Maqedoni – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë për vizitë në Shkup

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Zuhtu Arslan, realizoi të hënën një vizitë në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit (IBU) në Shkup, në kuadër të kontakteve të tij Maqedoni...

Maqedoni – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë për vizitë në Shkup

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Zuhtu Arslan, realizoi të hënën një vizitë në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit (IBU) në Shkup, në kuadër të kontakteve të tij Maqedoni.

Zuhtu Arslan mori pjesë në konferencën me temë “E djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Juridiksionit Kushtetues në Turqi”, organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit.

Para fillimit të konferencës, ai deklaroi se po qëndron në Shkup si i ftuar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë dhe se kanë realizuar një sërë takime shumë të frytshme.

Arslan u ndal më pas në marrëdhëniet ndërmjet Gjykatës Kushtetuese turke dhe asaj maqedonase.

“Ka një bashkëpunim me rrënjë shumë të thella ndërmjet nesh dhe Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. Gjithashtu kemi një marrëveshje bashkëpunimi dypalësh. Takimet/bisedimet e ndërsjella vazhdojnë prej një kohe të gjatë. Bëhet fjalë për shkëmbim të përvojës dhe informacionit. Prandaj ne besojmë se kjo vizitë do t’i zhvillojë edhe më shumë këto marrëdhënie të thella”, tha kreu i Kushtetueses së Turqisë.

Ndërsa ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, u shpreh entuziaste për këtë konferencë të parë të z. Arslan në IBU, studentët e të cilit presin të fitojnë një përvojë të madhe.

Salih Murat, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, nga ana e tij u shpreh i kënaqur që mirëpresin në Shkup anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të një vendi mik e vëlla si Turqia.

“Jemi duke përfituar në maksimum nga eksperienca e madhe aktuale e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë”, tha ai.

Në vijim, pas fjalimeve përshëndetëse të presidentit të Bordit Ekzekutiv të IBU-së, Aydogan Ademoski dhe rektorit të tij, prof. dr. Ismail Kocayusufoglu, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë mbajti një fjalim në gjuhën angleze.

Pasi dha informacione të përgjithshme rreth Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Zuhtu Arslan u foli gjatë ligjëratës së tij  kryesisht për tentativën e dështuar për grusht shteti në vendin e tij nga organizata terroriste gyleniste (FETO), më 15 korrik 2016. Ai tha se populli turk ka bërë një qëndresë heroike ndaj këtij sulmi terrorist.

Ai bëri të ditur se Gjykata Kushtetuese e Turqisë ka dalë për herë të parë në historinë e saj me një deklaratë publike duke theksuar në mënyrë të qartë mbështetjen e saj për popullin turk dhe kundërshtuar çdo përpjekje antidemokratike.

Në kuadër të vizitës në Maqedoni, Arslan u prit edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, si dhe u takua me homologun e tij maqedonas, Nikola Ivanovski.



Lajme të ngjashme