Veseli tha në Tiranë se është kundër korrigjimit të kufirit

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në një takim zyrtar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri si dhe takime me autoritetet e larta shqiptare.

Gramoz Ruçi_Kadri Veseli-2.jpg
Kadri Veseli_Ilir Meta_Tirane.jpg
Ilir Meta_Fatmir Limaj.jpg

Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në një takim zyrtar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku pas takimit mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat. Ruçi deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen pa rezerva për dialogun Kosovë-Serbi,

“Të arrihet marrëveshje që respekton territorialitetin e Kosovës. Aktorët polikë në Kosovë të jenë në unitet qëndrimi dhe veprimi. I ndan lufta për pushtet, por këtu bëhet fjalë për sovranitetin e Kosovës”.

Sipas Ruçit, diskutimet e fazës finale të dialogut duhet të rikonfirmojnë arritjen e marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifetar.

Në takime të njëpasnjëshme me aktorë të rëndësishëm të politikës në Shqipëri, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, konfirmoi qëndrimin e tij kundër korrektimit të kufirit Kosovë-Serbi.

“Nuk kisha pasur dëshirë që askush nga ju mediat e nderuara, pretendimet serbe ti bartim në realitetin tonë. Ato nuk kanë vend, iu kemi dhënë përgjigjen e merituar atëherë kur është dashur. Tani Kosova, vendi ynë dëshiron veç paqe e fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet që kemi përreth, por shtetësia jonë është e panegociueshme për aq sa është territori.” 

Presidenti Ilir Meta gjatë takimit me kryeparlamentarin kosovar theksoi se Kosova ka nevojë imediate për konsensus politik të brendshëm dhe gjithëpërfshirës në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

“…Në këtë proces të rëndësishëm kërkohet bashkëpunim shumë më i ngushtë me partnerët tanë strategjikë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të rajonit…”, tha Meta.

Kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, doli në një deklaratë për mediat ku theksoi se tre kushte bazë janë: parimin e integritetit territorial, pacënueshmërinë e kufijve, parimin e formës unitare të qeverisjes dhe natyrisht përcaktimin e qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-së dhe anëtare e BE-së.

Në fjalën e tij, Basha tha se me Veselin patëm një bisedë të hapur, të frytshme, një frymë vëllazërore bashkëpunimi që karakterizon Partinë Demokratike me Institucionet e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës.

“Në këtë kohë sfidash për Kosovën dhe rajonin, zgjidhja është tek bashkimi i faktorit politik dhe qëndrimi i forcave politike në Kosovë për të shërbyer interesit kombëtare dhe interesit të popullit të Kosovës, mbi parimet e integritetit territorial, pacënueshmërisë së kufirit dhe përcaktimit të qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ne shpresojmë se dialogu Kosovë-Serbi mund të bazohet vetëm në realitetin e njohur botërisht”.

Veseli shoqërohej në këtë vizitë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme