Mali i Zi thellon marrëdhëniet me Kosovën

Presidenti i Malit të Zi Millo GJukanoviq përkrah përpjekjet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Hashim Thaçi_Millo Gjukanoviq_Milo Djukanovic.jpg

Presidenti i Malit të Zi takohet me Presidentin e Kosovës

Presidenti i Malit të Zi Millo GJukanoviq në Podgoricë u takua me Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi. Ky takim, siç thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e Presidentit, është iniciuar nga z.Thaçi në kuadër të ndihmesës në Rajon me qëllim që fqinjët të njihen për së afërmi me rezultatet e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe planet e mëtejshme.

Presidenti Gjukanoviq ka falënderuar z.Thaçi për iniciativën dhe ka përshëndetur përpjekjen e Beogradit dhe Prishtinës që zgjidhja të kërkohet nëpërmes paqes dhe dialogut me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), të bindur që të gjitha palët të kenë parasysh që rezultati përfundimtar të jetë kontribut i fuqishëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe nxitje për perspektivën evropiane. Në takim po ashtu është bërë fjalë edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në interes të përbashkët.

Nga ana tjetër partitë proserbe në Mal të Zi kanë reaguar për vizitën e z.Thaçi, të cilin ata e cilësojnë si të “përkëdhelurin e Qeverisë”, i cili lirshëm shëtit në Mal të Zi. Sipas tyre “i shpalluri terrorist pritet me nderimet më të larta shtetërore”.

Përndryshe marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Kosovës dita-ditës shënojnë avancim dhe bashkëpunim në shumë fusha të jetës.

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Për Zërin e Turqisë nga Podgorica përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme