Vizita e Vuçiçit në Kosovë mes protestash

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u përpoq të hyjë në fshatin Banjë të komunës Skenderaj por Policia e Kosovës nuk e lejoi atë të kalonte në përputhje me tërheqjen e lejes për të vizituar fshatin nga Qeveria e Kosovës.

Vizita e Vuçiçit në Kosovë mes protestash

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u përpoq të hyjë në fshatin Banjë të komunës Skenderaj por Policia e Kosovës nuk e lejoi atë të kalonte në përputhje me tërheqjen e lejes për të vizituar fshatin nga Qeveria e Kosovës.

Pasi nuk arriti të kalojë, Vuçiç banorëve lokal të fshatit Banjë të cilët u mblodhën për ta pritur iu drejtua nëpërmjet telefonit nga fshati Tërnavc ku është ndalur nga policia.

Anulimi i lejes erdhi pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan me kamionë dhe drunj rrugën Mitrovicë-Skenderaj për të parandaluar ardhjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç të vizitojë fshatin Banjë në këtë komunë. Në rrugë janë djegur edhe goma makinash.

Ndërkaq Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka reaguar nëpërmjet një komunikate pas bllokadës së sotme në rrugën Mitrovicë-Skenderaj duke thënë se siguria e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është e garantuar.

Në një komunikatë nga KFOR-i thuhet: "Në lidhje me situatën aktuale në Kosovë, KFOR-i po punon në koordinim me institucionet në Kosovë dhe Policinë e Kosovës për të siguruar sigurinë e presidentit të Serbisë. Askush nuk e kërcënon Vuçiçin dhe siguria e tij është e garantuar”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë u prit me duartrokitje të gjata nga mijëra qytetarë në sheshin "Shumadija" në veri të Mitrovicës, të cilëve u tha se nuk mund t'i gënjejë dhe t'ua fsheh të vërtetën dhe se nuk mund të jetohet me mite dhe iluzione. Ai tha se serbët kur humbin dhe kur mposhten nuk guxojnë të pranojnë një gjë të tillë, dhe se duhet pranuar se serbët kanë humbur luftën dhe se për këtë paguhet kostoja më e lartë.

Ndëkaq ai tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë Kosovës, por se marrëveshja me shqiptarët duhet të arrihet ashtu që serbët të mbeten në Kosovë.

Presidenti serb ritheksoi se në Kosovë ka ardhur me një plan investues për 10 komuna ku jetojnë serbët dhe për të gjitha vendet ku ata jetojnë, për t'iu mundësuar punë dhe jetë me dinjitet.

Në fund tha se dëshiron që Serbia për herë të parë të fitojë pa gjak dhe varre dhe dëshiron të mbetet në memorie si aktivist i së ardhmes dhe jo nga të shtënat. (AA)



Lajme të ngjashme