Botohet doracaku për mësimin e gjuhës malazeze për shtetasit e Turqisë

Në Podgoricë u promovua doracaku i gjuhës malazeze për folësit e gjuhës turke  "Türkler Için Karadağça El Kitabı", të autores Aylin Galip.

Botohet doracaku për mësimin e gjuhës malazeze për shtetasit e Turqisë

Botohet doracaku për mësimin e gjuhës malazeze për shtetasit e Turqisë

Drejtoria e policisë e Malit të Zi, ka marrë një vendim sipas të cilit, disa intelektualëve serbë, mes tyre edhe Matija Beçkoviç, u ndalohet hyrja në këtë shtet, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi.“Kalimi i kufirit, përveç poetit nacionalist serb, Matija Beçkoviç, u është ndaluar edhe historianëve Çedomir Antiç e Aleksandar Rakoviç, si dhe politikanit serb Dejan Miroviç“, – thuhet në komunikatë. Eprorëve policorë në kufijtë shtetërore u është dhënë lista e personave, të cilët nuk duhet të hyjnë në vend, sepse sipas autoriteteve, rrezikojnë sigurinë e Malit të Zi. Intelektualët serbë, të cilëve u është ndaluar hyrja, kanë qenë paralajmëruar të marrin pjesë në manifestimin pro serb me rastin e Kuvendit të Podgoricës, që konsiderohet si datë e hegjemonizmit serb ndaj shtetësisë së Malit të Zi, pas Luftës së Parë Botërore. Shërbimet malazeze të sigurisë vlerësojnë se “personat në fjalë paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit, për shkak të qëndrimit armiqësor të tyre ndaj pavarësisë së Malit të Zi.” Sipas këtyre mediave, është spekuluar se në listë mund të jetë edhe Arqipeshvi i Kishës Serbe Irinej, por zyrtarët kanë mohuar që ai të jetë në këtë listë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi i ka ndërprerë të enjten punimet, pas konfliktit verbal të Kryetarit të Partisë Liberale Andrija Popoviç dhe njërit nga liderët pro serb, Milan Knezheviç. Më parë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë propozuar që të organizohet kolegjiumi, në të cilin do të ftohet përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të kërkohet përgjigja pse 4 intelektualëve serbë u është ndaluar hyrja në Malin e Zi . Edhe deputeti i Fronti Demokratik, Andria Mandiç, ka kërkuar përgjigje pse Ministria e Punëve të Brendshme ka sjellë një vendim të tillë, sikur fjala të ishte për kriminel e jo për elitën intelektuale, me të cilët krenohet popullsia serbe nga Mali i Zi. Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Branimir Gvozdenoviç,ka theksuar se kjo pikë nuk mund të hapet për debat, sepse nuk është e paraparë në rendin e ditës, ashtu siç kanë kërkuar disa deputetë. “Kemi propozuar organizimin e kolegjiumit, ku do të bisedojmë mbi këtë temë dhe do të ftohen përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të bërë shkëmbimin e informatave” , – ka theksuar Gvozdenoviq.

Titull: Hulumtime për gjetjen e naftës dhe gazit

Në Mal të Zi  ka mbërritur karvani i anijeve për hulumtime sizmike ndër ta edhe anija e madhe norvegjeze “Polar Empres “e gjatë 117 metra . Të shtunën në ujërat territoriale në Mal të Zi do te nisin hulumtimet dhe gërmimet për gjetjen e naftës dhe gazit në këtë pjesë të bregdetit Adriatik. Sipas  njoftimeve hulumtimet për gaz dhe naftë do te zgjasin  deri me datën 31 dhjetor.

Titull: Kryetari i Ulqinit pret delegacionin nga Kosova

Në Ulqin  qëndroi për vizitë pune Koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport i Republikës së Kosovës Rexhep Hoti dhe Azem Guri, Zëvendës ministër  i arsimit. Ata u takuan me kryetarin e Ulqinit Loro Nrekiqi dhe bashkëpunëtorët e tij.  Në takim mysafirët shpalosën Programin Ndërshtetëror për rininë që është një program nacional  i cili është ndërtuar  mbi parimin e gjithë përfshirjes dhe vijueshmërisë e që  u garanton  pjesëmarrje të gjithë nxënësve në tri fusha kryesore në dituri, në kreativitet kulturor  dhe në sport. Mysafirët ishin të interesuar që në këtë  program  brenda mundësive të  përfshihen edhe  nxënësit  tanë. Kryetari Loro Nrekiqi përshëndeti  nismën dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim , veçmas siç u shpreh kur janë në pyetje nxënësit dhe të rinjtë tanë. U la që në një të ardhme të afërt të inicohet dhe një takim i përbashkët  me Ministrin e Arsimit të Malit të Zi. Mysafirët nga Kosova  prezantimin e Programit Ndërshtetëror për Rininë do ta bëjnë edhe në Tuz. 

Titull: Botohet doracaku për mësimin e gjuhës malazeze për shtetasit e Turqisë

Në Podgoricë u promovua doracaku i gjuhës malazeze për folësit e gjuhës turke  "Türkler Için Karadağça El Kitabı", të autores Aylin Galip. Siç kanë thënë autorët e këtij doracaku qëllimi i botimit të këtij libri është që qytetarëve të Turqisë tu lehtësohet mësimi i gjuhës malazeze. Njëri nga autorët është edhe linguisti nga Mali i Zi Samir Axhoviq i cili ka shprehur besimin se ky libër do të gjej rrugën deri tek lexuesi dhe do ti shërbej  shtetasve të Turqisë dhe të gjithë turqisht folësve. Në këtë doracak jemi përpjekur të përmbledhim gjërat më elementare të komunikimit të përditshëm ka thënë ai.  Znj Aylin Galip, përndryshe bashkëshorte e Ambasadorit të Turqisë në Mal të Zi Serhat GHalip, ka deklaruar se ka qenë e njoftuar me gjuhët e Ballkanit e njohuritë e saja kanë qenë sipërfaqësore sepse i ka munguar njohja sistematike e strukturës së fjalive. Sipas saj,  gjuha malazeze ndryshon shumë nga turqishtja  e pasi ka vijuar disa orë mësimi ka propozuar që bashkë me z. Axhoviq të shkruajë një doracak i cili do tu ndihmonte njerëzve që më lehtë ta mësojnë gjuhën.  Në promovimin e librit ishte i pranishëm edhe  ministri i kulturës i Malit të Zi Aleksandar Bogdanoviq  i cili ka përshëndetur këtë aktivitet duke thënë se ky doracak sigurisht do të ketë efekte e veta në pjesën praktike.  Sipas tij ky botimi i shprehjeve dhe fjalive bazë të gjuhës, është njëkohësisht edhe  përmbledhje  e një konteksti të gjerë kulturorë në të cilat mund të shihet  si autenciteti  ynë kulturorë ashtu edhe ndikimet e ardhura nga kulturat e tjera. Ministri Bogdanoviq është shprehur se  njëri nga ndikimet më të mëdha në leksikun e gjuhës malazeze  vjen pikërisht nga gjuha turke.

Titull: Takim me përfaqësueset e Fondacionit ,,Nermin Vlora Falaschi,,

Kryetari I Ulqinit Loro Nrekiqi u takua me Presidenten e Fondacionit  ,,Nermin Vlora Falaschi,,Z.Zenepe Luka dhe Dëshira Subashi. Ata e njoftuan kryetarin me aktivitetet  e Fondacionit  ndër vite dhe  me qëllimin e Fondacionit që të bashkojë zërin e gruas  shqiptare kudo që është. Fondacioni  ka degën e tij  në Ulqin që udhëhiqet  me mjaft sukses nga Mjekja specialiste Zylfije Gjoni Duraku. Kryetari I Ulqinit, çmoi rolin e madh dhe të pa zëvendësueshëm  të gruas. Ai njëherit u shpreh I gatshëm që të mbështesë  aktivitetet  e fondacionit që tubon gra të shquara në fusha të ndryshme.

Titull: Edhe këtë vit “Festa e gështenjave në Krajë 2018”

Në Ostros këtë të shtunë, me përkrahjen e komunës së Tivarit, mbahet “Festa e gështenjave – Krajë 2018”. Në programin e pasur kulturo-artistik do të marrin pjesë një sere artistësh të njohur, derisa vizituesit do të kenë mundësinë që përveç gështenjave të provojnë dhe specialitete tjera nga Kraja përndryshe zonë kjo në kufi me Shqipërinë. Për mysafirë janë siguruar  gështenja të pjekura dhe të ziera”, thonë organizatorët  e  qëllimi i manifestimit është të paraqes kulturën, historinë dhe potencialet turistike të kësaj zone të banuar me shqiptarë në Mal të Zi. Përndryshe kjo festë tradicionale që organizohet për të dymbëdhjetin vit me radhë, u konceptua nga organizatorët si një bashkim i komuniteteve të trekëndëshit Tivar-Ulqin-Shkodër.

Titull:  Bashkësia Islame e Ulqinit organizon mbrëmje fetare

Bashkësia Islame e Malit të Zi, mexhlisi i Bashkësisë Islame Ulqin  organizojnë program fetar në temën: “Muhamedi a.s Shpresa e Njerëzimit”.  Në këtë aktivitet cili zhvillohet në Ulqin marrin pjesë teolog të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi . Eshtë paraparë edhe një pjesë e programit argëtues ku para publikut do te prezantohet dhe kori i Medresesë Mehemt  Fatih në Tuz si dhe kopshti i fëmijëve Xixëllonjat. Përndryshe Bashkësia Islame e Ulqinit me krye imamin Ali Bardhi  është shumë aktive në organizimin e aktiviteteve fetare në komunën e Ulqinit por edhe më gjerë.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme