Strasburg – Parlamenti Evropian miraton rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Miratuar me 420 vota “pro”, 186 “kundër” dhe 22 abstenime, projektligji në fjalë i hapë rrugën udhëtimit pa viza të qytetarëve të Kosovës për 90 ditë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian...

Strasburg – Parlamenti Evropian miraton rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian votoi të enjten në favor të rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në qytetin Strasburg të Francës, PE-ja miratoi projektligjin e shumëpritur nga qytetarët e Kosovës. Propozuar nga eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, vendimi ishte pranuar në shtator të vitit 2016 nga Komiteti i Parlamentit Evropian për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), por votimi i tij në PE ishte shtyrë për plotësimin e kritereve që mungonin.

Miratuar me 420 vota “pro”, 186 “kundër” dhe 22 abstenime, projektligji në fjalë i hapë rrugën udhëtimit pa viza të qytetarëve të Kosovës për 90 ditë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Qytetarët e Kosovës edhe një hap para lëvizjes pa regjim vizash në Evropë”, ka shkruar Tanja Fajon në rrjetin social “Twitter”.

Vendimi do të hyjë në fuqi pasi të votohet edhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Sipas rregullores së Bashkimit Evropian, për të përfituar nga liberalizimi i vizave, qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të pajisen me pasaporta biometrike. Kosova ishte vendi i fundit ballkanik pa të drejtën e udhëtimit pa viza në shtetet anëtare të BE-së. Në kuadër të negociatave që filluan në vitin 2012, Prishtinës zyrtare i qe kërkuar të plotësonte 95 kritere. Muajin e kaluar, Komisioni Evropian arriti në konkluzionin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret duke ndezur dritën jeshile për të filluar proceduarat e miratimit të mëtejshëm në PE dhe Këshillin e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian u njohu të drejtën e udhëtimit pa viza qytetarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009. Një vit më pas, në 2010-n, këtë të drejtë ua njohu gjithashtu shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Përmes liberalizimit 90-ditor të vizave, qytetarët e pajisur me pasaporta biometrike të vendeve të lartpërmendura mund të udhëtojnë pa viza për motive tregtare, turistike apo familjare në pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës.



Lajme të ngjashme