Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 47-të)

Konferenca e Lozanës dhe Shqipëria (vijon nga numri i kaluar)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 47-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 47-të)

Në fund të Luftës Nacionalçlirimtare turke, një luftë nga e cila Turqia doli fitimtare, më 20 nëntor 1922 u mblodh Konferenca e Lozanës. Përveç Turqisë në Konferencën e Lozanës shtatë shtete të tjera, Anglia, Franca, Italia, Greqia, Japonia, Rumania dhe Jugosllavia, marrin pjesë si shtete me të drejta të plota mbi të gjitha pikat. Përveç këtyre shteteve Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria në Konferencë marrin pjesë vetëm për të diskutuar çështjen e ngushticave. Kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen pjesë e Konferencës së Lozanës me cilësinë e vëzhguesit.   

Borxhet e trashëguara të Shtetit Osman në Konferencën e Lozanës trajtohen në sesionin e datës 27 nëntor 1922 në kuadër të çështjeve ekonomike dhe financiare. Në këtë mbledhje delegati turk Ismet Pasha propozon që borxhet e prapambetura nga Shteti Osman të ndahen me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Perandoria Osmane[1]. Pas këtij propozimi kërkohet që në sesionet, ku do të diskutohen çështjet ekonomike dhe financiare të marrë pjesë edhe Shteti Shqiptar. Me pjesëmarrjen e Shqipërisë në këto sesione delegacionet e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Qeverisë së Shqipërisë takohen për herë të parë në një mbledhje ndërkombëtare.    

Në sesionin e nënkomisionit mbajtur ditën e martë, më 19 dhjetor 1922, në diskutimet për borxhet e trashëguara të Shtetit Osman marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Mehdi Frashëri dhe Benoit Blinishti, ky i fundit ishte përfaqësuesi i shtetit shqiptar pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Kryetari i delegacionit shqiptar Mehdi Frashëri në këtë sesion në lidhje me likuidimin e borxheve të trashëguara të Shtetit Osman në mënyrë të përmbledhur përcjell këto opinione[2].

1. Për sa i takon likuidimit të borxheve të Shtetit Osman Shqipëria duhet trajtuar njësoj si shtetet e tjera të Ballkanit që u shkëputën nga Perandoria Osmane me Traktatin e Berlinit, duke pasur parasysh faktin që Shqipëria në aspektin ekonomik është në një gjendje më të prapambetur se këto shtete. Gjendja ekonomike e Shqipërisë është aq e dobët, sa që nuk mund të krahasohet me periudhën kur fituan pavarësinë shtetet e tjera ballkanike. 

2. Me përjashtim të godinës së ish-prefekturës në Shkodër, Shteti Osman në Shqipëri nuk kishte ndërtuar objekte prodhimi dhe strehimi si dhe vepra të dobishme që ti shërbenin popullatës si hekurudha, kanalizime, shkolla etj. 

3. Duke filluar nga viti 1909 e deri në vitin 1921 Shqipëria ishte kthyer në një fushë lufte dhe pushtimesh. Në Luftën e Parë Botërore megjithëse Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës 2/3 e vendit ishin shkatërruar e plaçkitur duke mos lënë prapa asgjë. Me pushtimin ushtarak të Shqipërisë nga Perandoritë e Evropës Qendrore, duke filluar nga viti 1915 e prapa ishin grabitur në mënyrë metodike edhe bagëtia e imët, që ishte pasuria e vetme që kishte vendi gjatë kohës së luftës. Edhe pse shtetet e tjera të Ballkanit u mbështetën në jetën e tyre politike pas pavarësimit, Shqipëria, jo vetëm që nuk pa as ndihmën më të vogël në këtë drejtim, por për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet bota nuk ekziston as shpresa që në një të ardhme të afërt vendi të merrte ndonjë ndihmë të jashtme[3].

