeti Karadağ ziyareti.jpg
Volkan Bozkır_Ivan Brajoviq.jpg
Karadağ_Avrupa Konseyi heyeti yerel medyalarla görüştü.jpg
Loro Nrekiqi_Mostar_Tiran_Gjirokaster temsilcileri kabul etti.jpg

Forcohet bashkëpunimi midis Malit të Zi dhe Turqisë

Diplomacia parlamentare intensive e Malit të Zi dhe Turqisë do ti kontribuojë forcimit të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Ky është njëri nga përfundimet që doli nga takimi i Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq me delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Turqisë që kryesohej nga kryetari i këtij komisioni, Volkan Bozkir. Në takim, krye parlamentari Brajoviq citohet të ketë thënë se bashkëpunimi ekonomik është i një rëndësie të veçantë për agjendën e raporteve bilaterale, e në këtë drejtim kontribuon shumë edhe gatishmëria e investitorëve turq që të investojnë në pjesët e pazhvilluara të Malit të Zi. Nga ana tjetër Kryetari i Komisionit të parlamentit të Turqisë, Volkan Bozkir u shpreh i kënaqur për vendosjen e bashkëpunimit ndërparlamentar. Ai po ashtu vlerësoi edhe qëndrimin pozitiv të anëtarëve të NATO-s për aktivitetet e deri tanishme të Malit të Zi. Më takim po ashtu u fol edhe për proceset integruese të të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe rëndësinë e zgjerimit që është me rëndësi për stabilitetin e rajonit. Gjatë qëndrimit në Podgoricë Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Volkan Bozkir u prit në takim edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Nënshkruhet Marrëveshja e re e Tregtisë së Lirë midis Malit të Zi dhe Turqisë 

Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi nënshkroi protokollin për Tregti të Lirë me Republikën e Turqisë. Me nënshkrimin e këtij dokumenti zyrtarisht kanë përfunduar bisedimet për zgjerimin dhe ndryshimin e marrëveshjes ekzistuese. Marrëveshja e re parasheh rritje të liberalizimit tregtar në prodhimet bujqësore dhe qasje në treg në pjesën e shërbimeve. Nisur nga fakti që marrëveshja e mëparshme e tregtisë së prodhimeve bujqësore ka qenë në shkallë të ulët, me ndryshimet e protokollit palët u pajtuan për liberalizim shtesë për këto prodhime. Ky protokoll krahas taksës bazë përmban dhe pjesë që kanë të bëjnë me telekomunikacionin, shërbimet financiare, bashkëprodhimin e filmave dhe serialeve televizive, tregtinë elektronike dhe qarkullimin e personave për çështje afariste. Sipas nënshkruesve, protokolli do ti kontribuojë forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe do të luajë rol të rëndësishëm në rritjen e investimeve të Republikës së Turqisë në Mal të Zi  Po ashtu hapen mundësi të reja për forcimin e tregtisë së lirë të prodhimeve bujqësore, e me këtë prodhuesve nga Mali i Zi dhe atyre të Turqisë u mundësohet shkëmbimi më i lirë i mallrave. 

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi reagon ndaj veprimeve të Policisë së Ulqinit

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi shpreh shqetësimin dhe ka dënuar veprimet e zyrtarëve të Policisë, Filialit të Sigurisë Ulqin, të cilët kanë ndaluar dhe proceduar qytetarin me kombësi shqiptare të Komunës së Ulqinit për shkak të shpalosjes së simbolit kombëtar (flamurit) në veturën e tij më datë 28 nëntor 2018, datë që shënon Ditën e Flamurit Kombëtar, ditë feste për shqiptarët. Këshilli i konsideron të papranueshme dhe tendencioze veprimet tashmë të përsëritura të zyrtarëve të Policisë në Mal të Zi, rasti i fundit në Ulqin, të cilët në zbatim të nenit 23 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, procedojnë qytetarët me përkatësi etnike shqiptare për shkak të shpalosjes së simboleve kombëtare (me argumentin se kanë paraqitur në vende publike simbolin e një shteti tjetër, gjë që dënohet sipas ligjit) e drejtë kjo që pakicave kombëtare iu garantohet me Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79, pika 2 dhe po ashtu me Ligjin aktual për Përdorimin e Simboleve Kombëtare neni 1, 2 dhe 3. Këshilli Kombëtar, për njoftim, që në vitin 2012 i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, shkresën së bashku me Flamurin Kombëtar, përmes të cilës e njofton organin përkatës se cili është simboli kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi, e që pakicat kombëtare (në rastin tonë shqiptarët) kanë të drejtën e përdorimit të lirë të tij, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin aktual për përdorimin e simboleve kombëtare. Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për këtë rast kanë njoftuar dhe do të informojnë zyrtarisht të gjitha organet relevante shtetërore në Mal të Zi dhe ato ndërkombëtare, të cilat monitorojnë implementimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Po ashtu, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve mbështet plotësisht iniciativën e nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, deputetit Genci Nimanbegu, për ndryshimin e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, konkretisht shfuqizimin e nenit 23 të këtij ligji.

Mediat e pakicave kombëtare në Mal të Zi në fokusin e delegacionit të Këshillit të Evropës  

Një delegacion i Këshillit të Evropës (KE) për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, u takua në Podgoricë me përfaqësuesit e mediave të pakicave në Mal të Zi. Zyrtarët evropianë patën rast që nga drejtuesit e këtyre mediave të njihen me vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen këto media dhe pozitën e tyre në kushtet e ekonomisë së tregut. Fokus i posaçëm i interesimit të ekspertëve të KE-së ishte shtrirja territoriale e frekuencave të Radio Televizioneve dhe mbulimi i programacionit në gjuhën e pakicave, se sa i përmbushin ato nevojat informative të popujve pakicë në Mal te Zi. Në takim u veçua nevoja e themelimit të një fondi të veçantë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi për përkrahjen e mediave të pakicave dhe qëndrueshmërinë e tyre. Po ashtu u vu në dukje edhe problematika e tarifave të larta për pagesat e licencave për transmetim, ku u përmend edhe ideja e lehtësirave për këto pagesa për mediat e pakicave nga ana e rregullatorëve mediatikë.

Komuna e Ulqinit e gatshme të përkrah projektet e trashëgiminë kulturore

Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiqi dhe nënkryetarja Hadixha Gjoni pritën delegacionin nga vise të ndryshme të regjionit të shoqëruar nga afaristë të njohur të Ulqinit. Në takim përfaqësuesit nga Mostari, Tirana, Gjirokastra dhe Ulqini prezantuan mundësitë e bashkëpunimit, veçmas në planin e organizimit të Panaireve të artizanateve, që kanë për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, folklorit, promovimit të ofertës turistike etj. Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiqi edhe me ketë rast përsëriti qëndrimin se komuna ka përkrahur dhe do të përkrahë projektet që promovojnë vlerat e mjedisit tonë dhe ato që i kontribuojnë forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon. Përndryshe ka vite që në Ulqin me sukses vepron Shoqata e artistëve dhe artizanëve “Globus Art”, e cila organizon Panairin e rregullt veror apo atë në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, që kanë për qëllim promovimin e vlerave.

Në Podgoricë shpaloset krijimtaria e regjisorit turk Semih Kaplanoğlu

Në Podgoricë në organizim të Institutit “Yunus Emre” dhe kinotekës malazeze nga data 6-9 dhjetor do të shfaqet retrospektiva e krijimtarisë së regjisorit turk Semih Kaplanoğlu. Në kuadër të programit është paraparë që të shfaqen katër filma të veprimtarisë së tij artistike si filmat: “Veza” “Qumështi”, “Mjalti” dhe “Dromca”. Përndryshe interesimi për kinematografinë turke në Mal të Zi është tejet i madh. Këtu kemi para sysh faktin që pothuajse në të gjitha televizionet me shtrirje kombëtare të rrjetit, transmetohen serialet më të njohura turke.

Përgatiti për TRT Shqip, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme