Maqedoni – Kurz: Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoni, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, deklaroi se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Evropian...

Sebastian Kurz Makedonya 01.jpg
Sebastian Kurz - Zoran Zaev Makedonya 03.jpg
Sebastian Kurz - Zoran Zaev Makedonya 02.jpg

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili po qëndron të premten për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, porositi se BE-ja do të jetë e plotë atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor dhe u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e caktuar, për t’u prononcuar për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për perspektivën evropiane. 

Me një ceremoni solemne, Kurz u prit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë nga ana e Kryeministrit të këtij vendi, Zoran Zaev. Pas takimit të mbajtur mes Kancelarit Kurz dhe Kryeministrit Zaev, u organizua një konferencë e përbashkët shtypi.

Kurz theksoi se Austria është investitori më i rëndësishëm i Maqedonisë, si dhe mik i këtij vendi dhe tërë rajonit. Ai tha se i bashkohet mendimit se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkimin Evropian dhe se BE-ja do të jetë e plotë vetëm kur atje të integrohet Ballkani Perëndimor. 

“Përzemërsisht e përshëndes atë që është arritur me kompromis në këtë fushë dhe do të dëshiroja që Maqedonia të marrë pjesë në këtë referendum dhe para se gjithash të prononcohen për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për perspektivën evropiane. Sigurisht, ky është vendim i secilit individ dhe vërtet nuk më mbetet mua të marrë vendim për dikë tjetër, por si mik i Maqedonisë dhe si vend aktiv e anëtar i Bashkimit Evropian, ne do të konsiderojmë se është shumë pozitive nëse ka pjesëmarrje të madhe dhe epilog pozitiv në referendum”, porositi Kurz. 

I pyetur se cili është mesazhi i tij deri te VMRO-DPMNE-ja opozitare, me të cilën janë parti simotra në Partinë Popullore Evropiane (EPP), Kancelari Kurz tha se është po i njëjti si deri te qytetarët. Ai theksoi se është me rëndësi që Maqedonia dhe shtetet ballkanike të kenë perspektivë evropiane dhe ta shfrytëzojnë, ndërsa pjesë e kësaj është edhe zgjidhja e çështjes së emrit.

Kryeministri Zoran Zaev falënderoi homologun austriak për vizitën e tij në Maqedoni duke theksuar se mbështetja e Vjenës për vendin ka ardhur në periudhën e gjetjes së zgjidhjes për kontestin e emrit me Greqinë. 

Ai theksoi se me Marrëveshjen e Prespës janë hapur dyert për anëtarësim të me të drejta të plota të Maqedonisë në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në. 

“Vizita juaj është mesazh i fuqishëm dhe nxitje për ne në prag të referendumit, në të cilin qytetarët e vendit tonë do të zgjedhin ardhmërinë, do të hedhin votën për miratimin e marrëveshjes me Greqinë, me të cilën na garantohet vendi ynë në BE dhe në NATO. Vizita juaj na përcjell mesazhin se Republika e Maqedonisë është kthyer në rrugën e duhur, në rrugën evropiane”, tha Zaev duke shtuar se bota ka njohur ndjenjën e rivendosur të optimizmit, energjisë dhe shpresës që ndajnë qytetarët e Maqedonisë.

Zaev shtoi se Austria është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë, kompanitë e së cilës janë investitorët më të mëdhenj në Maqedoni. 

I pyetur për atë çfarë do të ndodh nëse Marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e kontestit të emrin nuk miratohet në Greqi, kryeministri i Maqedonisë tha se pret që të dyja vendet ta përfundojnë pjesën e tyre të punës dhe të ratifikohet në Parlamentin e Greqisë, ndërsa procesi tërësisht të kryhet. / AA



Lajme të ngjashme