Szijjarto: BE-ja nuk është e drejtë ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto deklaroi të enjten në Prishtinë se Bashkimi Evropian (BE) nuk është i drejtë ndaj Kosovës dhe se shteti i tij mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Szijjarto: BE-ja nuk është e drejtë ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto deklaroi të enjten në Prishtinë se Bashkimi Evropian (BE) nuk është i drejtë ndaj Kosovës dhe se shteti i tij mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Pas takimit me zëvendësin e parë të kryeministrit të Kosovës, ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, ai tha se Kosova tashmë ka përmbushur 95 kriteret e kërkuara, duke shtuar se nuk është e dejtë që BE-ja të kërkojë kushte të reja.

“Nuk duam që BE të lë Kosovën të presë. Janë 95 kriteret të cilat janë përmbushur me çka Hungaria mbetet një mbështetëse e liberalizimit të vizave. Respektojmë kryesimin austriak që vendosi këtë në rend dite, prandaj Hungaria do të votojë për liberalizimin”, tha Szijjarto.

Ai foli edhe për dialogun Prishtinë-Beograd, për të cilin tha se gëzon mbështetjen e Hungarisë përmes një marrëveshjeje të pranueshme për të dyja palët.

“Stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor është e rëndësisë jetike për ne, pasi kuptojmë se marrëveshja e tillë është bazë për stabilitet afatgjatë”, tha ai.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, ai tha se vendi i tij i ka dhënë Kosovës 62 milionë euro në ndihmë për projektet e infrastrukturës dhe rregullimin e ujit, ndërsa sot është nënshkruar një marrëveshje për të rritur sigurinë në autostrada dhe rrugët e tjera kombëtare të Kosovës.

Ministri Pacolli, nga ana e tij tha se Kosova është e interesuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik me Hungarinë.

Ai theksoi se dy vendet kanë pasur disa marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik, për doganat, mallin dhe transportin e udhëtarëve dhe se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim ofron tregti të lirë me Hungarinë.

"Me Hungarinë kemi shumë marrëveshje ndërsa sot kemi nënshkruar një marrëveshje mes Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe operatorit hungarez, që na mundëson bashkëpunim më frytdhënës. Me realizimin e kësaj marrëveshjeje, në vlerë rreth 5 milionë euro, do të kemi autostrada më të sigurta dhe lëvizje më të sigurt", tha Pacolli.

Shefi i diplomacisë hungareze komentoi edhe kërkesën për azil në Hungari të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për të cilën tha se është një çështje ligjore, jo politike dhe se do të priten rezultatet e autoriteteve kompetente hungareze.

“Mund t’ju them vetëm një gjë. Ajo është çështje ligjore, nuk është politike. Autoritetet kompetente, pra autoriteti i migracionit, do të kryejë procedurat duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe le të shohim rezultatin për të”, u përgjigj Szijjarto, në pyetjen nëse autoritetet hungareze do të pranojnë kërkesën për azil.

Ministri hungarez më pas u takua edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit. (AA)

 



Lajme të ngjashme