Bullgari – Arrestohet vrasësi i dyshuar i gazetares Viktoria Marinova

Policia ka arrestuar një person të dyshuar, shtetas rumun që posedon edhe pasaportë moldave, sipas mediave bullgare...

Bullgari – Arrestohet vrasësi i dyshuar i gazetares Viktoria Marinova

Mediat bullgare shkruajnë se policia ka arrestuar të martën një person të dyshuar për vrasjen e gazetares Viktoria Marinova.

Trupi i pajetë i gazetares, e cila po bënte një hulumtim për korrupsion të mundshëm në qeveri, u zbulua të dielën.

Siç raportohet në bazë të informacioneve ende të pakonfirmuara, policia ka arrestuar një person të dyshuar, shtetas rumun që posedon edhe pasaportë moldave. Aktualisht nuk ka informacione më të detajuara për rastin në fjalë.

Policia është duke kryer një hetim për përdhunim dhe vrasjen e gazetares 30-vjeçare, trupi i së cilës u gjet në një park në qytetin e saj.

Hetuesia bullgare deklaroi të dielën se gazetarja Marinova e televizionit lokal "TVN", është goditur në kokë me një send të fortë dhe më pas është vrarë duke u mbytur, në qytetin Ruse në veri të vendit.

Hetim mbi abuzimin e fondeve të BE-së

Prokuroria bullgare ka nisur një hetim mbi abuzimin e fondeve të Bashkimit Evropian, të cilës i parapriu vrasja brutale e gazetares Marinova, e cila shkroi për një korrupsion të mundshëm ne qeverinë e Bullgarisë.

Ministria e Brendshme bullgare njoftoi të hënën vonë nisjen e hetimit. Ajo bëri të ditur se pjesë e hetimit të tyre është grupi GP, një kompani ndërtimore e cila, siç thuhet, ka abuzuar me fondet e BE-së duke ngrirë 14 milionë euro të saj.

Të hënën, në kryeqytetin Sofje dhe shumë qytete të mëdha të Bullgarisë u mbajtën protesta për vrasjen e gazetares 30-vjeçare, Viktoria Marinova. 

Kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Cveta Karajançev, dënoi gjithashtu vrasjen e gazetares bullgare duke theksuar se hetimi së shpejti do të zbardhte të gjithë çështjen. 

Ky është rasti i tretë i vrasjes së një gazetari në BE që nga tetori i vitit të kaluar. Kujtojmë se në tetor 2017 u vra gazetarja malteze, Dafne Karuana Galicija, ndërsa në shkurt të këtij viti gazetari sllovak, Jan Kucijak. / AA



Lajme të ngjashme