Kontesti i emrit - Maqedonia në prag të referendumit historik të 30 shtatorit

Referendumi i parashikuar për më 30 shtator në Maqedoni do të përcaktojë emrin e ri të shtetit ballbanas dhe fatin e integrimeve euroatlantike të tij...

Kontesti i emrit - Maqedonia në prag të referendumit historik të 30 shtatorit

Maqedonia ndodhet në prag të një referendumi tjetër, planifikuar për në 30 shtator 2018, i cili do të përcaktojë emrin e ri të shtetit ballbanas, fatin e integrimeve euroatlantike të tij dhe do jetë i treti në nivel shtetëror gjatë 27 viteve të fundit, sa edhe mosha e vetë shtetit pas pavarësisë nga ish-Jugosllavia.

Kronologjia e referendumeve në Maqedoni

Referendumi i parë në Maqedoni ishte për pavarësinë, një referendum i mbajtur më 8 shtator të vitit 1991 që rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Atëherë qytetarëve iu parashtrua pyetja: “A jeni për shtetin e pavarur dhe sovran të Maqedonisë me të drejtë për t’u përfshirë në aleanca të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”

Sipas të dhënave zyrtare, 71,85% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote dolën në votime. Prej tyre, 95,26 % votuan pozitivisht në referendum.

Pas pavarësisë së vendit, referendumi i dytë në 27 vitet e fundit u mbajt në vitin 2004. Ai u shpall për të qartësuar qytetarët lidhur me Ligjin për Ndarjen Territoriale të Republikës së Maqedoni dhe u mbajt më 7 nëntor të vitit 2004.

Në referendum shumica u shprehën kundër ndarjes territoriale, por referendumi nuk ishte i suksesshëm për shkak se pjesëmarrja në votim ishte 26,58%, që do të thotë se nuk u arrit përqindja e nevojshme ligore apo 50%+1 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Referendumi i ardhshëm, i treti që nga pavarësia, është planifikuar më 30 shtator të këtij viti dhe është pjesë e Marrëveshjes për Zgjidhjen e Kontestit të Emrit dhe Partneritet Strategjik, e cila u nënshkrua në muajin qershor nga qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Greqisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Republika e Maqedonisë do të ndryshojë emrin e saj kushtetues në "Republika e Maqedonisë së Veriut".

Pyetja në referendum do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Me këtë rast, nga data 10 shtator ka nisur zyrtarisht edhe fushata e referendumit.

Fushata në prag të referendumit

Partia në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kryeson koalicionin “Së bashku për Maqedoni Evropiane”. Koalicioni përbëhet nga 30 parti të cilat janë bashkuar në thirrje për qytetarët për një rezultat pozitiv në referendum dhe për një të ardhme euroatlantike të Maqedonisë.

Përveç partive politike, edhe organizatat e shoqërisë civile janë të përfshirë në fushatën “po”.

Ata theksojnë se zbatimi i suksesshëm i referendumit është një hap para në integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa kjo, sipas tyre, vendit do t’i sjellë prosperitet më të madh, të ardhme më të mirë, siguri, rritje të investimeve, si dhe do të përmirësojë njëkohësisht cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në adresimet e tij gjatë fushatës thekson se ky është referendum për “pavarësinë e dytë” të vendit. Ai thotë se sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë duan që vendi të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, si dhe beson se më 30 shtator në vend do të mbahet referendum i suksesshëm.

Fushatën “po” e mbështet edhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia shqiptare në Maqedoni, që është pjesë e koalicionit qeverisës.

Zyrtarët e kësaj partie theksojnë se qytetarët duhet të dalin në referendum dhe të votojnë “po”, sepse, siç thonë ata, kjo do të ndihmojë që vendi shumë më shpejtë të bashkohet me BE-në dhe NATO-n. Po ashtu, sipas tyre, Marrëveshja për Zgjidhjen e Kontestit të Emrit është parakusht për një progres të fortë të vendit, garanci për qytetarët, stabilitet për paqen dhe zhvillimin ekonomik, por edhe përforcim i identitetit të të gjitha komuniteteve etnike në vend.

Nga ana tjetër, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE u bëri thirrje qytetarëve që në referendumin e ardhshëm të votojnë sipas bindjes së tyre dhe të marrin vendim. Ata besojnë se Marrëveshja për Zgjidhjen e Kontestit të Emrit me Greqinë është e dëmshme dhe në kundërshtim me interesat kombëtare të shtetit.

Sipas udhëheqësit të opozitës, Hristijan Mickovski, “pyetja me më shumë kuptime dhe manipuluese qytetarët i çon në konfuzion, sepse pyetja nuk i referohet thelbit, ndryshimit të emrit të shtetit”.

Përveç fushatave “po” dhe “kundër”, ka edhe shoqata civile që besojnë se referendumi duhet bojkotuar.

I ashtuquajturi “Shtabi i Krizave kundër Referendumit” është formuar nga disa organizata qytetare dhe shfaqet nën sloganin “Maqedonia – Bojkoton”. Ata besojnë se referendumi i ardhshëm duhet të bojkotohet, sepse, sipas mendimit të tyre, NATO-ja nuk është organizatë në të cilën Maqedonia duhet të anëtarësohet, ndërkohë kanë edhe vërejtje në lidhje me Marrëveshja për Zgjidhjen e Kontestit të Emrit. Sipas tyre, marrëveshja është në kundërshtim me interesat kombëtare të shtetit.

Në kuadër të pikëpamjeve mbi referendumin të udhëheqësve politikë në Maqedoni, me rëndësi është të theksohet se Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, beson se Marrëveshja për Zgjidhjen e Kontestit të Emrit është e dëmshme për interesat kombëtare të Maqedonisë.

Pasi marrëveshja me Greqinë u ratifikua në Parlament, Presidenti Ivanov deklaroi në muajin qershor të këtij viti se ka vendosur që mos ta nënshkruajë dekretin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për tejkalimin e kontestit rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Në një letër që ai dërgoi në Parlament, Ivanovi thotë ndër të tjera se nuk do të pranojë një ndryshim të Kushtetutës për të ndryshuar emrin kushtetutes dhe se nuk pranon ide që kërcënojnë identitetin kombëtar maqedonas.

Ivanov: Nuk do të votoj në referendumin e 30 shtatorit

Në takimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Ivanovi në njoftimet e tij për opinionin thekson se edhe më tej do t’i mbështesë integrimet evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë të cilat janë me rëndësi të madhe për prosperitetin e shtetit, por njëkohësisht porositi se “qëllimet strategjike nuk guxojnë të keqpërdoren në llogari të interesave nacionale dhe interesave të popullit maqedonas”.

Po ashtu, presidenti i Ivanov në fjalimin e tij para të pranishmëve të ngjarjes të organizuar nga ana e Diasporës së Bashkuar Maqedonase në Detroit, SHBA, theksoi se nuk do të dalë të votojë në ditën e referendumit më 30 shtator, meqë, siç tha, dy herë ka marrë besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.

Vizita të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vigjilje të referendumit

Në historinë e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë nuk mbahen mend vizita intensive të diplomatëve, ministrave dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, siç është rasti këtë muaj, në vigjilje të referendumit. Ata porosisin se nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendit, meqë, siç theksojnë, parakushti për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO është zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes për emrin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i cili më 17 shtator qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë theksoi se referendumi është vota më e rëndësishme në historinë e vendit.

Mattis gjatë kohës së arritjes në Maqedoni, e akuzoi Rusinë se i përdor paratë dhe fuqinë e saj për të forcuar anën opozitare në vigjilje të referendumit në Maqedoni, i cili do të trasojë rrugën e vendit për anëtarësim në NATO, gjë të cilës i kundërvihet Rusia. Sekretari amerikan theksoi se nuk ka dyshim se Moska financon grupe proruse, me qëllim që referendumi për ndryshimin e emrit, i cili duhet të mbahet nga fundi i muajit shtator, të mos ketë sukses.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në fillim të këtij muaji e vizitoi Shkupin pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev tha se vendi ka mundësi historike që të bëhet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por që ta bëjë këtë, doemos duhet të pajtohet me Marrëveshjen për emrin, meqë, siç tha, nuk ka rrugë tjetër anëtarësimi në NATO.

Kancelarja gjermane Angela Merkel po ashtu qëndroi për vizitë në Maqedoni dhe porositi se që vendi të jetë pjesë e familjes evropiane nevojitet edhe shumë punë, por parakusht është të ketë referendum të suksesshëm më 30 shtator.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, pas takimeve me liderët politikë në Maqedoni apeloi qytetarët me mesazhin se vota e tyre në referendumin e 30 shtatorit është kyçe për Bashkimin Evropian.

Sekretari shtetëror i SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel, gjatë vizitës së tij në Maqedoni, deklaroi se referendumi i 30 shtatorit, është mundësi historike për qytetarët e Maqedonisë, të cilët i porositi ta realizojnë të drejtën e tyre themelore dhe të votojnë.

Mes tjerash, në Maqedoni, në prag të referendumit qëndruan edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Mass, kancelari austriak Sebastian Kurz, ministri për Evropë dhe Amerikë në Forin Offis-in britanik, Alan Duncan, si dhe shumë politikanë tjerë të huaj.

Rusia mohon ndërhyrjen në çështjet e brendshme në Maqedoni

Lidhur me akuzat e SHBA-ve për ndërhyrje të Rusisë në çështjet e brendshme të Maqedonisë, reagoi ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili mohoi ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Maqedonisë.

Shefi i diplomacisë ruse Lavrov, gjatë vizitës së paradokohshme zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, duke komentuar çështjen lidhur me Maqedonië, tha se “Rusia nuk flet asgjë që mund të interpretohet si ndërhyrje në çështjet e brendshme, ndërsa liderët perëndimorë këtë e bëjnë direkt, angazhohen për një zgjidhje në referendumin e caktuar”.

Të paktën 903 mijë votues për referendum të suksesshëm

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Republikës së Maqedonisë para do kohe përmbylli listën zgjedhore për referendumun e ardhshëm. Të drejtë vote më 30 shtator kanë gjithsej 1.806.336 votues. Sipas kësaj, që të arrihet cenzusi i paraparë duhet të dalin të paktën 903.169 votues, apo 50%+1 votë.

Referendumi për marrëveshjen e emrit është konsultativ, që sipas rregullativës së referendumit, nënkupton se rezultatet e tij nuk janë obliguese për institucionet. Megjithatë, porositë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë se vullneti që qytetarët do ta theksojnë më 30 shtator do të llogaritet si obligues.

Pas zbatimit të referendumit më 30 shtator, nevojitet që në Kuvendin e Maqedonisë me një shumicë prej dy të tretave duhet deputetët të votojnë ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja për emrin.

Pasi këto procese të përfundojnë në Maqedoni, nevojitet që Marrëveshja rreth kontestit për emrin të ratifikohet në Parlamentin e Greqisë.

Ministri i Jashtëm gjerman Maas, lidhur me pyetjen “në rast se referendumi kalon pozitivisht, cila është porosia e tij deri tek pala greke, meqë më pas zbatimi i marrëveshjes do t'i mbetet palës greke”, ministri gjerman theksoi se porosia e njëjtë e dërguar deri tek pala maqedonase do të vlejë edhe për palën greke.

“Grekëve nuk do t’u them asgjë më ndryshe nga ajo që ju thashë juve. Mendoj se ky është një rast historik, meqë ky mospajtim më shumë se dy dekada, ka mundësi të zgjidhet, edhe atë me mundësi që të pranohet nga ana e popujve të të dyjave vendeve. Kjo nuk është vetëm në interes të maqedonasve por edhe në interes të grekëve”, tha shefi i diplomacisë gjermane.

Sipas asaj që është parashikuar, pasi Maqedonia dhe Greqia t’i përfundojnë në tërësi obligimet e tyre të Marrëveshjes mbi emrin, pritet që Maqedonia zyrtarisht të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, por me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

Problemi i emrit

Pavarësisht se shumë shtete e njohin Maqedoninë me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”, Greqia kërkonte ndryshimin e emrit për shkak se brenda kufijve të ekziston një territor i emëruar si “Maqedoni”.

Maqedonia e ka patur të pamundur anëtarësimin e saj në BE dhe NATO për shkak të problemit të emrit, i cili vazhdon që prej vitit 1991 me fqinjin e saj jugor, Greqinë.

Njohshmëria ndërkombëtare e Maqedonisë u bë e përcaktuar në prill të vitit 1993, kur vendi u zgjodh unanimisht si anëtar i OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por me kundërshtimin e fqinjit të saj jugor u pranua në anëtarësim si referencë e përkohshme me emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM)”.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nëpërmjet konferencave për media në vendet e tyre njoftuan se si rezultat i bisedime kanë arritur marrëveshje për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ku dhe më 17 qershor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dy vendeve u nënshkrua marrëveshja. / AA



Lajme të ngjashme