Mehdi Frashëri pasi i renditi opinionet e mësipërme kishte shprehur dëshirën për të marrë pjesë në kuadër të kërkimit të të drejtës në likuidimin e borxhit të trashëguar të Shtetit Osman dhe e kishte përfunduar me një fjalë të urtë popullore shqiptare fjalimin e tij: “nga një vend që nuk ka asgjë as perënditë nuk marrin dot gjë”. Edhe përfaqësuesit francezë dhe italianë opinionet dhe ndjenjat e tyre i shprehën duke i qëndruar afër Shqipërisë. Vetëm se nënkomisioni u bën të ditur delegatëve shqiptarë se është e pamundur të bëhet përjashtim në parimin që një pjesë e borxhit të trashëguar të Shtetit Osman të pranohet nga Shtetet e Ballkanit. 

Në sesionin e datës 15 janar 1923 përfaqësuesit e Shqipërisë propozojnë që borxhi për hekurudhat të vlerësohet veçmas nga borxhi i përgjithshëm dhe të ndahet mes vendeve ku kalon hekurudha. Në sesionin e të njëjtës ditë negociohet edhe mbi të drejtat e shtetasve që kanë fituar të drejtën e marrjes së pensionit për shërbimet që i kanë bërë Shtetit Osman dhe më pas kanë emigruar në Shqipëri. 

Gjatë diskutimeve Mehdi Frashëri thotë se Austria kishte depozituar në bankën austriake Wienerbank 30 milionë korona, një shumë të cilën Austria e kishte siguruar si tepricë buxhetore gjatë pushtimit në Shqipëri. Si rrjedhim Frashëri propozon që në qoftë se Shqipërisë do ti takojë pjesë nga borxhi i Shtetit Osman, atëherë kjo shumë duhet të zbritet nga paratë që Shqipëria ka për të marrë nga Austria. Përfaqësuesi francez M. Bompard thotë se kërkesa e parashtruar nga Frashëri nuk i intereson Turqisë, duke shtuar se kjo çështje duhet zgjidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërmjet Shqipërisë dhe shteteve aleate[4].

Delegacioni përfaqësues turk më 4 shkurt 1923 u shkruan nga një letër kryetarëve të delegacioneve që përfaqësonin Anglinë, Francën dhe Italinë, përmes të cilës paraqet propozimet e veta. Në bazë të kësaj pranohet që në përshtatje me kërkesat e delegacioneve shqiptare dhe greke borxhi i hekurudhave t’u ngarkohet vendeve trashëguese nëpër të cilat kalon hekurudha[5].

Në fund të negociatave sipas pikave 46-57 të Traktatit të Lozanës pranohet si parim që borxhet e trashëguara nga Shteti Osman duhet të paguhen nga shtetet që i kishin zgjeruar territoret e tyre me tokat që kishin marrë nga Shteti Osman në fund të Luftërave Ballkanike. Sipas kësaj vendoset që borxhet që kishte marrë Shteti Osman para datës 17 tetor 1912 të ndahen mes Shteteve Ballkanike që kishin marrë territore nga Shteti Osman si pasojë e Luftërave Ballkanike 1912-1913 dhe ndërmjet shteteve që kishin marrë ishujt. Gjithashtu deklarohet se do të merren në konsideratë edhe ndryshimet që do të ndodhin pas hyrjes në fuqi të traktateve të paqes që u dhanë fund këtyre luftërave apo marrëveshjet e tjera që do të bëhen më vonë. Gjatë ndarjes së borxheve vlerësohen raportet e përgjithshme të të ardhurave mesatare brenda viteve financiarë 1901-1911 dhe 1911-1912, tarifat shtesë doganore që kishin nisur të zbatoheshin në vitin 1907 si dhe të ardhurat e vendeve trashëguese[6].

Pas caktimit të interesave vjetore komisioni i ngritur në bazë të pikës së 49 të Traktatit të Paqes së Lozanës mblidhet në Paris në datat 1 korrik – 21 tetor 1925. Në emër të Turqisë në punimet e këtij komisioni marrin pjesë Ambasadori turk në Bern Münir Beu dhe Deputeti i Trabzonit Shefik Bej. Gjithashtu në këtë komision marrin pjesë edhe delegatë nga Franca, Anglia, Greqia, Bullgaria, Italia, Iraku, Palestina dhe Bregu Perëndimor dhe nga Agjencia për Administrimin e Borxheve Publike të Shtetit Osman (Duyunu Umumiye). Shqipëria në mbledhjen e këtij komisioni nuk dërgon përfaqësues. Në fund të mbledhjes së Komisionit, i cili zhvilloi 11 seanca, shuma themelore e borxhit pjesëtohet ndërmjet shteteve përkatëse. Në bazë të kësaj nga 129 milionë e 604 mijë e 910 lira turke që ishte i gjithë borxhi osman, Turqisë i takon 34 milionë e 597 mijë e 495 lira turke, kurse Shqipërisë i takon pjesa prej 1 milionë e 33 mijë e 233 lira turke. Borxhet e Shqipërisë përfshijnë periudhën para datës 17 tetor 1912 dhe korrespondojnë me 1,57% të borxhit të përgjithshëm osman[7].

Çështja e pensioneve, të cilën Frashëri e ngriti me këmbëngulje disa herë, rregullohet me pikën 61 të Traktatit të Paqes së Lozanës. Në bazë të kësaj vendoset që ata persona që kanë përfituar një pagë pensioni civil apo ushtarak turk në rast se kanë një shtetësi tjetër dhe jetojnë jashtë Turqisë nuk mund të kërkojnë nga Qeveria Turke ndonjë gjë në lidhje me këtë çështje[8].

Si përfundim delegacionet zyrtare turke dhe shqiptare për herë të parë përballen në një platformë ndërkombëtare, në Konferencën e Lozanës, ku u aprovua pavarësia e Turqisë. Shteti Shqiptar, që e kishte rifituar edhe një herë pavarësinë, merr pjesë në seancat e komisionit të mbledhur me qëllim diskutimin e çështjeve ekonomike dhe financiare për të caktuar borxhet e trashëguara nga Shteti Osman. Në këto sesione delegacioni shqiptar paraqet me të drejtë pamundësitë materiale, gjendjen e vështirë ekonomike e financiare në cilën ndodhej vendi i tyre. 

Sipas delegacionit shqiptar shtetet që kishin përkrahur pavarësinë e Shqipërisë nuk e kishin ndihmuar atë me ndihma materiale; për shkak të luftërave që vazhduan pas procesit të pavarësimit të vendit Shqipëria nuk kishte marrë nga jashtë asnjë ndihmë financiare. Gjithashtu për arsye të pushtimeve dhe trazirave të brendshme Shqipëria nuk arriti që ti përdorë në ekonomi dinamikat e saj të brendshme. Vështirësitë ekonomike të vendit të tyre delegacioni shqiptar i ngriti vazhdimisht gjatë punimeve të konferencës duke sjellë propozimin që borxhet për hekurudhën të ndahen mes shteteve që përfitojnë nga hekurudhat dhe mbajti një qëndrim këmbëngulës në lidhje me këtë çështje. Kurse delegacioni turk duke pasur parasysh gjendjen e Shqipërisë, me të cilën Turqia kishte bashkëpunuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare turke pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike që kishte pasur, e kishte pranuar propozimin e delegacionit shqiptar në lidhje me borxhin e hekurudhave. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren, Seha L. Meray, Yapı Kredi Yayınları, C.III, Takım 1, Kitap II, İstanbul, 1993.

LBK Tutanaklar-Belgeler, C.IV, Takım 1.

LBK Tutanaklar-Belgeler, C.II, Takım 2.

 LBK Tutanaklar-Belgeler, C.II, Takım 2.

YILMAZ,Faruk, Osmanlıdan Cumhuriyete Dış Borçlar (Düyûn-u Umumiye), Kale Ofset Matbaacılık, Ankara, 2003.

 

[1]Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren, Seha L. Meray, Yapı Kredi Yayınları, C.III, Takım 1, fq.3.

[2]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.III, Takım 1, fq. 222-224.

[3]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.III, Takım I, fq. 222-224.

[4]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.III, Takım I, fq. 250-251.

[5]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.IV, Takım 1, fq. 8-10.

[6]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.II, Takım 2, fq. 13-19.

[7] Faruk Yılmaz, Osmanlıdan Cumhuriyete Dış Borçlar (Düyûn-u Umumiye), Kale Ofset Matbaacılık, Ankara, 2003, fq. 309-312.

[8]LBK Tutanaklar-Belgeler, C.II, Takım 2, fq. 21.



Lajme të ngjashme