Kosova - Mocion votëbesimi kundër qeverisë si dhe protesta kundër Presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar mocion votëbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Kosova - Mocion votëbesimi kundër qeverisë si dhe protesta kundër Presidentit

Kosova - Mocion votëbesimi kundër qeverisë si dhe protesta kundër Presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të nisë me procedurat për rrëzimin e qeverisë. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka deklaruar se nuk janë larg mocionit të mosbesimit, me qëllim që vendin sa më shpejt ta dërgojnë drejt zgjedhjeve. Këto komente Veliu i bëri pas takimit që zhvilloi  kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me anëtarët e  grupit parlamentar të partisë së tij. Veliu beson se do gjejnë përkrahje për rrëzimin e Qeverisë edhe nga partitë brenda koalicionit qeverisës. Ai poashtu bëri të ditur se “Lidhja Demokratike nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve qoftë edhe nëpërmes protestave”. Mirëpo kryesia e LDK-së siç tha Veliu, konsideron se nuk është momenti i duhur për protesta, për arsye se kanë mbetur edhe dy tri veprime që duhet me u bë brenda institucioneve dhe pastaj është hapi i fundit protesta, e cila nuk përjashtohet.

“Do ta diskutojmë edhe mundësinë e protestës, mirëpo protesta për ne është hapi I fundit sepse nëse ne dalim në rrugë, atëherë LDK më nuk kthehet në këto institucione derisa të legjitimohen me votat e qytetarëve”, tha Veliu.

Ndërkaq,shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh se qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë është i qartë dhe institucionet e vendit e kanë humbur legjitimitetin për të udhëhequr këtë proces. Ai ka vënë në theks se vizita e presidentit të vendit,  Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj në SHBA janë veprime me qëllime të kundërta.

“Presidenti shkon për të biseduar për korrigjim kufijsh e kryeministri shkon për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, këto janë vlerësime dhe veprime mish mash të institucioneve të vendit të cilat duhet të ndalen sa më parë. Ne duhet të bëhemi bashkë si opozitë dhe ne do i bashkërendisim veprimet tona si LDK-së deri në rrëzimin e Qeverisë“ , ka thënë Hoti.

Tutje ai u shpreh i bindur se me një bashkërendim të aktiviteteve të të gjithë opozitës mund të ndalen veprimet siç  i quajti ai të “dëmshme” të Qeverisë së Kosovës.

***

VV bëhet gati për protestë

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se me  datën 29 shtator duke filluar nga ora 14, do të protestohet në Sheshin qendror të Prishtinës. Kryetari i këtij subjekti gjatë një konference për media Kurti ka bërë të ditur se protestat janë të domosdoshme për ta ndalur idenë e presidentit Thaçi për kompromise të dhimbshme.
“Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për dialog të ri me homologun e tij serb. Kjo aventurë personale e presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar”, ka thënë Kurti.

Kurti  tha se ka komunikuar edhe me  Lidhjen Demokratike  të Kosovës rreth protestave.

“Ata kanë më shumë interesim sesa gatishmëri për protestë. Besoj që çdo ditë që kalon, aq më shumë të gjithë do të binden se këto protesta nuk janë veçse të nevojshme, por edhe të domosdoshme”, sepse një popull nuk I nënshtrohet një njeriu”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu tha se diskutimi për bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën, është mashtrim i cili nuk  do të duhej t’iu bëhej qytetarëve të asaj pjese. Ndërkohë VV ka publikuar edhe orarin e autobusëve që do të nisen nga qendrat e ndryshme të Kosovës drejt kryeqytetit për protestë.

***

Thaçi me Zonjën e Parë në ShBA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do t’i prijë delegacionit kosovar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Presidenti Thaçi, bashkë me Zonjën e Parë, Lumnije Thaçi, do të marrin pjesë në pritjen e përvitshme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, sipas një komunikate shtypi të Zyrës së Presidentit.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti Thaçi thuhet se do të zhvillojë takime me homologë nga shtete të ndryshme të botës, për të thelluar bashkëpunimin bilateral dhe rritur numrin e njohjeve shtetërore dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për çdo vjet mbledhë përfaqësuesit e të gjitha shteteve të botës dhe organizatave ndërkombëtare.

Delegacioni i Kosovës, gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të ketë takime të shumta bilaterale me liderë botërorë, përkatësisht me presidentë, kryeministra dhe krye-diplomatë të shteteve të ndryshme, sipas njoftimit të Presidencës.

***

Haradinaj: Fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës i kontribuon paqes në rajon

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në Nju Jork, kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi një takim me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se në takim është biseduar për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe për veprimet e ndërmarra në funksion të konsolidimit të brendshëm të vendit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të gjitha mekanizmave të sigurisë.

“Qeveria është duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi institucione kredibile që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në vend dhe rajon”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar gjithashtu se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit duke u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, do t’i mundësojë Kosovës që të japë kontributin e saj në sigurimin e paqes së qëndrueshme.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, tha se SHBA-të vlerësojnë sukseset që ka shënuar Kosova dhe do të jenë mbështetëse në rrugën e saj euroatlantike.

***

Ministria e Kulturës paguan lëndë djegëse për nevoja private të Ukë e Mendim Rugovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka blerë lëndë djegëse-pelet në vlerë prej mbi 9 mijë e 500 euro për rezidencën e familjes Rugova.

Kjo është konstatuar si pagesë e parregullt në raportin e auditimit të realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2017.

Sipas raportit të auditimit, duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, MKRS mund të mbulojë vetëm shpenzimet e restaurimit dhe ato të konservimit për objektet e trashëgimisë kulturore në pronësi private.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të siguroj se nuk do të ketë kompensime shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë. Gjithashtu rekomandohet që ministri duhet të sigurohet që të gjitha pagesat kryhen sipas ligjeve përkatëse.

“Kompensimi shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë dhe mbulimi i shpenzimeve në mungesë të bazës ligjore rezulton me pagesa të parregullta për ministrinë”, potencohet në raport te rreziku i pagesave të parregullta.

***

Është finalizuar kërkesa për këstin e parë nga kontrata për Reformën e Administratës Publike

Pas një procesi gjithëpërfshirës të konsultimeve dhe kontributeve nga Zyra e Kryeministrit si dhe Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Administratës Publike ka finalizuar kërkesën për këstin e parë prej 5.5 milionë euro nga Kontrata për Reformën Sektoriale për Reformën e  Administratës publike e cila është nënshkruar midis Kosovës dhe Komisionit Evropian vitin e kaluar.

Sipas një komunikate për medie nga kjo ministri, kërkesa e finalizuar i është dorëzuar zyrtarisht të hënën, Ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, për ta deponuar tek Komisioni Evropian.

Ministri Yagcilar deklaroi se me miratimin e Projektligjit për Pagat, Projektligjit për Zyrtarët Publik si dhe Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, si dhe me ndërmarrjen e hapave të parë drejt zbatimit të procesit të racionalizimit të agjencive të pavarura, Kosova, ka plotësuar kushtet kryesore për të dorëzuar Komisionit Evropian kërkesën për këstin e parë prej 5.5 milionë euro nga Kontrata për Reformën Sektoriale për Reformën e Administratës Publike.

“Ministri Yagcilar tha se nënshkrimi dhe fillimit i zbatimit të Kontratës për Reformën Sektoriale për Reformën e  Administratës Publike shënon një arritje të rëndësishme për procesin e reformës së administratës publike si dhe avancon marrëdhëniet midis Kosovës dhe BE-së në fushën e administratës publike. Kjo kontratë është tregues i arritjeve të Kosovës dhe besimit që Komisioni Evropian ka në kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të menaxhuar një kontratë të tillë”, thuhet në komunikatë.

Kontrata për Reformën Sektoriale për Reformën e Administratës Publike është një instrument i ri që përdor Komisioni Evropian për të nxitur dhe mbështetur reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shuma e përgjithshme e kontratës është 25 milionë euro, ndërsa Kosova mund të përfitojë çdo vit deri në 5.5 milionë euro nëse arrin t’i plotësojë kushtet e dakorduara përmes kontratës.

Buxheti përkatës disbursohet drejtpërdrejt në thesarin kombëtar të Kosovës duke i mundësuar Qeverisë burime të reja financiare për të financuar reformat dhe politika zhvillimore.

***

Forumin Biznesor mes Japonisë dhe Kosovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti të hënën gjatë ditës në takim Ambasadorin e Japonisë në Vjenë – Jo-rezident në Prishtinë, Kiyoshi Koinuma dhe Sekretarin e Parë, të kësaj Ambasade, Mitsunori Ogasaëara, me të cilët biseduan mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë për sektorët që mbulon Ministria.

Ministri Lluka, njoftoi Ambasadorin Japonez, rreth angazhimit të Ministrisë për përmirësimin e klimës për investime të huaja, duke reformuar kornizën ligjore dhe institucionale, çka është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Kreu i MZHE-së, foli për projektet në zhvillim e sipër në sektorët si energjia, miniera, teknologjia e informacionit, që janë ndër sektorët që ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

Ministri Lluka e diplomati Koinuma diskutuan për Forumin Biznesor mes Japonisë dhe Kosovës që pritet të organizohet me ndihmën e qeverisë Japoneze në dhjetor të këtij viti në Japoni. Me këtë rast u bë e ditur se një delegacion i përfaqësuesve të bizneseve japoneze që do të vizitojë Kosovën në shkurt të vitit të ardhshëm, në 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Japoni.

Gjithashtu, u biseduan për financimin e disa projekteve përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), me fokus të veçantë ne sektorin e ujërave dhe mbeturinave, mbështetje kjo që nuk ka munguar në të kaluarën për këta sektorë.

Të dy bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm, ndërsa shprehën gatishmërinë për vazhduar dhe avancuar edhe më tutje këtë bashkëpunim.



Lajme të ngjashme