Bruksel – Thaçi: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të miratohet me referendum

“Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të aprovohet përmes referendumit në Kosovë dhe vullnetit të tyre dhe Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Presidenti Hashim Thaçi pas takimit në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini...

Bruksel – Thaçi: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të miratohet me referendum

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pavarësisht se nuk u takua të premten në Bruksel me homologun serb, Aleksandar Vuçiç, por vetëm me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nuk pranoi se lideri serb ka bojkotuar takimin, por tha se kanë negociuar përmes Mogherinit.

Në fund të takimit në kryeqytetin belg me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Thaçi i ka quajtur edhe një herë takime të rënda ato me delegacionin serb.

Pas takimit me kryediplomaten e BE-së, presidenti i Kosovës tha para gazetarëve se kanë konstatuar që dallimet janë shumë të thella dhe se vazhdojnë të jenë në pozicione shumë të largëta me palën serbe.

Ai nuk e ka vlerësuar si bojkot mungesën e takimit tripalësh, por ka tërhequr vëmendjen se është në dijeni të dallimeve. 

“Zakonisht, ne këtu takohemi në Bruksel fillimisht në rrafshin bilateral, Kosova me znj. Mogherini, gjithashtu Serbia me znj. Mogherini, me ekipin e saj, prandaj ka ndodhur edhe tani, e pastaj ndodhin takimet në rrafshin trilateral. Ne sot kemi dialoguar dhe negociuar përmes znj. Mogherini, që ka qenë edhe më herët procedurë dhe praktikë, por kemi konstatuar se dallimet janë shumë të thella dhe jemi në pozicione shumë të largëta, për këtë arsye ka mbetur që të punohet në substancën e angazhimeve, ideve tona në mënyrë që të kemi një rrethanë në ditët e ardhshme, pra, në të ardhmen e afërt të takimeve, që të kemi progres më të prekshëm”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit të Kosovës ka sqaruar se gjërat po bëhen edhe më të vështira dhe vështirësitë për arritjen e marrëveshjes veç po rriten duke qenë se mospajtimet veç po thellohen.

“Ajo që mund të them është se çdo takim që po ndodh, po kupton gjithnjë më tepër që vështirësitë veç sa po rriten për arritjen e marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Gjërat po bëhen edhe më të vështira për arsye se mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen, edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes znj. Mogherini, kuptohet dhe ato shfaqje të dallimeve të mëdha kanë ndikuar që të jemi në këtë fazë të reflektimit për vazhdimin e mëtejshëm. Këto takime janë shumë të rënda, shumë të vështira, pothuajse, me gjasa teorike për arritjen e ndonjë marrëveshje, por konstatojmë se dialogu dhe negociatat duhet të vazhdojnë dhe të ketë takime në të ardhmen. Vështirësitë janë shumë të mëdha, pengesat janë shumë të mëdha, dallimet janë shumë të thella, por rrugëtimi dhe dialogu për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë nuk ka alternativë”, është shprehur ai.

Thaçi tha se çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet brenda ditësh, javësh apo muajsh, meqë, siç tha ai, është konflikt më tepër se njëshekullor.

Ndërsa për vizitën e presidentit serb, të paralajmëruar se mund të bëhet në fundjavë, ai tha se respektojnë vizitën e secilit, por nuk lejojnë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket vizitës, Kosova i ka institucionet e veta të besueshme, jemi vend i pavarur dhe sovran, do të respektohet në përpikmëri intinerari  i lejuar për vizitën e presidentit të Serbisë në Republikën e Kosovës, as më pak e as më shumë. Ne respektojmë secilin, nuk dëshirojmë të poshtërojmë askënd, por nuk lejojmë cenimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Zyrtarët serbë, përfshi këtu edhe Presidentin Vuçiç, kanë vizituar Kosovën edhe më herët me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, e kemi dhënë lejen edhe për vizitën gjatë fundjavës dhe do të ketë mirëkuptim çdo herë që kërkohet ndonjë leje për të vizituar komunitetin serb, sepse shohim se është e nevojshme një komunikim i tillë për dërgimin e mesazheve të paqes, shpresës dhe optimizmit”, saktësoi ai.

Presidenti i Kosovës shtoi se nuk ka hapësirë për kërcënime, tragjedi, luftë e zhvendosje të popujve. Sipas tij, marrëveshja përfundimtare Prishtinë-Beograd do të miratohet nëpërmjet referendumit në vendin e tij dhe se të dy presidentët janë pajtuar të vazhdojnë projektin, që ai e quajti madhor, të paqes dhe stabilitetit për fqinjësi të mirë.

“Marrëveshja mund të vonohet, por do të arrihet dhe jam shumë i vendosur se do të lëvizim përpara. Kosova do të jetë unike në këtë drejtim. Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të aprovohet përmes referendumit në Kosovë, përmes votës së qytetarëve të Kosovës, vullnetit të tyre dhe Parlamentit të Kosovës”, siguroi Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës tha se ka filluar debatin e brendshëm në vendin e tij dhe se shpreson që në fund do të ketë reflektim nga të gjithë për arritje të marrëveshjes definitive, e cila, siç tha ai, nënkupton njohjen reciproke dhe demarkacionin e 430 kilometrave të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi vuri në pah gjithashtu se respekton kërkesën e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që të përfshihen në territorin e Kosovës në kuadër të demarkacionit të kufirit me Serbinë.

“Se cila është marrëveshja reale dhe bota reale do të vendosin vetë qytetarët në Kosovë e Serbi dhe një marrëveshje Kosovë-Serbi ka kuptim vetëm me njohjen reciproke”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme