Shqipëria dhe Turqia konsolidojnë marrëdhëniet tregtare

Shqipëria dhe Turqia synojnë të forcojnë marrëdhëniet tregtare mes tyre, u theksua gjatë një vizite nga ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë, Sonila Qato dhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Arnavutluk Türk yatırımları_Sonila Qato_Murat Ahmet Yörük.jpg
Murat Ahmet Yörük - Edi Rama - Seyhan Pencablıgil - ATTSO.jpg
Arnavutluk_İşkodra_suça karşı yürüş_02.jpg
Arnavutluk_İşkodra_suça karşı yürüş_06.jpg
Arnavutluk_komünizm zamandından kalan hapishane_Spaç.jpg
idil biret-den arnavutluk-ta piyano resitali_02.jpg

Shkodër - Marshim kundër krimit, komunitetet fetare: Çarmatosuni, mos qëlloni!

-Shqipëria dhe Turqia konsolidojnë marrëdhëniet e tyre tregtare

Shqipëria dhe Turqia synojnë të forcojnë marrëdhëniet tregtare mes tyre, gjë e cila u theksua gjatë një vizite nga ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë, Sonila Qato dhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në ambientet e një kompanie me kapital turk për shitjen dhe shpërndarjen e produkteve me cilësi të lartë me një gamë të gjerë markash në Shqipëri.

Në fjalën e saj gjatë vizitës, ministrja Qato tha se marrëveshja e tregtisë së lirë ka qenë një hap i parë mes dy vendeve për të forcuar sa më shumë marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Është në interesin e përbashkët të dy qeverive që të mund të shtojmë sa më shumë sipërmarrjet bashkëpunuese të dy vendeve dhe tregtinë që shkëmbehet. Ne si zyrë do të marrim një informacion në raport me aplikimin e marrëveshjes deri më tani dhe mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje. Mund të bëhemi dhe iniciator për një nivel më teknik, për t’u ulur së bashku për të biseduar se kush janë ato produkte me vlerë për ekonominë dhe shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve”, deklaroi Qato.

Ndërsa, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij falënderoi ministren Qato për ndihmën që u jep kompanive turke që operojnë në Shqipëri.

Që nga momenti kur kam ardhur dhe jam takuar me ministren, kam marrë mbështetjen e saj për t’iu ardhur në ndihmë kompanive turke dhe që janë pjesë e një çatie siç është ATTSO (Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi). Jemi të sigurt që kjo tregon dhe afrimitetin e qeverisë mike dhe vëllazërore shqiptare me kompanitë dhe institucionet turke që operojnë në Shqipëri. Dëshiroj të theksoj që jo vetëm kompanitë të cilat aktualisht operojnë në Shqipëri, por dhe kompani të tjera turke me potencial për të investuar në Shqipëri janë më se të motivuar pozitivisht dhe të inkurajuara nga kjo mbështetje dhe interesim të afërt e Qeverisë së Shqipërisë”, tha Yörük.

Duke folur për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes dy vendeve, ambasadori Yörük tha: “Ne kërkojmë riaktivizimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Me nisjen e negociatave të marrëveshjes së tregtisë së lirë me përfshirjen e produkteve bujqësore dhe shërbimeve në këtë marrëveshje ne besojmë shumë se do të mund të ofrojmë një klimë për dobinë e të dyja palëve".

Të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe atasheu tregtar i Turqisë në Tiranë, Halis Kaya dhe sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi (ATTSO), Erinda Zhupani.

Vlen të përmendim se mbi 400 kompani turke veprojnë në Shqipëri, me 3 miliardë dollarë investime

***

-Marshim kundër krimit, komunitetet fetare shqiptare: Çarmatosuni, mos qëlloni!

U bënë bashkë kundër krimit! Qytetarët shkodranë marshuan nga pedonalja përpara bashkisë e deri në qendër të qytetit, për të dhënë mesazhe paqeje e bashkimi. “Kultura e Shkodrës është më e fortë se plumbat e drogës” ishte pankarta që udhëhoqi këtë ecje që bashkoi qindra qytetarë, klerikë e përfaqësues të politikës. 

Ishte një ecje e ngjashme si në vitin 1997, kur trazirat kishin pllakosur Shqipërinë e plumbat merrnin jetë njerëzish. Asokohe apeluan me fraza të ngjashme si sot klerikët fetar: Të ulen armët e paqja e vëllazëria të mbizotërojë në Shkodër e Shqipëri.

Arqipeshkvi Mon. Sing. Angelo Massafra, në fjalën e tij tha: 

“…Falënderoj organizatorët për këtë marshim paqësor për të dhënë publikisht që ne duam të mirën e Shkodrës tonë dhe Shqipërisë sonë. Duam paqen dhe zhvillimin. Vetëm duke shndërruar mendjen tonë, duke qenë më të bashkuar, duke bërë të mira, vetëm kështu mund të ecim përpara. Sepse jeta jonë është në duart e të gjithëve.

Të gjitha ata që kanë në dorë të na ndihmojnë për rendin dhe sigurinë. Vetëm duke punuar me djersën e ballit buka që hamë ka një shije të jashtëzakonshme, buka tjetër ndoshta është më e majme, por nuk ka atë shije shpirtërore kur buka është fituar me djersë. Më mirë të jemi të varfër, jo në mizëri, të varfër  e të ndershëm dhe dita ditës të bëhemi të pasur shpirtërisht me kulturë të fortë. E keqja të zhduket nga zemra e njeriut, e ata që janë vendosur për të keqen, do të lutem o Zot që t'i ndryshojë mendjen. Ata që bëjnë të keqen nuk jetojnë me ndërgjegje të keqe.

Duhet të çarmatosim zemrën dhe xhepin, të mos ecim në rrugë as me pistoletë as me thikë. Problemet zgjidhen me dialog, pa u nxehur. Të mendojmë mirë para se të bëjmë të keqen. Papa Francesku ka bërë një takim me qindra mijëra italianë dhe ka thënë "të bëjmë të mirën dhe kurrë të keqen".

Ndërsa, Haxhi Fejzi Zaganjori në mesazhin e tij theksoi: “…Falënderimet janë për të madhin Zot. Vetëm ai ka pushtetin mbi krijesat. Adhuroni të madhin Zot që ai të na ndihmojë. Ju lutem nënave dhe baballarëve, edukoni fëmijët tuaj me moralin fetar dhe qytetar. Edukoni fëmijët tuaj me dashuri, paqe dhe mirësi me tjetrin. Ju djem dhe vajza të reja, zemra juaj mërzitet kur merrni vesh se një shok e shoqe është vrarë, dhe keni turpin më të madh sepse nuk ditët me e mbajt pranë. Prandaj të ulen armët përtokë, të mos qëllojnë, të mos vrasin, të mos nxijnë zemrat e nënave, mos turpërojnë baballarët, mos shkatërrojmë vëllezërit, mos shkatërrojmë Shkodrën dhe Shqipërinë...”.

Thirrja e të rinjve të forumit rinor demokrat i bashkoi të gjithë në këtë marshim jo politik, por në emër të paqes e kundër krimit që në Shkodër këto javë i mori jetën 6 shtetasve dhe 2 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

*** 

-Policia e shtetit shqiptar vazhdon të ndalojë klandestinë që vijnë nga Lindja e Mesme 

Rreth 15 klandestinë janë ndaluar nga Policia e Kufirit dhe Migracionit të Shkodrës, teksa po tentonin të kalonin kufirin në Mal të Zi.

Gjatë një aksioni policor në pika të ndryshme të kufirit me Malin e Zi janë ndaluar shtetas nga Siria, Palestina dhe Pakistani. Ndalimi i tyre është bërë në dy pikat e kufirit me Malin e Zi në afërsi të Pikës së kalimit kufitar të Muriqanit dhe në Han të Hotit. Ndërsa, disa klandestinë janë ndaluar në qytetin e Shkodrës, ku pasi janë ushtruar kontrolle ata kanë pranuar se kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë ilegale përmes Greqisë dhe se kanë arritur deri në Shkodër duke paguar para për t’i transportuar në Mal të Zi e më pas të arrinin në vendet e Bashkimit Evropian.

Nga sa mësohet policia ka ushtruar edhe kontrolle në bazë të regjistrave të hoteleve dhe bujtinave në Shkodër ku ka pasur informacione se mund të jenë akomoduar klandestin kryesisht sirian të cilët kanë synim kalimin në Mal të Zi e më pas vendet e BE-së.

Në anën tjetër, Mali i Zi ka mobilizuar edhe ushtrinë e cila në disa pika kyçe të kufirit po patrullojnë së bashku me qëllim ndalimin e një dyndje klandestinesh në Mal të Zi. Gjatë këtij viti në Shqipëri janë ndaluar rreth 500 klandestinë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe vendet në konflikt.

***

-Pianistja turke, Biret me famë botërore mban koncert recital në Tiranë

Pianistja turke me famë botërore, Idil Biret mbajti një koncert recital në ambientet e teatrit “Turbina” në Tiranë. Ky recital me veprat më të njohura të shkruara për piano nga kompozitorët më të mirë iu ofrua publikut shqiptar për herë të parë nga kjo pianiste.

Performanca e artistes u ndoq nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet  Yörük, personalitete të ndryshëm  si dhe nga shumë artdashës të kryeqytetit.

Në përfundim të koncertit  ambasadori Yörük, falënderoi artisten turke, Idil Biret për performancën e shkëlqyer që i dhuroi publikut shqiptar, dhe u shpreh se evenimente të tilla kulturore do te vazhdojnë edhe në të ardhmen në Shqipëri.

Koncerti recital u organizua nën kujdesin e Ambasadës  turke në Tiranë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë.

Programi i recitalit të pianistes İdil Biret kishte pjesë për piano nga kompozitorët e njohur, si Chopin,Beethoven  dhe të  artistëve të tjerë.

Vlen të përmendet, se pas mësimeve të para të pianos, të marra në Turqi, İdil Biret që në moshën tetë vjeçare shkoi në Francë dhe ndoqi konservatorin në Paris, ku u diplomua me 3 çmimet e para që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Pianistja,  koncertet në mbarë botën i nisi në moshë fare të re, e shoqëruar nga orkestrat më të njohura botërore si ajo e Londrës, Filarmonia e Leningradit, e Bostonit, Leipzig Gewandhaus, Orkestra Kombëtare e Parisit, Filarmonia e Varshavës etj.

İdil Biret regjistrimin e saj të parë e bëri në vitin 1959 teksa luante pjesë nga Brahms dhe Schumann. Ai moment shërbeu si nisja e një karriere 60- vjeçare me një koleksion gjigand prej 130 CD-sh. Këto incizime shumë të suksesshme fituan shumë çmime, përfshirë  “Grand Prix du Disque Frederic Chopin” dhe “Diapason d’Or”.

***

-Mbyllet me sukses Kampi Veror ndërkombëtar në Spaç 

Shoqata “Muzeumi i Burgut të Spaçit” në bashkëpunim me fondacionin “Maximilian Kolbe” dhe me mbështetjen e “Renovabis”, organizuan një kamp veror ndërkombëtar për të rinj në ish-burgun komunist të Spaçit. Morën pjesë të rinj nga 5 vende ish-komuniste të Evropës: Shqipëri, Gjermani, Ukrainë, Poloni, Bullgari. Aktiviteti u konceptua mbi filozofinë se ballafaqimi me të kaluarën komuniste është një sfidë që i takon shoqërisë evropiane në përgjithësi dhe i shërben promovimit të vlerave  të përbashkëta.

Përveç kësaj, transmetimi i historisë së persekutimit te brezat e rinj është një kusht i domosdoshëm për arritjen e pajtimit shoqëror dhe që dinamika të tilla historike të mos përsëriten në të ardhmen, deklaruan organizatorët e këtij aktiviteti ndërkombëtar.

Të rinjve pjesëmarrës iu dha mundësia të bashkëbisedojnë me tre ish të burgosur politikë të Spaçit dhe të mësojnë gjerësisht mbi persekutimin politik gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Përveç kësaj, për dy ditë radhazi pjesëmarrësit kontribuuan konkretisht duke pastruar në Burgun e Spaçit.

Aktiviteti kulmoi kur rrugës që lidh fshatin Reps me burgun iu dha emri “Rruga e Lotëve”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme