Turqia trajnon Policinë e Shqipërisë për luftën kundër terrorizmit

Trajnimi i fundit është organizuar në Tiranë nga Departamenti i Antiterrorizmit i Policisë së Turqisë dhe kishte në fokus çështjet që lidhen me proceset e hetimit në luftën kundër terrorizmit...

Türkiye-Arnavutluk terörle mücadele eğitimi 02.jpg
Türkiye-Arnavutluk terörle mücadele eğitimi 01.jpg
Türkiye-Arnavutluk terörle mücadele eğitimi 04.jpg
Türkiye-Arnavutluk terörle mücadele eğitimi 05.jpg
Türkiye-Arnavutluk terörle mücadele eğitimi 06.jpg

Policia e Republikës së Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për punonjësit e Policisë së Republikës së Shqipërisë në fusha të ndryshme, ku trajnimi i fundit ishte për çështjet e luftës kundër terrorizmit.

Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, për ndarjen e çertifikatave për pjesëtarët e trajnuar të Policisë së Shqipërisë, ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe drejtues të Akademisë së Sigurisë.

Bilbil Memaj, drejtor i Akademisë së Sigurisë të Republikës së Shqipërisë, tha gjatë aktivitetit se vazhdojnë të realizojnë programin e trajnimeve të miratuar nga Policia e Shqipërisë dhe Policia e Turqisë.

"Për ne si akademi dhe polici është kënaqësi që të vazhdojmë bashkëpunimin në këtë drejtim. Ne vlerësojmë shumë eksperiencën e kolegëve tanë nga Turqia, pasi ata edhe janë ndeshur më shumë me probleme të cilat kanë lidhje me luftën ndaj terrorit. Oficerët tanë që kanë përfituar këtë trajnim, do t’i zbatojnë njohuritë në praktikën e Policisë së Shqipërisë për të mirën e shqiptarëve”, tha Memaj.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, tha se trajnimi është organizuar në kuadër të bashkëpunimit në një fushë me rëndësi jetike për dy vendet vëllezër, Turqinë dhe Shqipërinë, dhe se dy vendet janë të vendosura për të forcuar bashkëpunimin për të luftuar së bashku kundër organizatave terroriste.

Sipas saj, bashkëpunimi në fushën e trajnimeve është bërë traditë që realizohet çdo vit dhe numri i programeve të bashkëpunimit në fushën e trajnimeve është rritur nga viti në vit.

Fatkeqësisht, Turqia është ndeshur me terrorin e shprehur në çdo formë. Edhe gjatë kësaj lufte ka një përvojë shumë të hidhur, por të madhe. Kjo përvojë na ka bërë më të fuqishëm dhe më të pamposhtur në luftën kundër terrorizmit. Për dhjetëra vite ne kemi luftuar kundër PKK-së, edhe tani po luftojmë. Ne po zhvillojmë një luftë të gjerë kundër PYD-së dhe YPG-së, e cila është pjesë e kësaj organizate mizore në Siri. Vendi ynë është përballur me një të keqe siç është DAESH-i, që shfaq çdo llojë egërsie në shekullin 21. Sot, Turqia është shtet i vetëm i NATO-s me ushtrinë e rregullt të saj që zhvillon operacion, lufton me DAESH-in në terren. Teksa luftojmë në këtë front, ne luftojmë në çdo fushë edhe kundër organizatës terroriste FETO, e cila duke shpërlarë trurin e të rinjve, sulmoi popullin dhe Parlamentin me tanke dhe avionë. Të gjitha këto organizata janë globale dhe lufta kundër këtyre organizatave kërkon një bashkëpunim global”, theksoi Kırdar në fjalën e saj gjatë aktivitetit.

Ajo gjithashtu u shpreh se ky bashkëpunim është jetik, sepse terrori është një e keqe që vë në shënjestër njerëz të pafajshëm.

Pjesë e trajnimit të organizuar nga Departamenti i Antiterrorizmit i Policisë së Turqisë gjatë periudhës 3-7 shtator ishin 15 pjesëtarë të Policisë së Shqipërisë, trajnim ky që në fokus kishte çështjet që lidhen me proceset e hetimit në luftën kundër terrorizmit.

Policia e Turqisë ka ofruar në vitet e fundit trajnime për tema të ndryshme për pjesëtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës dhe për çështje të tjera.

Vlen të përmendet se në qershor 2018, në Akademinë e Policisë së Turqisë, u mbajt ceremonia e diplomimit të studentëve të Policisë të Shqipërisë që përfunduan me sukses programin mësimor të kësaj akademie. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë rektori i Akademisë së Sigurisë Shqiptare, Bilbil Memaj dhe rektori i Akademisë së Turqisë, prof. dr. Yilmaz Çolak. Në këtë Akademi u diplomuan 5 studentë të policisë shqiptare.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme