Serbi – Vuçiçi urdhëron ndërprerjen e komunikimit me institucionet e Kosovës dhe KFOR-in

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar ushtrisë, policisë dhe shërbimit informativ të vendit të tij që të ndërpresin plotësisht kontaktet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë...

Serbi – Vuçiçi urdhëron ndërprerjen e komunikimit me institucionet e Kosovës dhe KFOR-in

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar ushtrisë, policisë dhe shërbimit informativ të vendit të tij që të ndërpresin plotësisht kontaktet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas medias serbe, Vuçiçi ka urdhëruar Forcat e Armatosura, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA) së Serbisë që të jenë në gatishmëri dhe të shkëpusin komunikimin me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Bëhet e ditur se lideri serb ka dhënë një direktivë të tillë pasi nuk i është lejuar të shkojë në Ujman (Gazivodë), në kuadër të vizitës që ai planifikon të realizojë më 8 dhe 9 shtator në Kosovë.

Teksa realizimi i kësaj vizite nuk është konfirmuar ende, Vuçiçi dhe stafi i tij kanë bërë një vlerësim të udhëtimit në fjalë deri në orët e vona të së enjtes.

Mediat serbe shkruajnë se bashkëpunëtorët më të ngushtë të kreut të shtetit serb janë ndarë në dy palë, njëra kërkon realizimin e vizitës në Kosovë dhe tjetra anulimin e saj.

Pikëpyetjet mbi vizitën u ngritën pas deklaratave të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Prishtina zyrtare mund ta ndalojë Vuçiçin që të vizitojë Ujmanin.

Kryeparlamentari Veseli, në një prononcim të mëhershëm rreth vizitës së Vuçiçit në vendin e tij, ka thënë se Prishtina e ka lejuar këtë vizitë, por mund ta anulojnë atë nëse vizita e presidentit serb kërcënon stabilitetin e Kosovës.

Duke theksuar se Vuçiçit mund t’i ndalojnë madje edhe hyrjen në Kosovë, Veseli ka rikujtuar se një masë e tillë është marrë edhe më parë ndaj shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili qe ndaluar dhe deportuar pasi kishte hyrë ilegalisht në Kosovë.



Lajme të ngjashme