Fitore historike e Kosovës

Me fitoren që korri ndaj Ishujve Faroe, Kosova kryeson grupin dhe nëse zë vendin e parë në grup, do të ngjitet në Ligën më të fortë, C.

Kosova milli takımı gol sevinci.jpg
Ramush Haradinaj_Hashim Thaçi stad.jpg
Lars Christian Olsen.jpg
Bernard Challandes.jpg
Kosova-Faroe Adaları futbol maçı.jpg

Fitore historike e Kosovës

Dy gola brenda gjashtë minutave në fillim të pjesës së dytë, kanë mjaftuar që Kosova të shënojë fitoren e parë në një ndeshje garuese prej se është pranuar në UEFA në Maj të vitit 2016. Në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, golat u shënuan nga Arbër Zeneli si dhe Atdhe Nuhiu, përderisa Ishujt Faroe që janë më të mirë të radhitur në ranglistën e FIFA-së sa i përket ekipeve në Ligën D3, nuk patën asnjë gjuajtje në drejtim të portës përgjatë 90 minutave. Në ndeshjen tjetër të grupit, Malta dhe Azerbajxhani luajtën baraz 1:1.

Kosova tani kryeson grupin me 4 pikë, pasuar nga Ishujt Faroe me 3, Azerbajxhani me 2 si dhe Malta një pikë. Në stadiumin e përuruar “Fadil Vokrri”, ishin mbledhur mbi 13 mijë futboll-dashës. Në tribunën VIP, krahas presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ishin po ashtu sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj etj. Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti Agim Ademi në shoqëri të sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë përgëzuar përzgjedhësin Bernard Challandes dhe stafin e tij, si dhe lojtarët për këtë fitore madhështore.

***

Përzgjedhësi i Kosovës Challandes flet për fitoren

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe të gjithë futbollistët e Kombëtares, pas ndeshjes në deklaratat për media fitoren e së hënës kundër Ishujve Faroe ia kanë dedikuar ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.
“Kjo fitore është për Vokrrin, shpresoj që ai sonte na ka ndjekur nga qielli. Sa i përket lojës, pjesa e parë ishte e mirë në ndërtimin e lojës, donim që të luanim nga krahët dhe të kishim sa më shumë krosime. Patëm shumë krosime, por vetëm një lojtarë kishim në zonë. Nëse luajmë ashtu duhet të hyjmë në zonë si raketa. Në pushimin pas pjesës së parë iu thashë lojtarëve se duhet të shkojnë sa më tepër brenda zonës dhe këtë e bënë në pjesën e dytë”, ka theksuar zvicerani Challandes, për të shtuar:

“Të luajmë këtu është një ndjenjë e jashtëzakonshme si për ne ashtu edhe për lojtarët tanë, por edhe për tifozët. Që kur kam marrë ekipin e kam ditur se mbrojtja është prioritet. Mirëpo, mbrojtje nuk duhet të luajnë katër mbrojtësit ose dy mesfushorët defanzivë. Mbrojtja është pjesë e një koncepti ekipor të lojës dhe është dashur të kemi një model ekipor që funksionon. Nëse i shikoni ekipet e mëdha në Evropë, e shihni që ka raste që nga 10 lojtarë janë në defanzivë në momente të caktuara. Deri më tani, ka funksionuar mirë”, ka thënë përzgjedhësi me përvojë.

***

Lojtarët të kënaqur me fitoren 

Pas ndeshjes janë deklaruar edhe lojtarë të reprezentacionit të Kosovës. Portieri Samir Ujkani ka thënë: “Ne kemi luajtur njësoj si në pjesën e parë dhe në të dytën. Nuk është e lehtë t’i lësh në bankinë disa lojtarë të mirë dhe sërish të ruash atmosferën në ekip, ky është mentaliteti ynë. Në Azerbajxhan morëm një pikë shumë të madhe, sepse fusha ka qenë shumë e rrezikshme. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne në fushë”.

Kurse sulmuesi i spikatur Milot Rashica ka thënë: Ishte ndeshja e parë që kemi luajtur në shtëpi dhe kemi pasur përkrahjen shumë të madhe të tifozëve tanë. Bashkëpunimi është shumë i mirë në treshen e ofensivës dhe gjatë lojës kemi mundësi të ndryshohen anët, duke respektuar edhe taktikën e trajnerit”.

E gol-shënuesi Arbër Zeneli ka shtuar: “Jam shumë i lumtur për golin, sigurisht që atë ia dedikoj Fadil Vokrrit. Kemi qenë në disa momente pak nervoz, mirëpo ne e kontrolluam ndeshjen gjatë gjithë kohës. Ngadalë u futëm në lojën tonë dhe ia dolëm të marrim tri pikë”.

Golëshënuesi i dytë Atdhe Nuhiu tha se tri pikët e fituara janë shumë të mëdha. “Megjithatë s’duhet të kënaqemi shumë, sepse duhet ende të përmirësohemi. Kemi lojtarë jashtëzakonisht të mirë. Në çdo rol kemi nga dy lojtarë dhe secili po jep më të mirën”, ka thënë Nuhiu.

***

Olsen: Kosova ka potencial ta fitojë grupin 

Trajneri i Ishujve Farore, Lars Christian Olsen ka lavdëruar përfaqësuesen e Kosovës, duke pohuar se me atë që ka parë në fushë, Kosova ka potencial që ta fitojë grupin.

"Pikë së pari urime Kosovës ishte ekipi me i mirë në fushë. Kosova gjatë pjesës së parë nuk është që krijoi shumë raste. Mirë po me fillimin e pjesës së dytë në 10 minutat e para ne i morëm dy gola. Ishte panik tek ekipi. Në fund ekipi më i mirë fitoi kështu që urime Kosovës. Kosova ka potencial me ekipin që ka që t’i mund të gjitha ekipet tjera, por pas një muaji ne do të luajmë serish me Kosovën në Ishujt Faroe dhe atje ne do të mundohemi që të jemi më të mirë. Por siç thash, Kosova ka potencial ta fitojë grupin, ka lojtarë shumë të mirë. Ka potencial në mbrojte, në sulm dhe në të gjitha pozicionet", tha Olsen.

***

Urime nga liderët për fitoren e Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, e kanë uruar Kosovën pas fitores ndaj Ishujve Faroe, me rezultat 2-0. “Fitore madhështore! Një fitore historike kjo, e cila u hap rrugë sukseseve të pandalshme të futbollistëve tanë të mrekullueshëm, që na dhanë shumë emocione. Krenar me përfaqësuesen tonë!”, ka shkruar presidenti Hashim Thaçi në Facebook. Krye-parlamentari Kadri Veseli ka shkruar se fitorja ishte e merituar. “Një fitore për Fadil Vokrrin. Një fitore dhe spektakël për gjeneratat që punuan shumë për këto ditë dhe për rininë tone”, ka shkruar Veseli. E në urimin e tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka qenë i shkurtër, duke shkruar: “Urime Kosovë”.

***

Edhe përfaqësuesja e Kosovës në basketboll prêt rezultate pozitive 

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka hyrë në javën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen kundër Maqedonisë, e cila do të zhvillohet më 13 shtator në Prishtinë në kuadër të raundit të dytë të ‘FIBA Eurobasket 2021 Pre-Qualifiers’.

Tashmë ekipit i është bashkëngjitur edhe përzgjedhësi i ri i Kosovës, boshnjaku Damir Mulaomerovic, i cili në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës ka thënë se është i entuziazmuar për gjithë punën që e pret me përfaqësuesen tonë, por në të njëjtën kohë ai i ka vlerësuar kundërshtarët e grupit, Maqedoninë dhe Rumaninë, si sfida shumë të vështira për Kosovën.

Trajneri ka thënë se ka besim të madh në ekipin që e udhëheqë dhe kështu që të gjithë së bashku do të bëjnë më të mirën e tyre për të nxjerrë rezultate sa më të mira.

“Kam pasur rastin të përcjelli ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në të kaluarën, kështu që kam njohuri për ekipin. Po ashtu i kam përcjell disa gjëra nga Superliga e Kosovës, por tani me ardhjen time në krye të detyrës së përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës besoj se do të kem rastin të mësoj më shumë për basketbollin kosovar në përgjithësi”.

“Filozofia ime nuk është e panjohur, pasi që të gjithë ata që ma kanë njohur si lojtar, dhe tani si trajner, e dinë se unë gjithmonë kam qenë fitues dhe dua të jem fitues. Kam energji pozitive, të cilën dua ta përcjelli tek lojtarët dhe gjithë stafi i Përfaqësueses”.

“Ndërkaq, sa i përket kundërshtarëve të grupit tonë, Maqedonisë dhe Rumanisë, unë mendoj se bëhet fjalë për skuadra shumë të mira, por ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Pres nga lojtarët që secili prej tyre të jap maksimumin, si dhe të luajnë me zemër”, ka thënë boshnjaku Mullaomerovic.

***

Vizitë me tensione e presidentit serb Vuciq në Kosovë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në fjalimin e tij që ka mbajtu në sheshin “Shumadia” në Mitrovicën Veriore thënë se është koha që të arrijmë një marrëveshje me shqiptarët. Ai ka thënë  se Serbia  nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës.

“Ju them se ata që e thonë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër. Ne do të angazhohemi për  një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore”, ka thënë Vuciq.

Ai ka mohur se dëshiron ndryshimin e kufijve, duke shtuar se Serbia do të përkrah avancimin e te drejtave të serbëve në Kosovë.

Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet.

Vuçiq tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur. Më pastaj, presidenti Serb nuk ka arritur të vizitojë fshatin Banjë në Drenicë, për shkak të protestave të banorëve shqiptarë të Drenicës dhe bllokimit të rrugëve.

***

Presidenti Thaçi thotë se për bashkim me Preshevën, vendoset me referendum 

Presidenti Hashim Thaçi ka takuar të hënën përfaqësuesit shqiptarë të Komunës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Në konferencën për media të mbajtur në presidencë, u tha se bashkëngjitja e këtyre komunave me Republikën e Kosovës është kauzë e përbashkët. Ai tha se për këtë çështje do të angazhohet gjatë dialogut Kosovë-Serbi, i cili zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, Thaçi ka shkuar edhe më tej duke thënë se autoritetet e këtyre tri komunave do të jenë pjesë në vendimmarrje nëse do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Vendimi përfundimtar për marrëveshjen historike Kosovë-Serbi do të jetë i konsultuar dhe vendim-marrës edhe prej autoriteteve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Sikur që do jetë unik në mes Prishtinës dhe Tiranës. Por në fund vendimi apo autoriteti përfundimtar është Parlamenti i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës përmes referendumit”, ka thënë Thaci.

Përfaqësuesit e Luginës kërkuan nga Kuvendi i Kosovës miratimin e një rezolute e cila parasheh bashkimin e këtyre 3 komunave me Republikën e Kosovës. Kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi, po ashtu i ka bërë ftesë presidentit Thaçi për vizitë në Luginë të Preshëvës.

“Unë nuk besoj që dikush në parlamentin e Kosovës është kundër kësaj Rezolute. Besoj shumë fuqishëm që të gjithë e përkrahin këtë rezolutë pasi është një gjë elementare për ne dhe mbijetesën tonë të 26 viteve të fundit”, ka thënë Arifi. 

Presidenti Thaçi tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim territoresh. Ai tha të mos jetë i sigurt nëse Presheva, Bujanoci e Medvegja do t’i bashkëngjiten Kosovës, por premtoi se do të punojë shumë në këtë drejtim. Sipas, tij kjo mund të ndodh, nëse spektri politik në Kosovë është unik. 

***

Posta e Kosovës në grevë

Qytetarët e Kosovës nga e hëna nuk mund të marrin asnjë shërbim nga Posta e Kosovës, kjo pasi punëtorët e saj kanë hyrë në grevë. Shumë qytetarë u kthyen mbrapsht pa e marrë shërbimin e kërkuar.

“E kam urgjent, e tash duhet me i hyp kerit e me shku dika”, thotë një qytetar.

Qytetarët edhe pse pranojnë se punëtorët duhet të marrin pagat me kohë, ata njëherit kritikojnë politikën e punësimeve në Postë dhe pagat e larta, shumë mbi mesataren në vend.

“Natyrisht që pagat duhet të paguhen, por duhet me pas një mesatare të pagave. Dihet sa është numri i tyre, janë bërë 2000 punëtorë, ky ka qenë si një punkt për shtimin e punëtorëve nga partive politike që kanë qenë në shtet. A ka arsye apo jo ata duhen me e marrë veten me të mirë”, thotë ky qytetar.

Kryetari i Sindikatës së Postës Etrit Hoti ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për mos ofrim të shërbimeve për shkak të grevës.

“Ne me keqardhje i njoftojmë dhe u kërkojmë falje qytetarëve tanë që nuk po u mund t’iu ofrojmë shërbime për shkak që për punën e kryer muajin e kaluar nuk janë shpërbly për të drejtën e pagës”, ka thënë Hoti.

Përveç realizimit të pagave me kohë, punëtorët e Postës kërkojnë edhe rimbursimin nga qeveria të humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Po ashtu kërkohet që qeveria t’i mundësoj Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë, pensionet dhe skemat e ndryshme sociale apo shpërndarjen e faturave për shërbime publike. Kërkohet po ashtu themelimi i Post Bankës. Greva sipas sindikatës do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI-



Lajme të ngjashme