Kampi i KFOR-it gjerman në Prizren po bëhet gati për Park Inovativ

Janë duke u kryer përgatitjet e fundit që kampi i ushtrisë Gjermane në qytetin e Prizrenit të kthehet në Park Inovativ, si një projekt që do të ndërlidhë të gjithë, si shoqërinë gjermane ashtu edhe kosovare.

Kosova_Alman KFOR ayrılıyor.jpg
UNDP Ulurike Richaldson_Kosova_Dhurata Hoxha_MSA.jpg
Kosova_hava kirliliği.jpg
Kosova Başkenti Priştine_pazar yerleri.jpg

Kampi i KFOR-it gjerman në Prizren po bëhet gati për Park Inovativ

Janë duke u kryer përgatitjet e fundit që kampi i ushtrisë Gjermane në qytetin e Prizrenit të kthehet në Park Inovativ. Për këtë arsye kampi është vizituar nga kryeministri Haradinaj me një ekip ministrash kryesisht të dikastereve ekonomikë. Haradinaj duke falënderuar kontributin e Gjermanisë, shprehu dëshirën që aty të vazhdon të valëvitet flamuri gjerman. 

“I dhurohet Kosovës një infrastrukturë e aftë, e gatshme për tu vu në shërbim për projektin e ri që është parku inovativ e trajnues gjerman. Po themi gjerman sepse dëshirojmë që flamuri gjerman të vazhdoj të valoj lartë këtu në Prizren e në Kosovë edhe në projektin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik”, theksoi Haradinaj.

Kurse Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi se në fillim të vitit ky projekt ishte vetëm ideor në letër, kurse tani është i sigurt se do të realizohet.

“Prezenca e kaq shumë përfaqësuesve të qeverisë tregon për interesimin e madh të shndërrimit të një ish kampi ushtarak në një projekt të tillë i cili do të ndërlidhë të gjithë, si shoqërinë gjermane ashtu edhe kosovare dhe do të jetë një projekt madhështor që do të tejkalojë kufijtë e Prizrenit duke qenë një projekt i njohur rajonal”, tha Heldt.

Gjatë vizitës është kumtuar lajmi se qeveria gjermane ka alokuar një kapital fillestar prej dy milionë eurosh për Parkun Inovativ në Prizren. Deri në fund të vitit do të bëhet dorëzimi i plotë i Kampit nga strukturat ushtareke në ato civile.

***

Në fund të këtij viti largohen ushtarët, në fillim të vitit të ardhshëm vendosen civilët

Pas 19 vjetësh shërbimi, ushtarët gjermanë deri në fund të këtij viti, do ta lirojnë kampin ushtarak të Bundeswehr’it në Prizren për t’ia lënë vendin një projekti tjetër që pritet të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Janë dy qeveritë, ajo gjermane dhe kosovare që po vazhdojnë të punojnë në këtë projekt. Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani Skender Xhakaliu, ka dhënë disa detaje të projektit.

“Parku do të ketë një qendër për zhvillimin e trajnimeve dhe shkollimeve të ndryshme profesionale, që është kërkesë e tregut në Kosovë. Po ashtu është paraparë edhe zhvillimi i bujqësisë. Të jetë e zhvilluar edhe pjesa e turizmit, kur dihet se Prizreni është një qytet jashtëzakonisht shumë i bukur dhe frekuentojnë turistë të ndryshëm. Dhe natyrisht të ketë përqendrim në një inkubator, pra zhvillim ekonomik të Kosovës”, tha Xhakaliu.

Parkut Inovativ të Prizrenit, i është dhënë publicitet jashtëzakonisht i madh edhe në Gjermani, si në qeverinë, ashtu edhe në Bundestagun, përkatësisht Parlamentin gjerman, ku është prezantuar projekti. Sipas tij, ka edhe kompani gjermane të interesuara për projekte në Park. Por, mundësitë ekzistojnë edhe për individë, kompani por edhe OJQ. Nuk do të ketë konkurse të hapura për Parkun Inovativ të Prizrenit, por do të konkurrohet përmes projekteve, theksoi Xhakaliu.

“Është mesi i bashkëpunimit dhe i zhvillimit ekonomik meqenëse ekziston edhe autostrada shumë afër nga kampi, që ndërlidh Shqipërinë dhe Portin në Durrës në vetëm dy orë, që është një përparësi shumë e madhe në të ardhmen për zhvillim të ndonjë prodhimi në këtë hapësirë. Por natyrisht edhe lidhja e autostradës me Maqedoninë do të shkurtojë rrugëtimin në portin e Selanikut.”

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu si anëtar i bordit i projektit, potencoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me Komunën e Prizrenit, e cila ka shprehur gatishmërinë të përshpejtojë planin rregullativ, i cili do të krijonte lidhje të afërt të Parkut me qytetin.

***

Kryetarja Osmani kritikon ministrin e Jashtëm, Pacolli

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryetarja Vjosa Osmani, tha se është e shqetësuar që ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, nuk e ka informuar për asgjë komisionin sa i përket e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Osmani tha se Pacolli e ka bojkotuar këtë institucion legjislativ, pavarësisht ftesave të shumta.

“Unë do të vazhdojë të insistoj sidomos në këtë fazë kur Serbia po e rrit destruktivitetin e vet. Përkundër procesit të dialogut ata po vazhdojnë me ofensiva të tmerrshme qoftë sa i përket njohjeve, qoftë sa i përket kërkesave që shtetet e caktuara të mos votojnë pro Kosovës në Interpol apo organizata tjera, është çështje që duhet të trajtohet në baza javore, e lëre më rrallë. Tani ka disa muaj që ministri i Jashtëm për këtë temë nuk ka raportuar”, tha Pacolli.

Komisioni e diskutoi edhe Projektligjin për Diasporën, i cili do të jetë në diskutim publik, ku deputetja e LDK, Vjosa Osmani, tha se për krijimin e kushteve të diasporës duhet të ndryshohen shumë ligje, siç është ai i RTK-së, që t’ia mundësojë një kanal të veçantë si dhe ligje e rregullore të tjera. Mirëpo, këtë e kundërshtoi deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke u shprehur se diaspora nuk duhet të izolohet, por të ketë emisione për qytetet e Kosovës, historinë dhe gjithçka që i lidh ata direkt me atdheun. Ai nuk beson se deri në muajin prill mund të arrihet deri te një ligj i mirëfilltë për diasporën.

Komisioni i propozoi edhe pesë ekspertë për të punuar në Strategjinë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndër-parlamentar si dhe për ta zgjeruar listën ekzistuese të ekspertëve.

***

UNDP mbështet MSA-në

Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, që parasheh mbështetje për Kosovën në fushën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe agjendës evropian të reformave 2030.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha dhe koordinatorja për Zhvillim në UNDP, Ulurike Richaldson, nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh mbështetje për Kosovën në fushën e integrimeve evropiane. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Dhurata Hoxha tha se memorandumi i nënshkruar ndihmon Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Nga ana e saj, koordinatorja për Zhvillim në UNDP, Ulurike Richaldson tha se e vlerëson partneritetin me institucionet e Kosovës dhe se shpreson që të shikohë progres në jetën e qytetarëve të Kosovës.  

Memorandumi parasheh asistencë për Kosovën edhe sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbushjes së Agjendës Evropian të Reformave, e njohur si reforma 2030.

***

Oda Ekonomike kërkon skema zhvillimore

Oda Ekonomike e Kosovës, vlerëson se projektbuxheti për vitin 2019 ka shumë mangësi sa i përket skemës sociale në vend, e cila ka shënuar rritje. Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqitha se projektbuxheti i paraparë, është i dobishëm për arsim dhe shëndetësi, por është shumë i mangët për sa i përket skemës sociale.

Kjo rritje e buxhetit të arsimit duhet me u përcjellë edhe me reformë edhe me rritje të efikasitetit edhe me indikatorë të performancës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor sidomos te arsimi universitar. Ajo çka mbetet problematike është skema sociale, kemi edhe rritje të skemës sociale. Duke i parë nevojat zhvillimore të vendit, ne do të donim të shihnim shumë më shumë skema zhvillimore e shumë më pak skema sociale”, është shprehur Rukiqi, 

Rukiqi bëri të ditur se me 3 dhjetor në Prishtinë, do të organizohet konferenca për ekonomi me temë: Diskutimet për Ballkanin Perëndimor. Rukiqi tha se së shpejti, do të vizitojë Shqipërinë, për t’u takuar me ministrin e Financave të Shqipërisë, ku ndër temë kryesore do të jetë taksa rrugore në Rrugën e Kombit. Ai tha se do të kërkohet zbritja e taksës për transportuesit kosovarë.

***

Vitin e ardhshëm rindërtohen tregjet e Prishtinës 

Tregjet e komunës së Prishtinës janë në gjendje të mjerueshme që nga paslufta. Por, nënkryetari i Komunës Selim Pacolli thotë se gjatë vitit të ardhshëm, më në fund do të fillohet me rindërtimin e tregjeve. Së pari do të fillohet me rindërtimin e dy tregjeve të pemëve e perimeve, e më pas edhe të tregut të kafshëve si dhe tregut të automjeteve. Por, para të gjithëve pritet të hapet një treg i prodhimeve vendore, theksoi Pacolli.

“Ne si komunë pretendojmë shpejt të ofrojmë një treg ekskluzivisht për produkte vendore, ku secili qytetar që interesohet për produkte vendore ta dijë adresën e duhur.”

Pacolli tha se vendi i tregut të produkteve vendore ende nuk është përcaktuar. Ai kumtoi edhe një lajm të mirë, ashtu siç tha vet ai.

“Është një lajm i mirë që në tri vitet e ardhshme Komuna e Prishtinës ka ndarë një fond prej 1,5 milionë euro ekskluzivisht për mbështetjen e fermerëve të sektorit të bujqësisë”, tha Pacolli.

Ndryshe, komuna e Prishtinës të enjten ka hapur një Panair treditor të prodhimeve vendore, por që nga qytetarë u vlerësua si një panair i zbehtë dhe shumë i vogël.

***

Mërgim Lushtaku merr konfirmimin e Emirateve për Interpol

Deputeti i PDK’së Mergim Lushtaku është takuar me shefin e Misionit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Mal të Zi që mbulon edhe Kosovën, Abdulsalam Hareb Obaid Al Romaithi, me të cilin ka folur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Lushtaku, përmes një postimi në rrjetin social thotë se nga nikoqiri ka marrë përkrahjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Si Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-EBA në kuadër të Kuvendit të Kosovës, me Ambasadorin e zhvilluam një takim të ngrohtë e të këndshëm njoftues, ku biseduam për miqësinë e dy shteteve dhe mbështetjen e EBA-së që ka bërë për Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës, me ç'rast përmes tij e falënderova popullin e Emirateve, duke i kërkuar mbështetje edhe më tej. Ambasadorit i kërkova mbështetje të mëtejme për lobim për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare, sidomos tani në Interpol, pasi që nga 18 deri 21 nëntor në Dubai do të mblidhet Asambleja e 87-të e Përgjithshme e INTERPOL-it. Si nikoqir, EBA mund të luaj rolin e pazëvendësueshëm për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë. EBA-ja duke qenë model i shteteve për zhvillim ekonomik dhe biznes-bërje ndërkombëtare, me ambasadorin diskutuam edhe për mundësinë e investimeve në Kosovë. I bëra ftesë ambasadorit që të vizitojë Kosovën, duke sjellë edhe investitorë potencial në vendin tonë. U dakorduam që të harmonizojmë datat për takime më konkrete lidhur me çështjet e ngritura në këtë takim të frytshëm”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

***

Dënohet me burg një ish-kryetar komune 

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me 3 vjet burg. I akuzuari i dytë në këtë rast, Nebih Zariqi, është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg ndërsa edhe i akuzuari i tretë është gjetur fajtor. Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave. Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”. Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum për dhënien me qira të një ndërtesë të laboratorit në Lipjan. Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet. Me këtë Prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

***

Vjen dimri, kthehet ajri I ndotur në Kosovë

Me uljen e temperaturave në Kosovë, cilësia e ajrit në kryeqytet është përkeqësuar. Të hënën në mbrëmje, Prishtina është gjindur përsëri në mesin e 10 vendeve me ajrin më të ndotur në botë, me 149PPm. Matja e cilësisë së ajrit në Kosovë bëhet vetëm për Prishtinë, nga instrumentet e vendosura nga ambasada amerikane. Ndryshe, në mesin e 10 qyteteve me ajër më të ndotur në botë janë gjendur edhe dy qytete tjera ballkanike, Sarajeva në pozitën e gjashtë, me 156 PPm, si dhe Shkupi në të katërtën me 163 PPm. Qyteti më İ ndotur në botë të hënën mbrëma ishte Nju Delhi me 318 PPm.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme